- Ekonomi
Ekonomi26 Mars 2018, 19:49

Shkruar nga Pamfleti

Prokuroria zbarkon në Gjirin e Lalzit, hetim për tjetërsim pronash në rezidencën VIP. Rrezikojnë dhe 3 ish kryeministra që kanë firmosur, gati arrestimet

Pasuria e ish kryeministrave, ish- ministrave, bosëve të mediave dhe gjyqtarëve e prokurorëve pritet të zbardhet me detaje.

Ashtu sikurse ka paralajmëruar muaj më parë “Pamfleti”, duke ndjekur linjën e marrjes së pronësisë dhe të shitblerjeve dorë më dorë, më në fund organet ligjzbatuese shqiptare do të mbërrijnë tek pronarët e vërtetë.

Kështu ditën e sotme, Prokuroria e Durrësit ka nisur një hetim lidhur me tjetërsimin e pronave në zonën e Durrësit. Kryesisht bëhet fjalë për toka truall dhe sipërfaqe të konsiderueshme në bregdet.

Objekt i këtyre hetimeve janë institucionet e Hipotekës dhe të ALUIZNI-t.

Sipas informacioneve të mediave(RTV), pjesa ku më shumë janë përqendruar hetimet është zona e Gjirit të Lalëzit. Ku është dhe rezidenca e pjesës më të madhe të politikës, duke filluar nga ish kryeministra, deputetë dhe ish ministra, drejtuesit kryesorë drejtësisë dhe të mediave.

Informacionet thonë se prokuroria ka tentuar të marrë në pyetje punonjës të institucioneve të lartëpërmendura, por një pjesë e mirë e tyre nuk janë gjetur.

Bëhet fjalë për rreth 30 punonjës hipoteke dhe ALUIZNI të periudhave të ndryshme, që janë vënë në shënjestër nga organi i akuzës.

Policia e Durrësit bën me dije se pranë këtij institucioni ende nuk janë sjellë urdhra arreste, por pritet të mbërrijnë së shpejti. Mësohet se janë vënë në shënjestër dhe janë evidentuar të gjithë personat që kanë tjetërsuar pronat.

Ndërkohë që janë marrë dhe dokumentacionet që kanë të bëjnë me krijimin këtyre fshatrave turistikë.

Vendimet e KKRRT në kohë të ndryshme kur kanë dhënë lejet për këto fshatra turistikë, dhe shpërblimi i dhënë për ta në formë vilash është sërish objekt hetimi.

Mësohet se po përgatitet vala e dytë e arrestimeve dhe pritet që të ngrihet niveli në rang ish kryeministrash. Ku tre prej tyre janë duke u evidentuar pasi dyshohet se kanë përfituar vila në Lalz në këmbim të firmave për fshatrat turistikë.

Kujtojmë që pak ditë më parë u arrestua kryebashkiaku i Lezhës, Frrokaj i akuzuar për tjetërsim pronash së bashku me 12 zyrtarë të tjerë, por më pas u lirua dhe po hetohet në gjendje të lirë, ndërsa 11 zyrtarë janë në kërkim./PAMFLETI

Ekonomi Lajmi i fundit nis hetimi i tjetërsimit të pronave në rezidencën e VIP-ve Prokuroria zbarkon në Gjirin e Lalzit