Komedia e një çifti të pangopur që vodhën tragjikisht një popull të vuajtur - Editorial
Editorial21 Prill 2024, 12:10

Komedia e një çifti të pangopur që vodhën tragjikisht një popull të vuajtur

Shkruar nga Gjergj Zefi
Komedia e një çifti të pangopur që vodhën tragjikisht
Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi /

 E mjerimi mirfilli ndien tradhti.../Mjerimi ka vulën e vet të shëmtueme;/ asht e neveritshme, e keqe, e turpshme;/ balli që e ka, syt që e shprehin,/ buzët që më kot mundohen ta mshefin/ janë fëmitë e padijes e flitë e përbuzjes,/ të mbetunat e flliqta rreth e përqark tryezës/ mbi të cilën hangri darkën një qen e pamshirshëm/ me bark shekulluer, gjithmon i pangishëm...

Migjeni

 Shpërfaqja tashmë prej një jave e një telenovele alla turka të emocioneve të pleksura dashuri- urrejtje të Ilir Metës me gruan e tij Monika, ka sjellë vëmendje vetëm sepse mediat ja japin atë.

Nuk është fare rastësi që të dy “pëllumbat e ndarë” të kenë prime- time’n në televizionet kryesore të vendit, ndërkohë që ka aq shumë probleme ky vend.

Janë fijet e vjetra e të reja të merimangës kriminale që e lidhin pushtetin e Ilir Metës me konglomeratët mediatikë, ku në një pjesë të të cilëve ka edhe fetat e veta të aksioneve, që i mundësojnë të jetë në kryetitujt e ditës.

Çalltisjet e ish-presidentit nëpër hekura dhe deliret e shpërndara në rrjet, mund të jenë rezultat i këshillave të konsulentëve të çalltisur, të tipit të Sazan Gurit apo mitomanë të tjerë, që Ilir Meta i ka mbajtur afër, i ka financuar e mbështetur gjithë këto vite. I ka zgjedhur për pragmatizëm, apo se këtij xhinsi i përket edhe ai, kjo pak rëndësi ka dhe publikut as që i intereson fare. Çdo burrë ka përgjegjësi për surratin e tij.

Por ajo që duket e tepërt për publikun, i cili prej kohësh kërkon me ngulm që vendi të shpëtojë nga kasta e vjetër, është telenovela e stisur e marrëdhënieve të krisura të bashkëshortëve Meta dhe Kryemadhi.

Edhe pse disa vëzhgues, po e krahasojnë me serialin e Netflix: “House of Cards”, ku burri përplaset me gruan për Shtëpinë e Bardhë; apo ca të tjerë me një telenovelë melankolike turke, kjo nuk është gjë tjetër veçse, një “Estradë Ballshi”.

Një metaforë që përdorej në komunizëm për ato trupa amatore që kishin 10 këngë e një skeç humori në shfaqje. Pra metaforë që tregon një shfaqje jo vetëm të dobët, por më shumë të mërzitshme e irrituese.

Ajo çfarë është më tepër ndjellakrupe në këtë tragji-komedi pa kripë, është pikërisht hipokrizia që ky çift dominues në 33 vjet po u servir njerëzve. Madje është më e rëndë sesa sjellja fyese dhe arrogante, kur kishin pushtuar kryeministrinë me skraparlinj dhe fshatarë nga Greva e Peshkopisë.

Shikoni vetëm sjelljen e Ilir Metës për “të dënuar” nepotizmin në partinë e tij. Një cinizëm aq i rëndë, sa fyen në mënyrë më të paskrupullt inteligjencën e shqiptarëve, apo siç e thotë me cinizëm Muslim Murrizi, na fyejnë edhe injorancën...

Sepse Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi, janë personazhe epike në Shqipëri, që më shumë se askush tjetër në 100 vjet shtet, kanë ngritur, themeluar dhe mbështetur nepotizmin si koncept determinant të qeverisjes në këtë vend.

Nepotizmi, që Meta- Kryemadhi instaluan u kthye më pas në një institucion apo ligj të pashkruar. Ku nga standardi i diktaturës që nuk lejoheshin persona të së njëjtës familje në një ndërmarrje, u kthye në qeverisjen me familje, fis, krushqi apo bashkëfshatarë. Ende tregohen në popull anektodat me skrapalinj.

Ilir Meta, kur ka qenë kryeministër, ka vënë tërë tarafin e tij familjar në poste kyçe të administratës, por edhe pushtetit të rëndësishëm në vend. Ministra si Mustafa Muçi, me lidhje të afërt me Ilir Metën drejtuan dikasterin më të rëndësishëm në vend, atë të burimeve natyrore. Daja i tij u emërua ambasador në Greqi, pikërisht në kohën kur Ilir Meta kreu dy operacione spektakolare ekonomike, duke i dhënë Athinës dy asetet më të rëndësishme të ekonomisë shqiptare.

Përkatësisht: licenca e parë e telefonisë së lëvizshme në Shqipëri, pra AMC-ja ju dha kompanisë greke Cosmote. Në një kohë që pak muaj më parë erdhi në Tiranë kancelari gjerman Gerhard Schroder, dhe kërkoi që AMC t’i jepet Deutsche Telekom, siç kishte ndodhur në gjithë rajonin.

Por nuk mbaroi me kaq, Meta i dha po grekëve licencën e dytë celulare në vend.

Për ta sjellë në kontekst të kohës, atëherë shqiptarët kishin një nevojë jetike komunikimi ndërmjet celularit, pasi rrjeti analog fiks ishte i shkatërruar, dhe çmimet e përdorimit ishin më të lartat në Europë.

Sipas statistikave të shpërndara zyrtarisht, flitej që çdo vit 250 milionë euro fitim të kompanive celulare greke transferoheshin në Greqi.

Por natyrisht që të gjitha këto janë çikërrima, pasi përvetësimi i pasurive të vendit mori përmasa të frikshme.

Thelbi qëndron në faktin, se Teza e Ilir Metës: “family buisnes is not political buisnes” është një tallje madhe.

Natyrisht që Ilir Meta e bën këtë luftë donkishoteske kundër nepotizmit sepse e di qartë se shqiptarët e urrejnë e nuk e honepsin partinë e tij, më shumë prej këtij fakti.

E në vend të një ndjese e të një reflektimi të thellë, ndoshta jo me sinqeritet por me logjikë të ftohtë, Ilir Meta zgjedh një teatër të pështirë, ku sulmon Monikën si “armike të brendshme”. Sikur Monikën në krye të LSI-së e vunë shqiptarët.

Ndaj kjo tallje, është më e rëndë se arroganca, kapërdisja dhe kakarisja 33 vjeçare me luks të shfrenuar. Këtij të babëzituri edhe mund t’i kenë ‘ikur pëllumbat’ por zemra e tij është e vogël, shumë të vogël, e zezë dhe gur si shkëmbinjtë e Tomorrit që e ka shkatërruar me gurore./Pamfleti

komedia e një çifti të pangopur vodhën tragjikisht një popull