Aktualitet15 Maj 2019, 15:03

Të ardhura multimilionëshe nga emigracioni, kjo është kryebashkiakja me e pasur në Shqipëri

Shkruar nga Pamfleti

Të ardhura multimilionëshe nga emigracioni, kjo është kryebashkiakja me e pasur në Shqipëri

Majlinda Bufi hoqi dorë nga Kuvendi i Shqipërisë në vitin 2015 për të kandiduar për një mandat në krye të Bashkisë së Roskovecit. Në zgjedhjet lokale të 21 qershorit 2015, ajo u shpall fituese me 52.45% të votave si përfaqësuese e Partisë Socialiste dhe e Aleancës për Shqipërinë Europiane.

Majlinda Bufi ka lindur në vitin 1972 në  Roskovec  të  Fierit. Ajo u diplomua për inxhinieri ndërtimi në Universitetin Politeknik të Tiranës në vitin 1995, ndërsa në vitin 2005 përfundoi studimet edhe për Politikë Agrare pranë Universitetit Bujqësor të Tiranës.

 

 

Bufi është përfshirë që herët në politikën lokale. Prej vitit 1995 ka qenë aktive në strukturat e Partisë Socialiste dhe prej vitit 2005 është kryetare e degës së  Partisë Socialiste në Roskovec, anëtare e Asamblesë Kombëtare të PS, si dhe anëtare e Këshillit Bashkiak në Roskovec dhe në Fier. Në zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2013, Bufi u zgjodh deputete e Kuvendit të Shqipërisë, por e la në mes mandatin për të drejtuar bashkinë e Roskovecit.

Ky raport është prodhuar nga BIRN pas administrimit të deklaratave të pasurisë nga Inspektoriati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrolli të Pasurive dhe Konfliktit të Interesit, ILDKPKI. Ai ka për qëllim bërjen e transparencës mbi pasuritë e kryetarëve të bashkive të vendit në prag të zgjedhjeve lokale të 30 qershorit.

Skeda grafike e mëposhtme paraqet pasurinë familjare të deklaruar nga kryebashkiakja e Roskovecit, Majlinda Bufi nga viti 2013 deri në fund të vitit 2017. Skeda e pasurise se deklaruar nga kryetarja e Bashkise se Roskovecit, Majlinda Bufi per vitet 2013-2017.

Kryetarja e Bashkisë së Roskovecit zotëronte familjarisht pasuri me vlerë rreth 194 milionë lekë në vitin 2013- me burim kryesor të ardhurat nga emigracioni. Pasuria multimilionëshe përbëhet nga investime të shumta në pasuri të patundshme; apartamente dhe dyqane në Roskovec, Fier dhe Tiranë, para në gjendje cash prej 20 milionë lekësh si dhe aksionet e bashkëshortit në kompaninë “Anbi sh.p.k” prej 31.8 milionë lekësh.

Në fund të vitit 2017, pasuria familjare rezulton me një rënie të lehtë krahasuar me vitin fillestar, duke kapur vlerën e 171.8 milionë lekëve. Ajo zotëron 138.8 milionë lekë pasuri të patundshme, 26.8 milionë lekë likujditete bankare si dhe automjete në vlerën e 3.9 milionë lekëve.

Pakësimi i pasurisë lidhet kryesisht me shitjen e aksioneve të kompanisë “Anbi” sh.p.k nga bashkëshorti i kryetares së bashkisë. Kompania me objekt projektimin dhe zbatimin e ndërtimeve është regjistruar në vitin 2000 nga bashkëshorti i Znj. Bufi dhe është shitur prej tij në janar 2014 në këmbim të 10 milionë lekëve. Në kohën e shitjes, kompania kishte kapital të nënshkruar prej 31.8 milionë lekësh.

Të ardhurat familjare për periudhën 2013-2017 janë 30.9 milionë lekë. Paga nga funksioni i Znj. Bufi ka siguruar rreth 31% të të ardhurave, ndërsa shitja e aksioneve të kompanisë së bashkëshortit 29%. Familja Bufi ka siguruar gjithashtu të ardhura nga qiratë në masën 16% dhe nga paga e bashkëshortit në masën 9%.

Përveç analizës për rritjen/uljen e pasurisë, strukturën e aseteve dhe të ardhurave, ky raport paraqet dhe kontrollin aritmetik/logjik të deklarimeve të subjektit si dhe “flamujt e kuq’  që identifikohen gjatë kontrollit. BIRN kreu kontrollin aritmetik/logjik për 4 vite të deklarimit, të cilat rezultuan pa probleme.

Por BIRN identifikoi disa “flamuj të kuq” në këtë analizë, të cilat lidhen kryesisht me burimin e pasurisë së deklaruar nga Znj. Bufi si dhe transaksionet e kryera me të.

Më konkretisht, pasuria multimilionëshe e deklaruar në vitin 2013 ka si burim kryesor emigracionin dhe të ardhurat nga biznesi. Si rregull, të ardhurat nga emigracioni të deklaruara nga zyrtarët publikë i nënshtrohen verifikimeve nga ILDKPKI.

Në vitin 2013, bashkëshorti i Znj. Bufi deklaron se ka në gjendje cash 20 milionë lekë me burim nga legalizimi i kapitalit. Sipas legjislacionit, legalizimi i kapitalit është deklarimi vullnetar i shtetasve shqiptarë se zotërojnë shuma në të holla, brenda ose jashtë vendit si dhe kanë paguar tarifën përkatëse në institucionet tatimore. Në fund të vitit 2017, gjendja në cash rezulton e zeruar.

BIRN identifikoi gjithashtu se pakësimi i pasurisë vjen kryesisht për shkak të shitjes së kompanisë “Anbi sh.p.k” si dhe nga revokimi i kontratës për ndërtimin e një objekti me sipërfaqe 313 m2. Të ardhurat e siguruara nga këto transaksione janë investuar pjesërisht në pasuri të patundshme apo në llogari bankare, ndërsa për pjesën tjetër nuk ka të dhëna të deklaruara./Reporter.al

Aktualitet