Aktualitet30 Dhjetor 2022, 19:39

Të ecësh mbi pasqyrë duke u shikuar, por pa e thyer!

Shkruar nga Pamfleti
Të ecësh mbi pasqyrë duke u shikuar, por pa e thyer!

Gëzimi më i madh i njeriut qenka atëherë kur arrin ta bësh dikend të lumtur.  Kjo zatën më ka ndodhur kohëve të fundit, kur pjesë e Ansamblit u bënë disa të rinjë që premtojnë shumë, me ç’rast përjetova emocione të paprovuara deri më tani, sepse për punësimin e tyre unë u gëzova më shumë se ata vet

Shkruan Shkodran Tolaj*

Një prej dilemave që më ka shoqëruar kur e mora drejtimin e Ansmablit Shtetëror, ishte nëse unë do të arrij të vendosi një balancë në mes të aftësive të mia menaxhuese dhe  krijimit të një kulture kohezive të ekipit të këngëtarëve, valltarëve , instrumentistëve dhe stafit përcjellës adminstrativ. Po vija në një detyrë që nuk e kisha të panohur si vokacion, por ishte një terren i pashkelur sa i përket përgjegjësive menaxhuese. Sado që më rrotulloheshin në kokë disa nga rregullat që kisha lexuar mbi të qenit menaxher i sukseshëm, megjithatë kjo nuk më hynte shumë në punë, sepse sfidat që më prisnin për të drejtuar një Ansambël të ri të posathemeluar, nuk arrinin të absorboheshin brenda atyre rregullave. Ka shumë rëndësi koha kur drejton një institucion: në fillim , apo pas disa viteve kur para teje dikush tjetër ta ka trasuar rrugën?

Duke i marrë parasysh të gjithë këta faktorë, por duke u nisur edhe nga fakti se unë vija nga shkollat më të avancuara gjermane të bërjes muzikë, atëherë pa humbur kohë mu desht të sistemoj një regjistër krejt të ri dhe autonom të prioriteteve menaxhuese, duke u përqëndruar kryesisht në një lajtmotiv: Një drejtues është i sukseshëm atëherë kur arrin të bëhet burim motivimi për ekipin që drejton. Dhe jo rastësisht, çdo mëngjes, kur filloj punën, më ndjek ky lajtmotiv, të cilin mundohem ta ushqej me pasionin e njeriut i cili më pak ësht i vetvetes e më tepër i të tjerëve.

Shkathtësia për të deleguar punët, vizioni i qëndrueshëm për zhvillimin e Ansamblit, përhapja në publik e sukseseve, afirmimi i vlerave tona kombëtare në botë përmes programeve  artistike, detektimi i anëve të padukeshme të talentit të anëtarëve të Ansamblit dhe përtërirja eAnsamblit me talentë të rinjë,  ishin disa nga prioritetet e mia, të cilat jam munduar t’i mbindërtoj në kauza, pa të cilat mendoj se Ansambli nuk do ta arrinte këtë sukses që e ka aktualisht.

Gjithkush e ka të drejtën e Zotit ta gjykoj punën që bëjmë, madje këtë e kam kërkuar disa herë nga mediat, por megjithatë kjo nuk i ka përmbushur pritjet e mia, sepse kam dashur që puna që bëjmë të jetë nën thjerrëzën e opinionit publik, sidomos të ekspertëve dhe njohësve të artit të këndimit e vallëzimit. Kjo nuk don të thotë se nuk kemi qenë të pranishëm në media, të cilat i faleminderoj nga zemra, por kultivimi i shijes estetike bëhet vetëm atëherë kur ka kritikë të mirëfillt nga ata që e njohin mirë artin. Shpresoj shumë që në të ardhmen të kemi edhe studiues e kritikë që ndjekin rrjedhat muzikore te ne, në mënyrë që të krijohet një sistem i valorizimit të vlerave, sepse pa këtë sistem e kemi vështirë të dallojmë vlerën nga jovlera, artin e mirëfillt nga tallavaja, talentin e vërtetë nga improvizuesi etj.
Në çdo mjedis kulturor, nëse një ansambël shtetëror merr çmim prestigjioz në një festival ndërkombëtar, siç ndodhi me pjesëmarrjen tonë më  27 korrik në festivalin e mbajtur në Byjyk-Çekmeçe në Turqi, prej nga u kthyem me Çmim të parë, pas triumfit në Hungari,  apo pas vlerësimit me  çmimin e parë në Veliko Trnovo  të Bullgarisë, vitin e kaluar, sigurisht që këto ngjarje nuk do të përbënin vetëm lajm , por edhe një mundësi ideale për kritikën që të shpreh gjykimet e saj mbi të arriturat dhe sugjerimet eventuale. Kjo i ndihmon shumë artistëve, sepse mund të jetë mënyra më e mirë për të ecur mbi një pasqyrë në të cilën duhesh të shikohesh, por të cilën nuk guxon ta thyesh.

Për të drejtuar një institucion të rëndësishëm, siç është Ansambli Shtetëror, a mjafton vetëm karizma, personaliteti, aftësia për të deleguar punët, apo nevojitet edhe diçka përtej kësaj. Në kërkim të “përtej kësaj” unë kam ardhur në përfundim se drejtuesi i mirë duhet të ketë shpirtin e pasur me dashuri e devotshmëri për punën dhe për ata me të cilën punon. Pa dimensionin shpirtëror mbetet e varfër çfarëdo përpjekje që bën, sepse çfarëdo qasje tjetër që nuk e ka shpirtëroren brenda, të bën një burokrat që nuk arrin të kesh sensin e përjetimit të gjërave të bukura dhe të vështira gjatë punës që bën.

Mbase një punë me plot ngarkesa fizike e psikike, një punë që kërkon kondicion dhe përqëndrim maksimal, nuk mund të kurorëzohet me sukses nëse nuk shoqërohet me integrimin e komponentës shpirtërore në sensin e bashkëpunimit dhe koordinimit. Një drejtues që arrin të kap në ajër këtë sens, konsideroj se ka bërë punën e duhur, pa anashkaluar edhe kontributin e punonjësve e bashkëpunëtorëve të cilët në momente të caktuar të japin kurajo për të tejkaluar dilemat e çastit.

Me kalimin e kohës e kuptova se edhe drejtimi i një institucioni është art më vete që kërkon të investosh për çdo ditë punë, dije, kreativitet dhe përkushtim maksimal ndaj projekteve. Por e gjithë kjo nuk mund të bëhet nëse punën që bën nuk e kupton si mision, andaj që në ditën e parë i kam thënë vetes se po i hyj një misioni të cilin duhet ta kryej me përgjegjësi të lartë profesionale e kombëtare. Ende ka kohë për ta rrumbullaksuar këtë mision, por ajo çka mbetet në të ardhmen është mbindërtimi i përvojës së deritanishme me një vizion i cili gjithsesi duhet të përmbaj në vete disa objektiva që lidhen ngusht me zhvillimin e Ansamblit në pikëpmaje të performancës artsitike e kadrovike si dhe me zgjerimin e gamës së kërkesave estetike ndaj projekteve të radhës.

Gjatë studimeve në Gjermani e kisha dëgjuar nga profesorët e mi se menaxherët nuk lindin domosdoshmërisht në udhëheqje, por udhëheqësit e mirë shpesh bëhen menaxherë të shkëlqyeshëm, sepse e kuptojnë rëndesën e përgjegjësisë për të qenë i pari në maratonën të cilës t’i duhesh t’i prijsh.

Maratona që kam nisur, ende nuk ka përfunduar, por në vrapim e sipër kam kuptuar se nuk është njësoj të jesh i pari në një maratonë sportive dhe i pari në një institucion. Sepse në maratonën sportive egozmi është i lejueshëm, kurse në drejtimin e institucionit kjo as që mund të merret me mend. Përkundrazi. Egoja jote shkrihet në pellgun e gjerë të ambicjeve të të tjerëve dhe në fund ngelë dëshira jote për të pa të tjerët më mirë se veten, për t’u gëzuar ti më shumë se ai që punësohet. Kjo zatën më ka ndodhur kohëve të fundit, kur pjesë e Ansamblit u bënë disa të rinjë që premtojnë shumë, me ç’rast përjetova emocione të paprovuara deri më tani, dhe për një herë e kuptova se gëzimi më i madh i njeriut qenka atëherë kur arrin ta bësh dikend të lumtur.

Këtë ese të fundvitit po e përmbylli me një thënie brilante të studiuesit Andy Stanley: “Udhëheqësit që nuk dëgjojnë, në fund do të rrethohen nga njerëz që nuk kanë asgjë për të thënë”. Prandaj unë do të vazhdoj të mbaj një ekuilibër midis dhënies së udhëzimeve dhe dëgjimit të komenteve e sugjerimeve nga të tjerët, përfshi edhe ata me të cilët punoj çdo ditë.

Nëse lumturia e të tjerëve varet nga sjelljet tona, atëherë shpresoj që edhe në vitin që po vjen sasia e lumturisë të rritet bashkë me fuqinë kohezive (shpirtërore-fizike) të Ansamblit për t’i sjellë publikut të mrekullueshëm programe edhe më të arrira artistike.

Gëzuar 2023!

Shkup, 30 dhjetor 2023

*Autori është drejtor i Ansamblit Nacional të Këngëve dhe Valleve Shqipe në MV

Forum