Aktualitet20 Gusht 2018, 07:34

Të gjithë i kanë sytë nga kriza turke, por ajo e Kinës mund të jetë më e rëndë

Shkruar nga Pamfleti
Të gjithë i kanë sytë nga kriza turke, por ajo e Kinës

Të gjithë i kanë sytë nga kriza turke, por ajo e Kinës mund të jetë më e rëndë

Ndryshe nga Turqia, Kina nuk ka një defiçit tregtar kronik, dhe s’ka nevojë të marrë shumë hua në dollarë për të financuar blerjet e saj jashtë vendit. Gjithsesi, në prag të krizës financiare globale të vitit 2008, Pekini u përpoq të frenojë rënien e ekonomisë së saj, duke urdhëruar bankat shtetërore që të pompojnë kredi të reja.

Shkruan Ruchir Sharma

Duke rënë sërish në pozitat e një të forti të gjendur nën rrethim, presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan fajësoi tradhtarët dhe fuqitë e jashtme, për krizën financiare që po përjeton vendi i tij, dhe duke e përshkruar dollarin e fortë të Shteteve të Bashkuara, si një ndër “plumbat, gjylet dhe dhe raketat” që të huajt janë duke përdorur në “luftën ekonomike” kundër vendit të tij.

Shumë tregje në zhvillim, e bëjnë veten të prekshëm ndaj krizës financiare, duke shpenzuar më shumë sesa mund të përballojnë, dhe duke u mbështetur tek huadhënësit e huaj për të financuar këto zakone të shtrembëruara, por Turqia ishte një rast ekstrem edhe para se Erdogan të ngjitej në pushtet në vitin 2002.

Politikat e tij më të fundit – duke përfshirë përcaktimin e normave të interesit në nivele artificialisht të ulëta dhe rritja e borxheve, defiçiteve dhe inflacionit – i kanë përkeqësuar gjërat. Shumë turq të pasur, e panë ardhjen e një krize tjetër, dhe nisën të largoheshin nga vendi para se të huajt t’i bashkoheshin me minutat e fundit, duke përshpejtuar rënien e lirës turke gjatë ditëve të fundit. Problemet e Turqisë e kanë origjinën brenda vendit, dhe lufta ekonomike kundër saj, është një figurë e imagjinatës konspirative të zotit Erdogan.

Por ai ka të drejtë, kur denoncon ndikimin e një dollari në rritje, që ka një histori të gjatë të shkaktimit të dëmeve në vendet në zhvillim. Ashtu si shumë kriza në zhvillim të monedhës botërore para kësaj, kjo vjen në një kohë kur Rezerva Federale e SHBA-së po rrit normat e interesit, duke rritur vlerën e dollarit.

Ndërsa dollari forcohet, vendet në zhvillim si Turqia e kanë gjithnjë e më të vështirë të paguajnë borxhet e tyre në dollarë, dhe përfundimisht investitorët fillojnë të largohen. Tani çështja është nëse Turqia është e gatshme të shkaktojë një krizë më të gjerë globale, si ajo që shkaktoi bahti tajlandez në vitin 1997.

Përgjigjja nuk është e qartë. Rënia e lirës turke, ka ndikuar negativisht në monedhat e tjera të vendeve në zhvillim, por pak prej këtyre vendeve kanë të përbashkët problemin e dyfishtë të Turqisë, të pasjes së borxheve të mëdha të jashtme, dhe politikave qeveritare që ushqejnë inflacionin.

Por ekziston një pikëpyetje edhe më e madhe:Dollari i fortë, që po dobëson ekonominë e Turqisë mund të minojë gjithashtu ekonominë e dytë më të madhe në botë, Kinën. Kina është e ndjeshme ndaj dollarit të fortë për arsye të ndryshme. Në një nivel, Kina është shumë më pak e ndërvarur nga importet sesa Turqia, e cila duhet të blejë pothuajse të gjitha lëndët e saj të para, përfshirë naftën nga jashtë.

Ndryshe nga Turqia, Kina nuk ka një defiçit tregtar kronik, dhe s’ka nevojë të marrë shumë hua në dollarë për të financuar blerjet e saj jashtë vendit. Gjithsesi, në prag të krizës financiare globale të vitit 2008, Pekini u përpoq të frenojë rënien e ekonomisë së saj, duke urdhëruar bankat shtetërore që të pompojnë kredi të reja.

Më shumë se gjysma e rritjes së borxhit global gjatë dekadës së fundit, ishte krijuar si një huamarrje e brendshme në Kinë. Tani ka më shumë para që qarkullojnë në Kinë sesa në Shtetet e Bashkuara, shumica e tyre në duart e kinezëve, të cilët janë vazhdimisht në shikim të kthimeve më të larta.

Pra, edhe Kina përballet gjithashtu me një rrezik serioz të ikjes së kapitalit. Periudha e fundit filloi në vtin 2015, mes treguesve të hershëm se Rezerva Federale do të fillonte të ngrinte normat e interesit. Kina e ndaloi eksodin, duke shtrënguar kontrollet mbi monedhës e saj, por kontrollon rrallë ecurinë për një kohë të gjatë.

Huamarrësit lokalë, gjejnë mënyra kreative për të nxjerrë paratë e tyre. Këtë vit, politika e shtrënguar monetare e FED e ka forcuar më tej dollarin, ndërkohë që politikat e parasë së lehtë të Pekinit e kanë dobësuar më tej renminbin – duke nxitur investitorët kinezë të heqin dorë nga monedha vendase për dollarin amerikan.

Tani kinezët mund të fitojnë të njëjtat norma interesi në Shtetet e Bashkuara ,për një rrezik shumë më të vogël, kështu që motivimi për të ikur jashtë është i lartë, dhe do të forcohet pasi FED të ngrejë më tej normat e interesit. Pekini mund të zvogëlojë joshjen nga dollari i fortë, duke u përpjekur të rrisë vlerën e monedhës së vet.

Por kjo do të nënkuptonte shtrëngimin e furnizimit me renminbi, që ka gjasa të minojë ekonominë, në një kohë kur rritja në Kinë tashmë po ngadalësohet nën barrën e borxhit të tepërt.

Kina, është përpjekur gjithashtu të sfidojë hegjemoninë e dollarit, duke e bërë renminbin gjerësisht më të përhapur, por ky është një projekt afatgjatë, dhe deri më tani i pasuksesshëm. Megjithëse pjesa e Shteteve të Bashkuara në ekonominë botërore është poshtë 23 përqindëshit, nga një nivel i lartë prej 32 për qind në vitin 2001, dollari është ende monedha më e preferuar për çdo gjë, nga pagimi i huave tek eksportet dhe importet.

Më shumë se 60 për qind e valutës së huaj, të mbajtur në rezervë nga bankat qendrore në mbarë botën është në dollarë, dhe ambicia e Kinës për të bërë renminbin një monedhë rezervë, nuk ka ngjallur thuajse asnjë interes. Bankat qendrore globale dhe investitorët, janë ende mosbesues nëse duhet të mbajnë paratë e tyre në një monedhe, që autoritetet komuniste mund ta kontrollojnë në çdo kohë – ashtu siç bënë në vitin 2016.

Ndërsa kjo krizë shpaloset, vëmendja ka gjasa të zhvendoset nga kërcënimi relativisht i vogël global që paraqet Turqia, në atë shumë më të madh të paraqitur nga Kina – dhe nga luftërat tarifore të presidentit Trump, tek luftërat e monedhave. Megjithëse administrata Trump e ka akuzuar Kinën për dobësimin e monedhës së saj, për t’i bërë eksportet e veta më konkurruese, gjatë ditëve të fundit Kina është zhvendosur në përpjekjen për të parandaluar zhvlerësimin e renminbit – tashmë poshtë 7 përqind kundrejt dollarit gjatë dy muajve të fundit.

Gjëja e fundit që dëshiron Pekini, është një krizë e papritur e besimit. Pra, Kina gjendet në një pozitë të vështirë. Një dollar i forcuar, kërcënon të provokojë një largim më të madhe të kapitalit jashtë Kinës, por çdo përpjekje për të mbështetur renminbin në përgjigje të kësaj situate, mund të ngadalësojë ekonominë kineze.

Për vite me rradhë Pekini i është përgjigjur shenjave të dobësisë në ekonomi, duke shtypur më shumë renminbi, gjë që ka funksionuar mirë kur Shtetet e Bashkuara kishin gjithashtu një politikë monetare shumë më liberale. Tani që Shtetet e Bashkuara po rrisin normat e interesit, ulja e normave në Kinë, do t’u japë investitorëve kinezë më shumë arsye për t’u larguar nga vendi.

Fati i ekonomisë botërore, varet nga mënyra se si Kina po e trajton këtë dilemë. Ekonomia e saj prej 14 trilionë dollarësh, është më shumë se 15 herë më e madhe se ajo e Turqisë, duke përfaqësuar rreth 16 për qind të ekonomisë globale. Është pra jetike. Për pjesën tjetër të botës, kolapsi i lirës turke mund të dëshmohet të jetë një ngjarje kalimtare, dhe Kina ka të ngjarë të përcaktojë se cilën rrugë do të përshkojë kjo krizë./Bota.al

 

Forum