Kronike13 Prill 2018, 13:16

“Të martën e pamë për herë të fundit”/ Flasin familjarët e ekzekutorit të Mario Majollarit

Shkruar nga Pamfleti
“Të martën e pamë për herë të fundit”/

“Të martën e pamë për herë të fundit”/ Flasin familjarët e ekzekutorit të Mario Majollarit

Familjarët e Petrit Gjuzit, i shpallur në kërkim nga Policia e Tiranës për vrasjen e Mario Majollarit, mohojnë hasmërinë me familjen e viktimës, duke deklaruar se kjo çështje nuk është diskutuar asnjëherë në shtëpinë e tyre.

Gjatë deklarimeve që ata kanë dhënë për Policinë, si persona që mund të kenë dijeni për ngjarjen, të afërmit e 40- vjeçarit kanë treguar se nuk e dinë vendndodhjen e tij. Sipas tyre, nuk e kanë parë dhe as nuk kanë komunikuar me të në telefon që prej ditës së martë. Ndërsa prej atij momenti telefoni i tij del vazhdimisht i fikur.

“Nuk e dimë se ku ndodhet. Për herë të fundit e kemi takuar mesditën e së martës. Në mbrëmje nuk erdhi në shtëpi. Nuk kemi komunikuar më me të”, kanë deklaruar të afërmit e Petrit Gjuzit, i cili së fundmi e kishte ndryshuar emrin në Kastriot, një detaj ky që nuk dihej deri tani”.

Sa i përket dyshimeve të Policisë, se vrasja e Mario Majollarit është kryer për motive gjakmarrjeje, familjarët e Gjuzit kanë deklaruar se nuk janë në hasmëri me askënd.

“Në shtëpinë tonë nuk është folur asnjëherë për hakmarrje, as nga Petriti, as nga askush tjetër”, kanë dëshmuar ata.

Gazeta “Panorama” tentoi të komunikonte me familjarët e Petrit Gjuzit, në banesën e tij në rrugën “Myslym Keta”, por ata refuzuan të prononcohen.

I KERKUARI

Pa kaluar as 24 orë nga ngjarja, Policia e Tiranës arriti të zbardhë atentatin e së martës në Kinostudio, ku mbeti i vrarë me 4 plumba 28- vjeçari Mario Majollari.

Policia tha se është identifikuar dhe shpallur në kërkim autori i dyshuar i ngjarjes, 40- vjeçari Kastriot Gjuzi, i cili me emrin e mëparshëm e ka pasur Petrit Gjuzi, banues në zonën e Tufinës.

Burime zyrtare të Policisë së kryeqytetit thanë se ekzekutimi i Mario Majollarit është kryer për motive gjakmarrjeje. Kjo, pasi babai i tij, 18 vite më parë ka vrarë 2 persona, njëri prej të cilëve Ilir Gjuzi, vëllai i personit që u shpall në kërkim dje nga Policia.

Megjithatë, përveç motivit dhe faktit që Kastriot Gjuzi nuk është gjetur në shtëpinë e tij, apo në ambiente të tjera që frekuenton nga ana e Policisë, duket se ende nuk ka ndonjë provë tjetër të fortë në lidhje me përfshirjen e tij të drejtpërdrejtë në krim.

Kronike “Të martën e pamë për herë të fundit”/ Flasin familjarët e ekzekutorit të Mario Majollarit