Aktualitet 8 Prill 2018, 14:55

Të martën protestë para Kryeministrisë, Basha dhe Kryemadhi braktisen nga elektorati

Shkruar nga Pamfleti
Të martën protestë para Kryeministrisë, Basha dhe Kryemadhi

Opozita duket se nuk do të ndalojë procesin e reagimit ndaj qeverisë dhe ka vendosur që javën e ardhshme të zhvillojë një protestë masive në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.

“Sot” ka mësuar se kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka urdhëruar gjithë degët e PD dhe grupseksionet në gjithë vendin që të mobilizohen për protesta. Mësohet se në urdhrin e liderit demokrat dërguar vartësve të tij, Basha ka kërkuar nga këta të fundit që të mbledhin sa më shumë militantë dhe anëtarë demokratë dhe jovetëm, pasi të martën do të zhvillojnë një protestë të fuqishme përpara selisë së Kryeministrisë.

Madje, një burim nga selia blu i pohoi gazetës se një nga opsionet dhe strategjia e opozitës, është edhe bllokimi i hyrjes së Kryeministrisë. Ndërkohë që mësohet se Basha ka urdhëruar krerët e degëve që për të pasur sa më shumë persona në protestë, ai dhe Partia Demokratike do të vënë në dispozicion të qytetarëve edhe mini-buza dhe autobuza, në mënyrë që gjithë qytetarët nga rrethet të udhëtojnë falas.

Mirëpo, pavarësisht këtyre privilegjeve të ofruara nga Partia Demokratike dhe lideri i saj, Lulzim Basha, mësohet se ky i fundit ka hasur në kundërshtim të fortë të pjesës më të madhe të krerëve të degëve, të cilët jovetëm që nuk mbështesin mosbindjen civile, por nga ana tjetër po hasin shumë vështirësi edhe në mbledhjen e militantëve për t’iu bashkuar protestave.

Po ashtu, i njëjti burimi i pohoi gazetës se refuzimin e tyre, qytetarët e justifikojnë me argumenti se i druhen ligjit, në raste se tubimi degjeneron në dhunë. Madje, burimi i tha gazetës se baza është e frikësuar me të drejtë, sidomos pas procedimeve penale që Policia e Shtetit bëri disa ditë më parë për një pjesë të konsiderueshme të organizatorëve të “Mosbindjes civile” në katër akset kryesore të vendit, që për rrjedhojë bllokuan qarkullimin normal të qytetarëve. Pra duke qenë se qytetarët i frikësohen procedimeve penale dhe përballjes me drejtësinë, mësohet se kanë refuzuar thirrjen e Lulzim Bashës dhe krerëve të Partisë Demokratike, qofshin në Tiranë apo edhe në rrethe të ndryshme të vendit. Megjithatë, mbetet për t’u parë në ditët në vijim se çfarë do të ndodhë më konkretisht.

Bllokimi i Kryeministrisë

Ndryshe nga Partia Demokratike , Lëvizja Socialiste për Integrim duket se është më e vendosur për ta çuar deri në fund aktin e “Mosbindjes civile”. Pas deputetes së LSI, Kejdi Mehmetaj, e cila deklaroi se protesta e ardhshme do të jetë më radikale, edhe deputetja e kësaj force politike, Floida Kërpaçi ka deklaruar ditën e djeshme se në aksionin e ardhshëm opozita do të bllokojë Kryeministrinë. Gjatë një prononcimi për mediat, Kërpaçi theksoi se pjesëmarrja në aksionin e radhës të opozitës do të jetë e jashtëzakonshme, duke shtuar se janë qytetarët ata që kërkojnë të protestojnë. Sipas saj, revolta qytetare do të bllokojë Kryeministrinë, zyrat e ministrave, deri sa ata të kuptojnë se janë në atë karrige për t’u shërbyer atyre. “Revolta e qytetarëve do shkojë deri në atë lloj përmase, e ardhur kjo nga qytetarët, duke u bashkuar dhe ne me ta. Do bllokojmë Kryeministrinë, zyrat e ministrave, deri sa t’i bëjmë të kuptojnë se janë në atë karrige për të punuar për qytetarët. Do të ketë protesta të ndryshme, të koordinuara nga qytetarët, sipas nevojës dhe problemeve që kanë. Pjesëmarrja do të jetë e jashtëzakonshme, sepse edhe ndjenja e inatit dhe mërzisë ndaj qeverisë ka arritur në nivele alarmante”, deklaroi deputetja e LSI, Floida Kërpaçi.

Kryesore Basha dhe Kryemadhi braktisen nga elektorati Të martën protestë para Kryeministrisë