Aktualitet16 Maj 2018, 20:51

“Teatri në mikrofon” dhe Lulzim Basha

Shkruar nga Pamfleti
“Teatri në mikrofon” dhe Lulzim Basha

“Teatri në mikrofon” dhe Lulzim Basha

Nga Mero Baze

Lulzim Basha ka problem serioz me të vërtetën dhe kur e prodhon vet atë.

Pasi ministri i Brendshëm hodhi poshtë audio-përgjimin dhe i ka dorëzuar Prokurorisë provën shkencore se ai është i manipuluar, çertifikuar nga një laborator perëndimor, Lulzim Basha as ka pranuar që e ka bërë vet përgjimin, as nuk pranon që të hetojë Prokuroria falsifikimin.

Në rastin më të besueshëm, ai duhet t’i dalë zot kasetës që lexuan tre aktorët e Portokallisë së SHQUP-it, dhe të thoshte që “këtë e kemi bërë ne, dhe është autentike, pasi jemi ne autorë të këtij përgjimi”.

 Kjo është një lloj burrërie, që edhe pse nuk është provë ligjore, tregon përkushtimin politik të opozitës dhe duhet marrë në konsideratë.

Nëse nuke e ke bërë vetë, por ta kanë ofruar, dhe kundërshtari yt të thotë që është fallco me prova shkencore, atëhere më i interesuar se qeveria, duhet të ishte vet Lulzim Basha ta çonte në Prokurori, për të provuar të kundërtën.

Por Lulzim Basha është tërbuar më shumë nga Edi Rama që e çoi në Prokurori kasetën, në vend që të gëzohej që Prokuroria po heton një skandal që ai  e lidh me vëllain e ministrit të Brendshëm.

Pra problemin kryesor që ka Lulzim Basha me qëndrimin e tij, është se ai nuk do të vërteën rreth kasetës, por do që ne ta besojmë, që ai nuk është gënjeshtar.

Kjo është kohë e humbur, se këtë betejë e ka humbur dhe brenda PD-së, e jo më jashtë saj.

Atij sot i është çmontuar gjithë linja e kompromentimit politik të reformës në drejtësi dhe ministrit të Brendshëm.

Në përpjekje për të montuar një linjë konspiracioni lidhur me detyrën e Fatmir Xhafajt, si drejtues i reformës në drejtësi e më pas si ministër i Brendëshëm, Basha tentoi të kompromentojë reformën në drejtësi duke e konsideruar atë se ishte bërë për “të shpëtuar vëllain e Fatmir Xhafajt” dhe më pas montoi në mënyrë banale një “audio-përgjim” për ta çuar deri në fund teorinë e saj konspirative.

Akuza e parë që kishte të bënte me përdorimin e detyrës si drejtues i reformës në drejtësi për të shtuar një nen për ekstradimet, që mbronte historinë e vëllait të tij, u çmontua nga misionet ndërkombëtare.

Misioni ndërkombëtar EURALIUS dhe Bashkimi Europian pranuan zyrtarisht propozimin si të mbështetur prej tyre, çka tregon se sulmi në këtë pikë ishte i sforcuar për ta lidhur reformën në drejtësi, me një përpjekje për të mbrojtur kriminelët shqiptarë.

Por banaliteti i plotë i opozitës u shfaq tek audio-përgjimi.

Një laborator i specializuar në një vend perëndimor, është vënë në lëvizje nga qeveria shqiptare për të analizuar kasetën dhe i ka dorëzuar autoriteteve shqiptare provën shkencore të falsifikimit të kasetës, çka  i jep të drejtë qeverisë të padisë në Prokurori për shantazh ndaj ministrit të Brendshëm deputetët e opozitës që u përdorën si prezantues të saj, për të shkuar tek autorët.

 Për laboratorin ku është bërë analiza dhe është çertifikuar prova shkencore e fallsifikimit, dhe për mënyrën e kontaktit me të, janë angazhuar dhe kanë qenë në dijeni dhe partnerë ndërkombëtarë të agjensive kundër krimit që veprojnë legalisht në Shqipëri.

Në fakt, ndryshe nga Basha, lëmshin e këtij banaliteti filloi ta tjerrë vet Berisha që një ditë më parë, i cili duke qenë në ekstazën e manipulimit, provoi vetë me deklaratat e tij, se kasetën e kishte bërë PD, dhe se dëshmitarin nuk e tregonte “se e vrisnin”.

Tani dëshmitari ose e ka takuar, ose nuk e ka takuar Agron Xhafajn, se po qe se e ka takuar, siç e thotë kaseta, atë e njeh Agron Xhafaj, s’ka nevojë ta mbajë në ilegalitet Berisha.

Pra, në përpjekje për të ngjallur mjegull, në fakt Berisha shkoi e tha të vërtetën, se si e kanë sajuar kasetën, ndryshe nga Basha, që as kasetën nuk e merr përsipër, as Prokurorinë nuk e do të hetojë.

E vërteta është se kaseta ka copa përgjimesh të Prokurorisë dhe montime nga personazhe të përdorur në këtë “teatër në mikrofon”, çka implikon përveç opozitës, ndoshta dhe ndonjë segment të Prokurorisë që furnizon opozitën me informacione që kanë, për shkak të detyrës.

Prokuroria duhet t’i shkojë deri në fund hetimit të autorëve që e kanë sajuar atë, duke shantazhuar një institucion shtetëror dhe duke i dhënë fund kësaj histerie shantazhuesish, që mendojnë se opozita bëhet në sallat e montazhit të SHQUP dhe kompanitë e reklamave të Kunatit.

Përtej kësaj historie, Lulzim Basha duhet ta ndajë mendjen se kur tenton të ngrejë dallgë të mëdha kundër qeverisë, duhet ta bëjë atë bazuar mbi të vërtetat, pasi gënjeshtrat të lënë në baltë dhe të kthehen në të kundërt.

Aq pak e besoi vetë PD akuzën e Bashës, sa sot, ai nuk bëri dot as pesëdhjetë vetë para Ministrisë së Brendshme, nga të cilët, 30 janë kontigjente të njohura krimi, që hyjnë  e dalin nëpër qeli këtu e tridhjetë vjet.

Arsyeja është se ai po e shpërdoron opozitën dhe po e keqpërdor atë në funksion të një axhende personale të Sali Berishës dhe halleve të  tij.

48 orë pas sajimit te kësaj furtune në gotë, Lulzim Basha  e ka forcuar më shumë ministrin e Brendshëm në opinionin publik, duke e viktimizuar përmes gënjeshtrash për gjëra që nuk kanë ndodhur, dhe i ka katandisur aktorët e “Portokallisë” të opozitës, të sorrollaten nëpër dyer prokurorësh, për të sqaruar se si e montuan kasetën.

 Kështu të ndodh kur je opozitë e montuar, se kur je opozitë e vërtetë dhe bazohesh mbi të vërteta, nuk ka nevojë as për kaseta të montuara, as për kriminelë para Ministrisë së Brendshme, por thjesht për të udhëhequr një shoqëri që është realisht në opozitë me qeverinë.

 Kasetën mund ta montosh, por opozita nuk montohet dhe qeveria nuk rrëzohet me kaseta të montuara. Problemi i Lulzim Bashës është se sot ai me “teatrin në mikrofon” që shfaqi dy ditë më parë, më shumë dëshpëroi oborrin e SHQUP, se sa qeverinë.

Forum Blog Lulzim Basha Mero Baze