Aktualitet14 Maj 2019, 16:29

Tërmet Peçi, i dënuar për falsifikim dhe i akuzuar për trafik femrash, i përkëdheluri i Ramës për Tepelenën

Shkruar nga Pamfleti
Tërmet Peçi, i dënuar për falsifikim dhe i akuzuar

Pas këngës për Enver Hoxhën, propozimit për qytetarë nderi të eksponentëve të diktaturës dhe populizmave të tjera, Tërmet Peçi fsheh të kaluarën e errët të tij. Kryebashkiaku i Tepelenës është dënuar nga gjykata me vendim të formës së prerë për falsifikim dokumentesh. Ai akuzohet për trafik femrash dhe në Tepelenë flasin se pasuria e tij mbahet në këmbë nga këto femra të trafikuara që punojnë ende për të. Rama i ka “pikë të dobët” njerëzit e lidhur me krimin, ndaj e ka kandiduar për herë të tretë për këtë bashki

Tërmet Peçi është përzgjedhur nga kryeministri Edi Rama për të garuar për një mandat të tretë në krye të bashkisë së Tepelenës, në zgjedhjet lokale të 30 qershorit.

I kthyer në “ushqim” për mediat sociale të humorit për gafat e tij proverbiale, në krye të të cilave qëndron dhe “fitorja publicitare”, Tërmeti ia ka dalë që të “amortizojë” gomarllëqet e tij me gormallëqe akoma më të mëdha.

Teksa e vunë përpara kryebashkiakun e Tepelenës për abuzimin me fondet për ndërtimin e Pallatit të Sportit në këtë qytet, apo tendera të tjera, ai ia doli të shkaktojë debat në mediat shqiptare, teksa pikturoi brenda mureve të kësaj godine vetë kryeministrin Edi Rama.

Piktura e Ramës në faqet e murit të Pallatit të rikonstruktuar të Sportit në Tepelenë ishte një shembull unikal servilizimi nga ana e kryebashkiakut, pasi ai s’ka asnjë lidhje me këtë qytet, dhe për më tepër është pa traditë basketbolli.

Tërmet Peçi do të mbahet mend për gafat e tij, sa herë del në komunikim me publikun, të cilat shërbejnë më pas si objekt humori për shumë kohë, por kjo nuk e ka ndaluar kryebashkiakun e Tepelenës të “guxojë” sa herë i jepet mundësia të flasë për mediat.

Ndërkohë që kreu i bashkisë së Tepelenës ngjalli debat të fortë pas këngës për Enver Hoxhën të kënduar bashkë me Golikun e famshëm, si dhe kur i propozoi këshillit bashkiak t’i japë titullin “Qytetar nderi” një prej drejtuesve të diktaturës, Manxhar Binajt.

Pas këtyre veprimeve populiste, fshihet një e kaluar e errët për kreun e bashkisë së Tepelenës.

Tërmet Peçi ka një dënim të formës së prerë nga ana e Gjykatës së Tepelenës. Në vitin 2004, ai është shpallur fajtor nga gjykata për veprën penale të përdorimit të dokumenteve të falsifikuara, ndërsa vetë ai është shprehur se nuk ka pasur dijeni për këtë dënim.

Por pavarësisht se kryebashkiaku i mohon, në vendimin e gjykatës shkruhet e bardha mbi të zezë se Peçi ka pranuar fajësinë dhe është penduar për shkeljen e bërë.

Më konkretisht, në vitin 1999 Tërmet Peçi me koshiencë të plotë ka zhdoganuar, përmes një miku të tij dhe për llogari të shtetasit Edmon Mjeda, një makinë të vjedhur në Itali, ndërsa dënimi i është dhënë në korrik të vitit 2004. Pra, Tërmetin duhej ta kapte dekriminalizimi, por mbijetoi.

Adriatik Llalla asokohe kërkoi me insistim dorëzimin e mandatit të kryetarit të bashkisë, por Tërmeti dorëzoi një fletë shtesë në formularin e dërguar më parë në KQZ dhe duke e “lyer pak rrotën” e këtij institucioni, ai vijoi të ishte kryetar bashkie.

Ndaj kryetarit të bashkisë së Tepelenës ka akuza se është marrë me trafik femrash, pavarësisht se në Shqipëri ende nuk ka një padi penale zyrtare për të.

Madje në Tepelenë flasin dhe për faktin se femrat e trafikuara vijojnë të punojnë për të, të mbikëqyrur nga miqtë e tij tutorë, duke garantuar dhe mbështetjen financiare për fushatat fituese të Tërmet Peçit në Tepelenë, por dhe për të bërë një jetë luksoze bashkë me familjen.

Të gjithë ata që e njohin Tërmetin në Tepelenë dhe më gjerë janë të habitur me faktin se si ai është kthyer në të “përkëdhelurin” e kryeministrit Rama, i cili nuk ia ka ndarë asnjëherë mbështetjen. Ndërsa tashmë e rikandidon për të tretën herë në krye të bashkisë së Tepelenës.

Rama i ka “pikë të dobët” njerëzit e lidhur me krimin, ata që janë dënuar apo bëjnë si të fortë, pasi nuk ka si të shpjegohet ndryshe fakti se ai e mbushi Kuvendin dhe listën e kryetarëve të bashkive në të gjithë vendin me njerëz të tillë. Tërmeti është njëri prej tyre./PAMFLETI

(Në vijim do të lexoni përzierjen në trafikun e drogës, lidhjen me Balilin e bëma të tjera)

Kryesore kandidat i ps per tepelenen Termet Peci trafik femrash