Politike 2 Mars 2019, 14:33

Tjetër ambasador i “shkul veshin” politikës shqiptare: Dialogu, rruga më e mirë për të zgjidhur krizën!

Shkruar nga Pamfleti
Tjetër ambasador i “shkul veshin” politikës shqiptare:

Tjetër ambasador i "shkul veshin" politikës shqiptare: Dialog, rruga më e mirë për të zgjidhur krizën!

Një tjetër reagim ka ardhur nga ndërkombëtarët lidhur me krizën politike në vendin tonë. Ambasadori çek, Jaroslav Ludva, ka deklaruar se palët duhet të ulen sa më shpejt në diskutime për të gjetur një zgjidhje. 

Nga Korça, ambasadori ka vlerësuar si sinjal pozitiv ftesën e kryeministrit Edi Rama drejtuar kreut të Partisë Demokratike, Lulzim Basha, për dialog, duke u shprehur se dialogu është rruga më e mirë për zgjidhjen e krizës. 

“Ftesa natyrisht është sinjal i mirë sepse duhet të diskutojmë për politikën, duhet të diskutojmë për situatën në Shqipëri dhe një takim është gjithmonë rruga më e mirë. Nuk e di nëse do të diskutojnë por unë them që një takim është gjithmonë rruga më e mirë”, ka thënë diplomati.

I pyetur për kërkesat e opozitës, për një qeveri kalimtare dhe zgjedhje të parakohshme, Ludva është shprehur: “Unë jam ambasador dhe nuk mund të flas për situata brenda vendit por kemi thënë, kemi qënë në delegacion javën e kaluar, kemi thënë që fusha e politikave është në Kuvend”.

Sa për mesazhin e delegacionit të PE-së, ambasadori ka deklaruar se nuk mund ta komentojë, për aq kohë sa nuk ka qenë pjesë e tij. “Ky delegacion ka folur në emër të parlamentit europian, por nuk kam qenë anëtar në delegacion dhe nuk mund të them gjë për mesazhin që ata përçuan”, ka theksuar ai.

Lidhur me mundësinë e hapjes së negociatave me BE-në, diplomati çek ka deklaruar se duhet të presim qershorin për ta mësuar.

“Shqipëria ka bërë progres në reformën e drejtësisë, ka disa gjëra për të punuar, shpresojmë që mund të hapen negociatat por është shumë e vështirë ta them tani. Do ta shohim në Qershor, sepse ka 28 vende në Bashkimin Europian, nuk është vetëm komisioni, çdo vend duhet të aprovojë”, ka thënë ambasadori çek.

Politike Jaroslav Ludva Kriza politike