Toka është një planet në lëvizje të vazhdueshme, edhe pse këto lëvizje i identifikojmë më së shumti kur ndodhin fatkeqësi natyrore, si për shembull tërmetet, që gjenerohen nga përplasja me njëra-tjetrën të pllakave tektonike.
Por shkencëtarët kanë dalë në konkluzionin se Toka lëkundet në mënyrë të pashmangshme çdo 26 sekonda dhe përfshin të gjithë rruzullin. Një lëvizje, të cilës ende sot nuk i dihet shkaku.
Gjeologu amerikan Jack Oliver, në vitet ’60 ka identifikuar i pari lëkundjen e Tokës në mënyrë ende të pashpjegueshme. Hipoteza e tij u forcua më tej në vitet ’80 nga një tjetër studiues, Gary Holocomb, i cili vuri re se lëkundja ishte më e fortë gjatë stuhive, por kjo dukuri nuk e shpjegonte si gjenerohej, dhe ku.
Teoritë janë të shumta, nga ndikimi i rrezeve diellore, një vullkan nënujor ose një burim i panjohur energjie, por teoria më e ndjekur sot për sot është ajo që lëkundja, harmonike dhe ekzakte, vjen nga valët e oqeanit, që përplasen me platformën kontinentale. Gjithësesi ende nuk ka një konkluzion përfundimtar të shkaqevëe të lëkundjeve të Tokës. Tërmetet vazhdojnë të jenë të paparashikueshëm, duke marrë jetë njerëzish.