Një 16-vjeçar shqiptar ka gjetur vdekjen sot në Greqi si pasojë e përfshirjes së banesës nga flakët. Sipas raportimeve, zjarrin ra rreth orës 11:00 , për arsye që janë ende të paqarta. Në shtëpi ishin tre fëmijë të moshës 16-6 vjeç, ndërsa nëna e tyre ishte në Shqipëri, kurse babai në punë.
Për fëmijët ishte duke u kujdesur tezja e tyre, e cila nuk ndodhej në shtëpi në momentin që ra zjarri. Gruaja u njoftua në telefon nga mbesa e saj, 13 vjeçe. Pas kësaj ajo shkoi në vendin e ngjarjes dhe tentoi që të nxirrte fëmijët jashtë. Dy prej tyre arriti që t’i shpëtonte, por nuk pati të njëjtin fat 16-vjeçari, i cili kishte dhe probleme me lëvizjen.
Kur zjarrfikësit u futën në banesë që të shuanin flakët, gjetën trupin e pajetë të të miturit në një nga dhomat. Shkaqet e zjarrit që shkaktoi tragjedi në familjen e 16-vjeçarit shqiptar pritet të zbardhen nga hetimi paraprak i kryer nga Departamenti Hetimor i Shërbimit Zjarrfikës. Ndërkohë edhe tezja e fëmijëve ka marrë plagë të ndryshme në trup prej flakëve të zjarrit.