Aktualitet20 Prill 2019, 11:11

Trendet e veshjeve në bizneset shqiptare

Shkruar nga Pamfleti
Trendet e veshjeve në bizneset shqiptare

Trendet e veshjeve në bizneset shqiptare

Tashmë nuk është më sekret. Ajo që ju vishni mund të informojë të tjerët për punën që ju bëni, për ambiciet tuaja, statusin dhe shpenzimet. Po ashtu, çfarë punonjësit tuaj veshin, flet për biznesin që ju jeni. Si një kopertinë që flet për brendësinë e një libri. Cilët janë zakonet dhe trendet e veshjeve në biznese të ndryshme në Shqipëri?

Shkruan Deada Hyka

Ndoshta nuk është e drejtë të gjykojmë një libër nga kopertina, por të gjithë e bëjnë. Meqenëse ne nuk veshim kostume serioze për një fundjavë apo të shfaqemi në zyrë me veshje palestre, kjo është vetëm një provë tjetër se veshja ndryshon me kohën, vendin dhe situatën.

Çdo rast dhe vend ka rregulla të stilit, ashtu si vendi i punës ka kostumin e kravatën për një firmë biznesi ose taka 18 cm për një shtëpi mode. Modelet ndryshojnë në varësi të kompanive.

Në Shqipëri, hasim një mjedis të larmishëm sa i përket etikës së veshjes, nga kompani në të cilat etika e veshjes së punës është strikte deri te kompani që nuk kanë një kod veshje. Ka edhe modele të ndërmjetme, të cilat lejojnë lirinë e mëtejshme për punonjësit që të eksperimentojnë.

Thonë shpesh që veshja i ngjan paketimit të një prodhimi. Aspekti ynë i jashtëm shfaqet përballë të tjerëve, lë përshtypje dhe formon mendimin e parë. Për të krijuar një imazh profesional dhe social, duhet të përdorni ngjyrat e duhura, duke zgjedhur veshjen e përshtatshme për të arritur suksesin e plotë.

Në botë, për këtë fushë ka studime dhe kurse, të cilat japin këshilla deri në detaje. Prej disa vitesh kanë lindur edhe profesionet e para, ai i këshilluesit të modës për personazhe të caktuar, publikë ose privatë, që të jenë pranë tyre për çdo imazh që duan të tregojnë. Këta profesionistë janë më të pranishëm në fushën e televizionit dhe show-biz. Po në kompani të ndryshme çfarë ndodh?

Arsyeja kryesore pse veshja e duhur formale është e rëndësishme për çdo profesionist të biznesit është për shkak se ajo paraqet një imazh vizual dhe dërgon një mesazh se punonjësit janë profesionistë. Një tjetër arsye pse veshja formale është e rëndësishme në botën e biznesit është sepse nuk e dini kur do t’ju duhet të takoheni me dikë nga jashtë kompanisë suaj. Imazhi juaj për këtë të huaj do të jetë imazhi që do të krijojë për kompaninë tuaj.

Në marrëdhëniet e biznesit, si imazhi dhe mesazhi duhet të jenë profesionalë. Në realitet, ky imazh mundet në mënyrë të tërthortë të bëjë dallimin në sigurimin e një marrëveshjeje të re, kontrate ose shitje dhe humbjen e mundësisë për të bërë atë marrëveshje. Por, duhet theksuar se rëndësia e një kodi veshje formale ndryshon disi nga industria.

Ardi Asllani, stilist i njohur prej vitesh, mbështet teorinë që në çdo lloj fushe apo sektori, duhet pasur veshja e duhur.

“Mënyra se si visheni është një aspekt i thjeshtë i prezantimit tuaj për të ndryshuar suksesin në karrierë dhe avancimi duhet të jetë më i rëndësishëm se nevoja juaj për të shprehur personalitetin tuaj, të çuditshëm në punë. Veshja e biznesit është e rëndësishme, sepse dërgon mesazhe për ju, në mënyrë të drejtë apo të padrejtë, te klientët, shefat, drejtuesit e kompanisë dhe bashkëpunëtorët. Njerëzit ju gjykojnë nga pamja.

Punonjësit që duan të përshtaten mirë në vendin e punës, veshin veshje standarde dhe shpesh, të diktuar nga një kod me veshje me shkrim. Por, nuk keni nevojë për një kod veshje zyrtare për të kuptuar se çfarë përbën veshje të përshtatshme biznesi në vendin tuaj të punës. Tërhiqni vëmendjen për cilësitë dhe vlerën që ju ofroni në punë, jo nga ndjeshmëria ose modaliteti i veshjes suaj të biznesit. Ju doni të njiheni për performancën tuaj, jo për modën tuaj të lartë.

“Nëse jeni punonjës i ri, kur merrni ofertën e punës, pyesni se çfarë duhet të vishni në punë. Niseni një punë të re duke u veshur pak më mirë se sa besoni se është norma në vendin e punës për të bërë një përshtypje të parë të mirë. Përshtypjet e para janë të rëndësishme. Bëni që ajo të jetë e paharrueshme”, – thotë z. Asllani.

Raporte të ndryshme në botë për suksesin në vendin e punës tregojnë se punonjësit duhet të vishen për punën që ata duan të kenë, jo punën që ata kanë. Vini re se, edhe në një mjedis biznesi ku veshja është e rastësishme, drejtuesit zakonisht vishen pak më formalisht, me veshje të rastësishme biznesi. Ata e kuptojnë, se përshtypja e përgjithshme që ju bëni te kolegët dhe drejtuesit tuaj ndikon në mënyrën se si ju jeni vlerësuar vendin i punës – mirë ose keq.

Bankat, më formalet

Prej vitesh në sektorin bankar jemi mësuar të shohim një djalë apo vajzë, të veshur me uniformën e bankës ku punon, të cilët na japin shërbimin e kërkuar, me një imazh të kuruar. Punonjësit e bankave janë ndër më striktët sa u përket veshjeve, duke përçuar seriozitetin e bankës, ashtu sikurse edhe nga fakti që ‘front desk’ është shumë i rëndësishëm në dhënien e imazhit.

Në rastin konkret, punonjësit e Union Bank njihen nga dy ngjyrat në veshjet e tyre, që përkojnë me ngjyrat e vetë bankës dhe logos.

“Veshja e pranueshme në ambientet e Union Bank konsiderohet veshja tradicionale dhe klasike e zyrtarëve në institucione kombëtare dhe ndërkombëtare. Punonjësit në degë/agjenci (përveç Drejtor Rajonal / Drejtor Dege /Menaxher Komercial) dhe në pozicione të veçanta në Drejtorinë e Përgjithshme, do të veshin uniforma të dizenjuara dhe siguruara nga banka, sipas një grafiku të përcaktuar: Për femrat: çdo ditë – këmisha të bardha dhe shaje portokalli; Për meshkujt: Të hënë, të mërkurë, të premte – këmishë të bardhë dhe kravatë portokalli, të martë, të enjte – këmishë portokalli dhe kravatë gri”.

Të gjitha këto rregulla, të shkruara e zeza në të bardhë, janë pjesë e imazhit që Banka përcjell te klientët, në mënyrë që të japë shërbimin më profesional. Ajo që nuk lejohet në Union Bank, ashtu sikurse në asnjë bankë në vend, janë veshjet sportive, t-shirt, atlete, e të ngjashme.

Por, këto rregulla janë të përcaktuara për punonjësit e ‘front desk’, ndërsa veshja e personelit ndihmës përcaktohet nga eprori, në përputhje me përshkrimin e punës së pozicionit përkatës.

Pasqyrë e kompanisë

Në fund të fundit, punonjësi, në varësi të pozicionit, përfaqëson organizatën për të cilën punon, në mënyrën më të mirë. Nëse shfaqet shumë çuditshëm dhe merr një ‘kthesë të shtrembër’, siç priren ta quajnë stilistët, nuk është gjë e mirë për kompaninë. Çelësi qëndron në një bilanc mes veshjes së rafinuar dhe asaj të përshtatshme.

Me kalimin e kohës, kompanitë dhe korporatat kanë kuptuar se sa ndikon liria e veshjes në kreativitetin dhe produktivitetin e punonjësve. Por, për më tepër, rëndësia e një stili personal në punë ka ndryshuar tendencat në vendin e punës.

Suela Shtylla, drejtore menaxhuese e McCann Tirana, pohon për “Monitor” se në kompaninë e tyre ka vetëm një kod “be creative”.

“Duke u nisur nga fakti që jemi një agjenci kreative, kuptohet lehtë që secili prej nesh dallon me stilin e tij edhe në veshje. Të vetmet raste ku ekziston një kod, janë ditët kur stafi e përcakton një të tillë. Shpeshherë kemi organizuar ditë me tematika të ndryshme, në të cilat të gjithë duhet t’i përshtatemi një stili të përcaktuar. Për shembull, kemi organizuar një ditë me pizhame, me kostume sportive, kthim pas në vite dhe epoka të ndryshme etj.

Imagjinoni një zyrë, ku kolegët lëvizin me lirshmërinë që të lejojnë rrobat e gjumit. Me atë veshje kemi mirëpritur klientë, kemi vizituar të tjerë, kemi organizuar takimet tona të përditshme, etj. Nga vetë natyra e punës që bëjmë, edhe njerëzit me të cilët takoheshim u kemi dhuruar një frymë pozitive për ditën”, – thotë Suela.

Ajo sjell në kujtesë, në kohën kur ‘Mad Men’ po çmendte të gjithë të pasionuarit pas advertising, stafi i saj u shndërrua në personazhet e tyre të preferuar dhe ndërvepronim sipas roleve. “Një ditë tjetër, të rrëmbyer nga qëndismat shumëngjyrëshe dhe larmia që ofron tradita jonë kombëtare, nxorëm nga sëndukët kostumet popullore. Festa e Halloween është një nga të preferuarat e zyrës.

Përveçse e përqafojmë frymën e festës herët në tetor me dekorimet dhe organizimet që na nevojiten, i kushtojmë rëndësi edhe veshjeve tona. Ndër vite kemi sjellë personazhe të ndryshëm, deri te personazhet e huazuara nga kinematografia, por edhe nga përditshmëria jonë”, shton ajo. Të gjitha këto nisma, sipas znj. Shtylla ndihmojnë në krijimin e një fryme pozitive në agjenci, gjë e cila është më se e domosdoshme në përballimin me sukses të dinamikës së punës.

Çfarë tregojnë detajet?

Studime të ndryshme tregojnë se ju mund të tregoni shumë për personalitetin, politikën, statusin, moshën dhe të ardhurat e dikujt nga shikimi i një foto të këpucëve të tyre. A e keni vënë re ndonjëherë kur disa politikanë u drejtohen klasave të punës, flasin pa xhaketë, pa kravatë dhe me mëngë të përveshura? Ky element, në heshtje i komunikon audiencës se janë të njëjtë.

Para disa kohësh, u bë virale një kod i veshjes me 44 faqe i botuar nga banka zvicerane UBS. Rregullat e shkruara shpjegonin çdo gjë nga ndjeshmëria (Nëse vishni një orë, shfaqni besueshmërinë dhe saktësia është një shqetësim i madh për ju) si dhe elementeve të tjerë (punonjësit u udhëzuan se si duhen dhe aplikojnë parfum dhe u tha të mos hanë hudhër gjatë javës). Nga njëra anë, u ‘akuzuan’ si kontrollues, por banka UBS kishte të drejtë: çdo detaj në lidhje me paraqitjen tuaj komunikon diçka.

Në sektorin bankar, vihet re që veshja e punonjësve të front desk është gjithnjë me ngjyrat e bankës të cilën përfaqëson. A nuk do të ishte e çuditshme të shihnim një punonjës të Union Bank me të kuqe apo një punonjës të BKT me portokalli?! Ja pse detajet kanë rëndësi në përçimin e imazhit të kompanisë.

Administrata

Etika e veshjeve në administratën shtetërore ndryshon nga një institucion në tjetrin. Në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve, paraqitja e punonjësve duhet të jetë serioze, për të respektuar autoritetin institucional, në marrëdhënie me kolegët dhe tatimpaguesit.

Tatimet, një ndër institucionet publike më serioze, nuk kanë të përcaktuar një veshje strikte si bankat, por si pjesë të kodit të tyre të veshjeve theksojnë rëndësinë e paraqitjes me seriozitet, ‘maksimal nga punonjësit’, pasi sipas tyre, ndikon në krijimin e imazhit të institucionit që përfaqëson, te tatimpaguesi dhe publiku.

Sipas burimeve, punonjësit e shërbimit në sportele duhet të kenë si pjesë të veshjes këmishat dhe pjesa tjetër veshje brenda normës së formales. Ndërsa punonjësit në pozicione të tjera kanë kodin e formales nga e hëna në të enjte dhe vetëm ditën e premte mund t’i lejojnë vetes veshje më sportive, ndër të cilat edhe xhinset janë të lejuara.

E njëjta panoramë duket edhe për punonjësit e Kuvendit të Shqipërisë, i cili ka të mirëpërcaktuar kodin e veshjes për deputetët, të pranishëm në komisionet parlamentare. Ndërsa veshjet formale njihen nga të gjithë, ajo çfarë nuk lejohet janë atletet, si për meshkujt, edhe për femrat; si dhe parfumi i tepruar.

Deputeteve nuk u lejohen dekoltetë, takat më të larta se sa 7 cm, nëse duhet të përdorin bizhuteri, ato duhet të jenë fine dhe elegante; të shmangin tualetin e tepruar (të përdorin ngjyra të lehta) dhe parfumin e tepruar; të shmangin aksesorët e mëdhenj dhe me ngjyrë të fortë; të shmangin lyerjen e thonjve, prerjen e flokëve dhe përdorimin e ngjyrave, në mënyrë ekstravagante.

Deputetët duhet të shmangin aksesorët dhe stampat e dukshme, duhet të jenë gjithmonë të rruar ose në çdo rast me mjekër dhe flokë të kuruar e të rregullt. Xhinset ose pantallonat e shkurtra nuk janë të duhurat dhe janë të papranueshme. Këpucët duhet të jenë zyrtare dhe të përshtatshme. Gjithashtu rekomandohet të vendosin një kravatë, e cila duhet të jetë e lidhur mirë. Këto udhëzime duhet të zbatohen gjatë seancave të komisioneve, seancës plenare, pjesëmarrjes në mbledhje të organeve të Kuvendit ose takimeve të organizuara, duhet të jetë e përshtatur me funksionin, të përshtatet me mjedisin e veprimtarive parlamentare, si dhe të përcjellë normat dhe parimet etike të atij që e mban.

Televizionet

Prej vitesh në televizion, jemi mësuar të shohim modelin e folëses së lajmeve serioze, me xhaketë, me pak ose aspak bizhuteri, natyrale në grim dhe të krehur serioze. Pa ngjyra të forta, pa forma abstrakte. Por, me kalimin e viteve imazhi ka ndryshuar. Fabiola Hoxha, folëse e lajmeve prej pesë vitesh në televizionin ABC, përcjell një pamje krejt tjetër, nga ai që jemi mësuar.

“Në televizionin ku punoj, ka një frymë franceze për të qenë më të lirë në zgjedhjet e pamjes sonë. Jemi të lirë në zgjedhjen tonë. Unë kam dalë në ekran edhe me një bluzë pa mëngë në dimër, ka folëse jo vetëm në ABC, që u lejojnë vetes edhe një dekolte. Tani koha ka ndryshuar”, – thotë Fabiola, e cila duke kujtuar ditën e parë në televizion, shton se iu këshillua nga drejtuesit që të shfaqet jo domosdoshmërisht me xhaketë.

“Kur bëra provat e folëses 5 vite më parë, vesha një xhaketë të bardhë dhe kreha flokët që të dukesha sa më serioze, si modeli që jemi mësuar të shohim te folëset e lajmeve. Por, m’u këshillua nga drejtuesit që të jap imazhin tim të vërtetë: një vajzë e vogël, e re, nuk duhet domosdoshmërisht të rrisja moshën time me dhjetë ose më shumë vite me veshjen e një xhakete serioze. Qëndrova siç jam dhe këtë model, të qenët të lirë, kemi ndjekur të gjithë në televizion”- thotë Fabiola. Sipas saj, fokusi i spikerëve të lajmeve duhet jetë përmbajtja.

“Nuk të bën serioze xhaketa, por profesionalizmi, përgatitja që ti ke. Mund të veshësh këmishë e xhaketë dhe nuk di të flasësh apo të përcjellësh siç duhet informacionin te shikuesit”- shton ajo. Megjithatë, sipas saj, ka disa ‘vija të kuqe’ që televizioni si medium nuk i lejon, për shkak të krijimit të një imazhi jo të mirë dhe këto janë kryesisht: jo buzë të kuqe, jo bizhuteri të rënda, jo vija apo kuadrate duke qenë se nuk ngjajnë estetike.

Tendenca e veshjeve në zyrë

Ngjyrat më të preferuara për veshjet e zyrës këtë stinë por jo vetëm, janë ngjyrat pastel, që të mos tërheqin shumë vëmendjen, por mbreti i ngjyrave dhe i formales mbetet e zeza, si dhe këmisha e bardhë

Psikologët: Veshja juaj ndikon në statusin socio-ekonomik

Një veshje shpesh është e rëndësishme për besimin dhe ndjenjën e vetëfuqizimit. Por, stili i një personi tregon shumë më tepër se sa kaq. Një studim në SHBA flet për faktin se veshja profesionale, u jep njerëzve një perspektivë më të gjerë: vetë statusin e tyre.

“Formaliteti i veshjeve mund të ndikojë jo vetëm në mënyrën se si njerëzit e perceptojnë një person dhe se si njerëzit e perceptojnë veten, por mund të ndikojnë në marrjen e vendimeve në mënyra të rëndësishme, nëpërmjet ndikimit të saj, duke u ofruar statusin e personit në fjalë”, thotë studimi.

Ekspertët e fushës psikologjike pohojnë se veshja profesionale krijon distancë sociale. Sipas prof. Arjana Muçaj, uniforma është një nga elementet për t’i bërë punonjësit të kuptojnë se cilit institucioni i përkasin dhe se si e përfaqësojnë atë.
“Veshja nën petkun e uniformës në korporata bën dhe dallimin sipas kategorive që punonjësit përfaqësohen në kompani. Nga pikëpamja psikologjike, uniforma na përgatit emocionalisht për mënyrën tonë të sjelljes.

Identifikimi i vetes me kompaninë sidomos kur në treg artikujt e saj vlerësohen, na bën që të ndiheni më mirë dhe të rrisim produktivitetin, edhe pse në pjesën më të madhe të rasteve, në kompanitë tona nuk i kushtojnë vëmendje e madhe uniformës. Shumë kompani të huaja e kanë si normë veshjen e uniformës. Edhe sektori bankar që është më i dallueshmi tek ne.”- thotë prof. Muçaj.

Ekspertja shtron pyetjen: A ka kjo një kosto për punonjësin? “Kryesisht jo. Sepse është kompania që kujdeset për të. Kjo ka të bëjë me prezantimin që kompania i bën punës së saj. Nga pikëpamja sociale individi mësohet se veshja është tregues i përgjegjësisë dhe duhet ta përfaqësojë sa më mirë atë.

Në aspektin ekonomik mund të ndikojë me anë të identifikimit që i bëhet kompanisë nëpërmjet ngjyrave apo uniformës. Kjo pasi ngjyra dhe veshja në përgjithësi shërben si stimul për syrin e konsumatorit, duke e bërë të njohur për publikun. Gjithashtu, uniforma u jep mundësinë të gjithë punonjësve të ndihen të barabartë në ambientin e punës.”- përfundon prof. Arjana.

ABC-ja botërore e veshjeve formale

a.Veshja formale e biznesit përbëhet nga:

Gratë: kostume të gjera, me fund poshtë gjurit ose pantallona me këmishë, këpucë serioze, si dhe pajisje të përshtatshme biznesi duke përfshirë një çantë, një dosje lëkure për dokumentet dhe një stilolaps. Gratë inkurajohen të mbajnë bizhuteri dhe parfum delikat.

Burrat: kostum formal, kravatë, këmishë, këpucë lëkure, pajisje të përshtatshme si çanta, portofola dhe axhendë. Lejohen të mbajnë pajisje si orë dhe kolonjë delikate.

b. Veshje e rastësishme e biznesit, vetëm një hap poshtë nga veshja tradicionale formale, përbëhet nga:
Burrat: xhaketë sportive me kravatë, pantallona, këmishë edhe pa kravatë, këpucë dhe aksesorë.
Gratë: xhaketë ose triko, fustan, pantallona, bluzë, këmishë, këpucë dhe aksesorë.

c. Veshje joformale të biznesit përbëhen nga:

Burrat: pantallona dhe xhinse, këmisha, bluza, xhaketa, T-shirt, këpucë ose atlete.
Gratë: pantallona treçerekëshe ose të gjata, funde të shkurtër, xhinse, bluza, këmishë, T-shirt, xhaketa, këpucë duke përfshirë sandale apo edhe atlete./Forbes, përshtati në shqip, Baota.al

Forum bizneset shqiptare Deada Hyka trendet e veshjeve