Trumpizmi nuk është si Nazizmi, por disa ngjashmëri i ka

Trumpizmi nuk është si Nazizmi, por disa ngjashmëri i ka

Por ngjashmëri të tilla, nuk duhet të lënë në hije një dallim të rëndësishëm midis rënies demokratike midis dy luftërave, dhe situatës sonë aktuale. Lëvizjet fashiste të asaj kohe, qenë qartësisht antidemokratike, dhe ato që erdhën në pushtet në Itali dhe Gjermani, u mburrën se regjimet e tyre ishin totalitare.

Shkruan Christopher R. Browning

Si një historian i specializuar mbi Holokaustin, Gjermaninë Naziste dhe Evropën në epokën e luftërave botërore, jam pyetur vazhdimisht mbi shkallën e ngjashmërisë midis gjendjes aktuale në Shtetet e Bashkuara dhe asaj midis midis dy luftërave, dhe ngritjes së fashizmit në Evropë.

Unë vërej disa ngjashmëri shqetësuese, dhe një ndryshim të rëndësishëm, por po aq shqetësues.

Në vitet 1920, SHBA ndoqi strategjinë e izolacionizmit në politikën e jashtme, dhe refuzoi pjesëmarrjen në organizatat ndërkombëtare, si Lidhja e Kombeve.

Në rendin e ditës ishte “Amerika e Para”, përveç marrëveshjeve financiare për financimin e luftës së aleatëve. Vendi përjetoi një rritje në pabarazinë e të ardhurave, dhe një përqendrim të pasurisë tek elita, ndërsa qeveria zbatoi një politikë shumë kufizuese ndaj emigracionit, që synonte ruajtjen e hegjemonisë së protestantëve të bardhë anglo-saksone, përkundrejt një fluksi emigrantësh katolikë dhe hebrenj.

Këto politika, e lanë vendin të paaftë për t’iu përgjigjur në mënyrën e duhur Depresionit të Madh apo ngritjes së fashizmit. Sot presidenti Donald Trump, duket se synon tërheqjen e SHBA nga e gjithë struktura e Luftës së Dytë Botërore, pas lidhjes së marrëveshjeve diplomatike, ushtarake dhe ekonomike dhe organizatave që kanë ruajtur paqen, stabilitetin dhe begatinë që nga viti 1945.

Preferenca e tij për marrëdhëniet dypalëshe, të konceptuara si rivalitete të shumës zero, i mbivendoset preferencës ideologjike të Stiv Benon dhe të ashtuquajturës të djathtës alternative për vetëvendosjen e shteteve autonome, me pak fjalë të sistemit ndërkombëtar të para vitit 1914.

Kjo “anarki ndërkombëtare” prodhoi Luftën e Parë Botërore, Revolucionin Bolshevik, Depresionin e Madh, diktaturën fashiste, Luftën e Dytë Botërore dhe Holokaustin, pikërisht katastrofat që sistemi ndërkombëtar i pas Luftës së Dytë Botërore, ia doli të shmangë për 7 dekada .

Nën kërcënimin e luftërave tregtare me aleatët dhe kundërshtarët, Trump po justifikon rritjen e tarifave tregtare për aleatët tanë, me pretekstin specifik se vendet si Kanadaja janë një kërcënim për sigurinë tonë kombëtare. Ai kombinon paragjykimin e vazhdueshëm të aleatëve tanë demokratikë, me admirimin e hapur të autoritarëve.

Besimi i tij naiv dhe narcisist tek fuqia e diplomacisë personale, dhe besimi i tij tek një shtrëngim duarsh me të ngjashmit e tij, Vladimir Putin dhe Kim Jong-un, më kujtojnë fatkeqin Nevil Çamberlien (një njeri në çdo aspekt tjetër ndryshe nga Trump).  
Fatmirësisht, SHBA-ja është shumë e përfshirë në rendin ndërkombëtar që krijoi pas vitit 1945, dhe Partia Republikane dhe mbështetësit e saj të biznesit, janë mjaft të alarmuar për kërcënimin ndaj tregtisë së lirë, sa që Trump nuk ka përfunduar ende axhendën e tij të tërheqjes.

Një aspekt i dytë i periudhës së dy luftërave, me shumë ngjashmëri me situatën tonë aktuale, është rënia e Republikës së Vajmarit. Presidenti gjerman Paul von Hindenburg, e pajisi Kushtetutën e Vajmarit me kompetenca të ndryshme emergjente për të mbrojtur demokracinë gjermane, nëse ajo do të ndodhej para një rreziku të madh.

Por në vend se ta mbronte atë, Hindenburgu u bë varrmihësi i saj, duke i përdorur këto kompetenca së pari për të shkatërruar normat demokratike, dhe pastaj për të lidhur aleancë me nazistët, për të zëvendësuar qeverinë parlamentare me sundimin autoritar.

Por ngjashmëri të tilla, nuk duhet të lënë në hije një dallim të rëndësishëm midis rënies demokratike midis dy luftërave, dhe situatës sonë aktuale. Lëvizjet fashiste të asaj kohe, qenë qartësisht antidemokratike, dhe ato që erdhën në pushtet në Itali dhe Gjermani, u mburrën se regjimet e tyre ishin totalitare.

Ndërsa sot përkufizimi më i përshtatshëm i këtij autoritarizmi të ri, është termi okult “demokraci jo-liberale”. Rexhep Taip Erdogan në Turqi, Putin në Rusi, Rodrigo Duterte në Filipine dhe Viktor Orban në Hungari, kanë zbuluar se partitë e opozitës mund të lihen të ekzistojnë dhe zgjedhjet mund të mbahen formalisht, për të siguruar një “gjethe fiku” me legjitimitet demokratik, ndërsa në të vërtetë zgjedhjet paraqesin një sfidë të vogël ndaj pushtetit të tyre.

Kontrolli i plotë i shtypit dhe mediave të tjera është gjithashtu i panevojshëm, pasi një përmbytje e lajmeve të menaxhuara dhe të rreme, ndikon aq shumë në rrjedhën e informacionit, sa që faktet dhe të vërtetat bëhen të parëndësishme si formësuese të opinionit publik.

Kapitalizmi i miqve, i hap rrugën një simbioze të korrupsionit dhe vetë-pasurimit midis udhëheqësve politikë dhe biznesit. Nacionalizmi ksenofobik, si dhe prioritizimi i “rendit dhe ligjit” mbi të drejtat individuale, janë gjithashtu vendimtare për këto regjime, në mobilizimin e mbështetjes popullore të bazave të tyre dhe stigmatizimit të armiqve të tyre.

Trump ka treguar një admirim të hapur për këta udhëheqës autoritarë, dhe një prirje të madhe për parimet kryesore të demokracisë joliberale. Krahas erozionit të sistemit gjyqësor të pavarur, shenja të tjera të demokracisë jo-liberale në SHBA, janë neutralizimi i një shtypi të lirë dhe zvogëlimi i vazhdueshëm i të drejtave themelore të njeriut.

Me emërimin e tij si kancelar, Hitleri ngriti menjëherë një Ministri të re të Iluminizmit dhe Propagandës Popullore nën drejtimin e Jozef Gëbelsit, i cili mbeti deri në fund një nga këshilltarët e tij më të afërt politikë. Në presidencën e Trump, këto funksione janë privatizuar në mënyrë efektive në formën e “Fox News” dhe Shon Heniti.

Fox trumbeton me besnikëri “faktet alternative” të versionit Trump të ngjarjeve, dhe nga ana e tij, Trump gjen shpesh frymëzim për postimet e tij në Twitter, dhe deklaratat e tij plot fantazi, nga monitorimi i tij i përditshëm i komentatorëve të Fox.

Rezultati është krijimi i një “flluske Trump” për bazën e tij elektorale, që është e panjohur për shikuesit e PBS, CNN dhe MSNBC dhe lexuesit e The Washington Post dhe The NeW York Times. Asgjë nga këto distanca kaq të tmerrshme nuk është në agjendën jo-liberale, por kufizimi i shumë prej të drejtave dhe mbrojtjeve që gëzojnë aktualisht amerikanët, është i mundur.  

Pa marrë parasysh se si dhe kur mbaron presidenca Trump, spektri i anti-liberalizmit do të vazhdojë të sfidojë politikën amerikane.

Ndarja racore, konflikti kulturor dhe polarizimi politik që ka inkurajuar dhe intensifikuar Trump, do të jetë e vështirë për t’u shëruar. Pabarazia në rritje e të ardhurave do të jetë jashtëzakonisht e vështirë për t’u ndalur. Përfundimisht, brenda disa dekadash pas përfundimit të presidencës së Trump, efektet negative të katastrofës ekologjike për shkak të ndryshimeve klimatike të shkaktuara nga njeriu – të cilat Trump jo i vetëm mohon, por po bën kaq shumë për ta përshpejtuar – do të jenë të pashmangshme. Trump nuk është Hitleri dhe Trumpizmi nuk është nazizmi, por pavarësisht se si do të përfundojë presidenca Trump, kjo është një histori që nuk ka gjasa të ketë një fund të lumtur./New York Review of Books, përshtati në shqip, Bota.al

Loading...

more recommended stories

error: Ndalohet ribotimi i artikullit! E drejta e autorit pamfleti.net.
WhatsApp Denonco tek Pamfleti