Kosova 8 Dhjetor 2022, 10:47

· Prishtine

Shkruar nga Pamfleti
· Prishtine

Trupi i shqiptarit nga Peja, me nënshtetësi norvegjeze, Artan Zymberaj, i cili vdiq para disa ditësh në një burg të Beogradit, do të dërgohet më Norvegji për autopsi.

Siç ka bërë të ditur xhaxhai i të ndjerit, Nexhat Zymberi, trupi i pajetë i Artanit tashmë është dërguar në Norvegji.

“Trupi i pajetë i është dorëzuar shtetit të Norvegjisë dhe tani jemi në pritje të autopsisë”, ka thënë ai.

Lajmin për vdekjen e Artan Zymberajt e kanë përhapur familjarët e tij, duke aluduar se shkas për vrasjen e tij mund të kenë qenë tatuazhi i Adem Jasharit që e kishte në gjoks së bashku me emblemën e UÇK-së dhe Skënderbeun.

Të mërkurën, nga Ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës, kanë bërë të ditur për Pamfletin se nga kanë asnjë informacion nga Zyra Ndërlidhëse në Serbi.

Edhe Ministria e Jashtme e Norvegjisë ka konfirmuar për Pamfletin se një person me nënshtetësi norvegjeze ka vdekur në një burg në Serbi, por pa dhënë detaje për origjinën e tij.

“Ministria e Punëve të Jashtme e Norvegjisë është në dijeni për vdekjen e një shtetasi norvegjez në Serbi. Shërbimi i Jashtëm norvegjez i ka njoftuar të afërmit dhe ka ofruar ndihmë konsullore. Autoritetet lokale janë përgjegjëse për kushtet e burgjeve në Serbi, duke përfshirë shëndetin dhe sigurinë e të burgosurve. Çdo pyetje në lidhje me një hetim të mundshëm të rrethanave të vdekjes duhet t’u drejtohet autoriteteve serbe”, thuhet në përgjigjen e tyre.

Prishtine #vdekje e dyshimte Artan Zymberaj Norvegji Serbi

Kosova