Shqipëria është shndërruar në një kazan të madh mbeturinash jo vetëm fizike, por mbi të gjitha në një kazan plehrash morale, pasi institucionet janë mbushur me militante kokëtrashë, me formim mediokër e në shumicën e herës pa formim profesional, ku ligjin e bëjnë “ustallarët” e partive, hajdutët dhe gangsterët që janë komanduar drejtorë dhe vjedhin pasuritë e shqiptarëve dhe arkën e shtetit/.
Shihni sportin si është katandisur!
Në drejtoritë e tij në cdo institucion militojnë të paaftët, hajdutët dhe ushtarët besnikë të kryetarëve. Paaftësia është e tillë që shkakton dhimbje deri në palcë, militantizmi të bën të urresh vendin tënd, ndërsa persekucioni i njerëzve të aftë e të ndershëm ka arritur kulmin dhe është bërë “institucion” në Shqipëri.
Është fakt i pathënë deri më sot se shumë pak vetë nga sportistët e mëdhenj shqiptarë militojnë në ndonjë institucion qeveritar apo në federatat e ndryshme sportive. Nuk i duan sepse janë të ndershëm dhe arritjet i kanë me djersë.
Shtangistë të mëdhenj, mundës të shkëlqyer, atletë brilantë, ciklistë fantastikë, basketbollistë/e klasi, volejbollistë/e magjepsës, futbollistë me nivel europian etj, të gjithë rrinë në hije, shumica papunë e të varfër. As si këshilltar nuk i marrin. Nuk e duan rekordmenin, legjendën dhe klasin.
A e di Ilir Meta dhe Edi Rama, por edhe kreu i opozitës Lulzim Basha, në duar të kujt ka rënë sporti? Sigurisht që e dinë, ata po e zhbëjnë sportin shqiptar, po e shkatërrojnë nga themelet sepse kanë vënë në krye të punëve njerëz të paaftë, hajdutë dhe rrugacë. Legjendat, rekordmenët dhe njerëzit e ndershëm nuk i duan, u krijojnë sëkëlldi. Përkundrazi, duan hajdutin, militantin, të paaftin dhe rrugacin.
C’bëhet kështu në sportin shqiptar? Kush ia ka vënë shqelmin në këtë formë? A ka sy në ballë Edi Rama, i cili ka qenë dhe vetë sportist? A e di detyrën e saj ministrja Lindita Nikolla? Ku janë politikbërësit sportivë?
Të ndershmit enden rrugëve, rekordmenët e kanë emrin vetëm në librat e statistikave dhe historisë, kurse paratë e buxhetit, të mirat materiale dhe vlerësimet i marrin mediokrit, hajdutët dhe njerëzit e hurit e të litarit.
Deri kur do të vazhdojë kjo filozofi e shpifur, ky makth dhe kjo tragjedi e sportit shqiptar?
/Pamfleti Sport