Aktualitet23 Maj 2018, 13:46

Turqia në alarm: Shqipëria baza kryesore e trafikut të kanabisit që shkakton skizofreni

Shkruar nga Pamfleti
Turqia në alarm: Shqipëria baza kryesore e trafikut të kanabisit

Turqia në alarm: Shqipëria baza kryesore e trafikut të kanabisit që shkakton skizofreni

Turqia po lufton në një front të ri kundër drogës. Skunk, (Qelbësi) një lloj i ri kanabisi, i modifikuar gjenetikisht po përhapet me shpejtësi, shkruan Daily Sabah. I njohur për aromën e fortë (nga e cila ka marrë edhe emrin), kjo drogë e re ka zëvëndësuar “Bonzai”-n, një drogë sintetike, deri dje shumë popullore mes të rinjve.

Vitet e fundit përdorimi i sintetikes Bonzai ka rënë me 80%, dhe është zvëndësuar me shpejtësi nga përdoruesit, që thonë se “Skunk” është një drogë organike dhe si e tillë, më pak e dëmshme.

Ekspertët thonë se është e vërtetë që ky lloj i ri kanabisi që është futur në Turqi, pra “Skunk” nuk shkakton të njëjtën gjendje të rëndë fiziologjike si sintetikja Bonzai, por mbetet një drogë e fortë që mund të provokojë skizofreni apo forma të tjera të sëmundjeve mendore.

Për herë të parë ky lloj i ri kanabisi u kap në operacionet e antidrogës disa vite më parë. Vetëm në Stamboll, në 17 muajt e fundit, policia sekuestroi 3.9 ton.

Së fundmi, për këtë lloj droge u fol pas arrestimit të një bosi droge nga Shqipëria, që u ndalua bashkë me dy skafet luksoze që përdoreshin për trafik. Met Kanani, ose Met Shqiptari u kap bashkë me anëtarët e tjerë të bandës në mars, gjatë një përpjekjeje për të kaluar 1.1 ton kanabis e llojit “Skunk” nga Mugla për në Stamboll. Kjo nuk ishte rruga e tij e parë, thonë autoritetet.

Shqipëria është një nga bazat kryesore të trafikantëve të kanabisit të llojit “Skunk” që vjen nga Shqipëria.

Ky lloj kanabisi është shumë më i dëmshëm sesa kanabisi standart, thonë ekspertët. Skunk kultivohet në laborator dhe është 20 apo 30 herë më i fuqishëm se kanabisi standart.

Fara zhvillohet në ambjente të mbyllura me anë të ndriçimit special dhe përmes ambjenteve ku temperatura mbahet e kontrolluar. Kjo farë e re mendohet se u modifikua për herë të parë në Shtetet e Bashkuara para se të sillej në Hollandë, kryeqytetin europian të drogave.

Profesori i asociuar, Onur Noyan, psikiatër i specializuar në varësinë nga droga, thotë se Skunk dhe droga të tjera të ngjashme me të, po fillojnë të konsiderohen më të sigurta se drogat e tjera nga të rinjtë.

“Nuk ka dallim nëse janë organike apo sintetike, siç thonë. Në fund të fundit është e dëmshme për shëndetin tënd. Skunk është një drogë. Rrit mundësinë që përdoruesi të vuajë nga skicofrenia: lehtëson zhvillimin e sëmundjes tek një person. Pas pesë apo gjashtë muajsh varësi, përdoruesi shfaq shenja skicofrenie dhe ka nevojë për trajtim të dyanshëm, si për varësinë nga droga, ashtu edhe për shëndetin mendor” thotë ai.

Si një vend tranzit në trafikun e drogës nga Azia për në Europë, Turqia po kërkon të luftojë përdorimin e drogave dhe që nga viti 2014 qeveria ka nisur “Planin e veprimit kundër drogave”.

Plani i veprimit shtrihet në të gjitha aspektet e luftës kundër narkotikëve, me të cilat abuzohet nga 2.7% e popullsisë. Plani parashikon edhe sensibilizimin për efektet e dëmshme të drogës dhe ngritjen e qendrave të rehabilitimit për përdoruesit.

 

Aktualitet