Bota 2 Mars 2019, 09:38

Twitteri i Erdoganit sulmon opozitën

Shkruar nga Pamfleti
Twitteri i Erdoganit sulmon opozitën

Twitteri i Erdoganit sulmon opozitën

Me një mesazh në Twitter presidenti turk Erdogan përçan shoqërinë para zgjedhjeve komunale.

Ishte e martë në mbrëmje kur presidenti i shtetit, Recep Tayyip Erdogan filloi shpalosjen e një diskutimi të ri në mediat sociale me dërgimin e një mesazhi në twitter. Në të ai i quan ata që përkrahin “aleancën popullore” të tij, të përbërë nga ultranacionalistët MHP dhe konservatorët islamikë AKP, si njerëz besnik që duan atdheun. Kurse ata që ndjekin “Aleancën e kombit” që është në opozitë, ai i sheh si “përkrahës të një organizate terroriste”. A është ky mesazh i llogaritur apo është bërë që të tërheqë pas vetes zgjedhësit e AKP?

Nuk është hera e parë që Erdogani, flet në këtë mënyrë, edhe para kamerave që xhirojnë. Hera e parë është që ai i vendos të dy kampet përballë njëri tjetrit duke i krahasuar në këtë mënyrë. Ky mesazh arrin një dimension të ri në propagandën zgjedhore.

Të mirët dhe të këqinjtë

Më 31 mars zhvillohen në Turqi zgjedhjet komunale. Në mesazhin e tij në twitter Erdogani shkruan se “dy liga ndodhen përballë njëra tjetrës”. Aleanca e tij ai e ka treguar gjatë përpjekjes për puç më 15 korrik 2016 në rrugë dhe në sheshe, se kush e do atdheun dhe e mbron atë. Aleanca opozitare është një produkt i marrëveshjeve të fshehta dhe i pakteve politike. Për ta Turqia nuk ka rëndësi.

Për presidentin e shtetit kjo është një Aleancë e arritur, “nën urdhërat e kombit turk”. Aleanca opozitare është arritur nën zgjedhën e partisë terroriste kurde, PKK, dhe përgjegjësve të puçit, pikërisht Lëvizjes Gülen. Erdogan vazhdon edhe më tej duke thënë se aleanca e tij mbron të drejtën dhe të tjerët ai i fajëson për gënjeshtra, mohime, fyerje.

Por kjo nuk është e gjitha: Liga e Erdoganit kërkon që të jetë vetëm në shërbim të popullit. Kurse ajo opozitare mendon vetëm si të jetë dora e zgjatur e organizatës terroriste nëpër këshillat e komunave dhe aparatin burokratik.

Gjithnjë e më shumë Erdogan mundohet të flasë për konceptin e Aleancës. Kështu ai injoron faktin se në zgjedhjet lokale në fletët e votimit nuk flitet për aleanca. Megjithatë partitë mund të përkrahin reciprokisht kandidatët e tyre, përshembull AKP dhe MHP. Në anën opozitare kjo ndodh me sekularistët SHP, partinë nacionaliste IYI dhe partinë konservatore Saadet. Partia prokurde HDP, e cila për Erdoganin është e njëjta me PKK, ka nxjerrë kandidatët e vet në të gjitha provincat. Mesazhi i Erdoganit në twitter duket se e arriti qëllimin. Idhtarët e AKP mundohen që të diskretitojnë opozitën dhe të mendojnë se HDP dhe CHP kanë krijuar një lidhje të fshehtë.

Nuk ka garanci për mosndëshkimin e zgjedhësve të opozitës!”

Në marrjen e postit Erdogan premton që do të qëndrojë mbi interesat partiake dhe do të përfaqësojë të gjithë njerëzit në vend. Por kjo narrativë e re, është sipas të dhënave të ekspertëve e përshtatshme për të polarizuar fort shoqërinë. Reaksionet në twitter e konfirmojnë këtë. Eksperti i internetit dhe shkencëtari Kerem Altıparmak shtron pyetjen nëse “ekziston garanci që njerëzit nuk do të dënohen nga ligji, nëse ia japin votën një aleance poshtëruese, duke u përpjekur në këtë mënyrë të rrëzojnë qeverinë?”

Kryetari i Partisë IYI, Meral Akşener shkruan në twitter se fyerja e gjysmës së popullsisë së vendit nuk mund të tolerohet. Në traditën e shtetit turk një gjë e tillë është e papranueshme. Deputeti i CHP, Aykut Erdoğdu dëshmon se presidenti i shtetit kur morri postin u betua para Kushtetutës turke se do të qëndrojë përmbi interesat partiake dhe se do t’ i shërbejë të gjithë njerëzve në Turqi.

Betimi i presidentit të shtetit për të qenë i paanshëm

Ish kryetari i AKP, Osman Can mendon ndryshe. “Kur Erdogan betohet para kushtetutës, ai është dhe mbetet President i Turqisë, por në radhë të parë sipas linjës së AKP”, thotë ai. Sipas pikëpamjes së Can-it, Erdogani është një person që vendos për politikën në partinë e tij dhe kështu që ka të drejtë dhe të jetë i njëanshëm.

Por Can kritikon që lidhja që Erdogan bën në ato që thotë midis opozitës dhe një organizate terroriste nuk është në përputhje me kushtetutën. Ai shpjegon se një politikan që ka pushtet të drejtojë, të administrojë duhet të përdorë një gjuhë të kujdesshme: “Një tonalitet i kujdesshëm, rrit shanset për barazi dhe hap një perspektivë për garë të ndershme.”/DW

Bota opozita presidneti i Turqisë Recep Tayyip Erdoğan