Kryepeshkopi Anastas Janullatos e ka fitur betejën me korona.virusin. Janullatos do të dalë sot nga spitali ‘Evangelismos’, pasi qendroi i shtruar për 12 ditë me radhë, si pasojë e infektimit me Covid 19.
Sipas buletinit mjekësor të lëshuar sot, Kryepeshkopi do të qëndrojë në shtëpi në vetë-karantinë duke ndjekur të gjitha udhëzimet e dhëna.
Janullatos iu nënshtrua testeve përkatëse në një qendër mjekësore në Tiranë të cilat treguan se ai ishte infektuar me COVID-19. Megjithëse simptomat ishin të lehta, mjekët në Tiranë e konsideruan të nevojshme që Kryepeshkopi të shtrohej në një spital të specializuar në Greqi, duke pasur parasysh moshën e tij dhe disa probleme shëndetësore kronike.
Kryepeshkopi u shtrua në Spitalin Evangelismos për të marrë trajtimin e duhur dhe pas pëlqimit të Kryeministrit grek Kyriakos Mitsotakis, Kryepeshkopi u transferua nga Tirana në Athinë me një avion C-130.
Pavarësisht moshës së madhe dhe problemeve me zemrën, Hirësia e tij e kishte përballuar me qetësi dhe forcë të jashtëzakonshme shpirtërore sëmundjen. Kryepeshkopi do të qëndrojë edhe për disa ditë në Athinë, ku do të vazhdojë të ndjekë të gjithë udhëzimimet e mjekëve, dhe më pas do të kthehet në Shqipëri.