“Unë jam thjeshtë shofer. Nuk kam dijeni për eurot e gjetura në kamion. Jam nisur për të punuar dhe jo për t’u marrë me punë të pista. Shpresoj që hetimet të nxjerrin fajtorët e vërtetë në këtë ngjarje,”- është deklarata që 29-vjeçari Ferdinant Murikaj ka bërë në polici.
I riu u arrestua dy ditë më parë në Portin e Durrësit teksa ishte duke drejtuar një kamion, brenda të cilit u gjetën 282 mijë e 265 euro. Në total policia ka sekuestruar 294 mijë e 30 euro dhe paratë ishin ndarë në dy kamionë.
282 mijë e 265 euro u gjetën në kamionin e drejtuar prej Murikajt, ndërsa pjesa tjetër në kamionin e drejtuar nga Aldo Lika, i cili u procedua penalisht.
Deri më tani policia dyshon se shuma e konsiderueshme e parave kishte si destinacion qytetin e Lushnjës. Ndërkohë, raportohet se policia ka shpallur në kërkim shtetasin Erjon Jovani, pronari i firmës së kamionëve që bënte rrugë Itali-Shqipëri-Itali, një person me precedentë të mëparshëm penal. Jovani u vu në pranga para katër viteve, pasi tentoi të trafikonte 190 kg kanabis drejt Italisë, sërish me kamionët e firmës së tij.