U pezulluan nga detyra, çifti Gashi- Gina ‘përplasen’ me Arta Markun në KPA

Çifti i prokurorëve Dritan Gina dhe Rovena Gashi kanë ankimuar në Kolegjin e Posaçëm të Apelimitvendimin e Arta Markut që i pezulloi ata nga detyra për shkak të refuzimit të deklarimit të pasurisë.

KPA ka marrë në shqyrtim ankimimin dhe ka vendosur shqyrtimin e çështjes. Trupa e KPA do të përbëhet nga gjyqtarët Luan Daçi dhe Rezarta Schuetz, ndërsa relatore e çështjes është caktuar Ina Rama, ish-kryeprokurore e Republikës. KPA ende nuk ka caktuar një datë se kur çifti i prokurorëve do përballen në një tjetër hallkë të drejtësisë me kryeprokuroren Arta Marku.

Kryeprokurorja Arta Marku vendosi në 14 maj pezullimin nga detyra të prokurores Rovena Gashi dhe të bashkëshortit të saj Dritan Gina. Çifti i prokurorëve u pezulluan pasi sipas Prokurorisë ata janë marrë të pandehur për refuzimin të deklarimit të pasurisë.

Njoftimi i KPA:
Në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, më datë 17.05.2018, është paraqitur ankimi me palë ankuese znj.Rovena Gashi dhe z. Dritan Gina, me objekt: “Anulimin e vendimit nr. 140, datë 11.05.2018 të Prokurores së Përgjithshme të Përkohshme Arta Marku dhe anulimin e vendimit nr.141, datë 11.05.2018 të Prokurores së Përgjithshme të Përkohshme Arta Marku etj.”.

Në datën 24.05.2018 u hodh shorti për caktimin e relatorit dhe anëtarëve të Kolegjit të shqyrtimit paraprak:

Sipas shortit, rezultojnë të jenë anëtarë të Kolegjit të shqyrtimit paraprak:

Gjyqtar Luan Daci
Gjyqtar Rezarta Schuetz
Relator i çështjes: Ina Rama