Editorial 3 Shtator 2019, 18:17

Udhëheqësit politikë drejt çmendinës, dikush duhet të vërë dorë

Shkruar nga Pamfleti
Udhëheqësit politikë drejt çmendinës, dikush duhet

Udhëheqësit politikë drejt çmendinës, dikush duhet të vërë dorë

Ka ditë tashmë që sulmi i kompanisë kriminale Acromax Media GMbH ka nisur zyrtarisht në Shqipëri. Kompania e vendosur në Gjermani, e drejtuar nga Aldor Nini dhe Anxhela Faber (vajza e ambasadores tonë në SHBA, Floreta Faber) dhe e dirigjuar e paguar nga pushteti i Tiranës i ka shpallur luftë çdo lajmi, portali, kronike apo pamje televizive që nuk bëjnë asgjë tjetër veçse thonë të vërtetën: abuzimet me paratë e shqiptarëve, lidhjen e pushtetit me krimin, drogën dhe trafiqet ndërkombëtare, propagandën e pushtetit të drejtuar nga Edi Rama.

Nëse deri para pak kohësh Rama tallej e bënte ironi me gazetarët që i kishte kundra, tani me sa duket, prej frikës së drejtësisë, prej tmerrit që pushteti i tij i ka orët e numëruara, po bën atë që ish-benjamini i vet, Erion Veliaj, ka bërë qysh ditën kur ka ardhur në pushtet për herë të parë: po i mbyll gojën çdo zëri kundër, çdo të vërtete  e gazetari që mundohet të ruajë integritetin e vet në këtë vend ku pushteti po ndyen gjithçka prek. Zullumi është bërë aq i madh sa tanimë forca e parasë, e korruptimit dhe PPP-ve nuk po jep më rezultat.

Edi Rama ka futur artilerinë e rëndë, të fshehur nën emrin Acromax. Pasi bleu pronarët e mediave, i detyroi ata të nënshkruanin me Acromax, si kompaninë që ruan të drejtën e tyre editoriale. Në fakt, e vërteta është që Acromax ruan dhe mbyll çdo gjë që kritikon qeverinë, që nga profilet personale në rrjetet sociale e deri tek lajmet e portaleve. Çdo gjë dhe çdo kush që tenton të thotë të vërtetën, mbyllet.

Nga ana tjetër i gjendur përballë këtij realiteti, i mbytur në pislliqet dhe paaftësinë e tij politike, ndërkohë që krimet e së shkuarës po i zënë frymën dhe nuk e lënë të bëjë përpara, Lulzim Basha bën reagimin e vet. Siç mund të pritej, krejt absurd dhe idiot. Dy ditë më parë ai ka firmosur një qarkore, të cilën e ka shpërndarë ndër demokratë, ku pasi thotë sesi medias i është mbyllur zëri dhe sesi gazetarët janë blerë nga Rama, porosit të vetët “të shmangin shfokusimin nga akuzat kryesore opozitare, duke refuzuar pseudodebatet, diskutimet apo komentet publike ndaj pseudoanalizave të mercenarëve politikë dhe mediatikë të Edi Ramës”.

E thënë ndryshe Lulzim Basha ka dhënë urdhër të fshihet. Siç bën edhe vetë çdo ditë, ai porosit demokratët të rrinë në shpi dhe të flasin me vete, të mos i japin argument armikut!! Në cilin vend të botës do të ishte normale kjo që ndodh në Shqipëri. Ose me saktë në cilin vend të botës do të mund të ndodhte një absurd i tillë. Nëse Lulzim Basha do të ishte vërtet lider i një force politike dhe nëse PD do të ishte një forcë normale politike, kryetari duhet të kishte ulëritur deri në qiell, ndër ndërkombëtare e jo vetëm për ti dalë zot vendit të vet. Por ai nuk është më i mirë se Edi Rama, përkundrazi. Siç do të ndodhë edhe me të tjerët, të ngjashëm të tij, edhe ai e ndjen fundin, prandaj dhe gafat që bën i lënë vendin njëra tjetrës.

Si rrjedhojë, e gjendur mes ujqërish të tillë, media po jep shpirt. Padronët e saj po shijojnë paranë e shpejtë pa menduar për helmin që ka brenda dhe që, edhe ata vetë, po e thithin pak e nga pak. Ndërsa ato pak mediume të lira dhe me integritet, ata pak gazetarë që kanë zgjedhur drejtësinë dhe fjalën e lirë, luftojnë të gjejnë pika hapsire për të thënë të vërtetat. Ato të vërteta që shqiptarët në fakt i dinë, i shohin dhe i prekin çdo ditë.

Dikush duhet të vërë dorë përballë një çmendurie të tillë!/Pamfleti

Editorial dikush duhet të vërë dorë Udhëheqësit politikë drejt çmendinës