Showbiz21 Maj 2019, 22:05

‘Udhëtimi në shqipëri një ngjarje që ndodh njëherë në jetë’, 22-vjeçari amerikan rrëfen eksperiencën e t

Shkruar nga Pamfleti
‘Udhëtimi në shqipëri një ngjarje që ndodh

Udhëtimi në shqipëri një ngjarje që ndodh njëherë në jetë, 22-vjeçari amerikan rrëfen eksperiecën e tij në Shqipëri: Turisti vidhet kudo

Duke folur nga aeroporti i Rinasit në kryeqytetin shqiptar, turisti 22 vjeçar amerikan Markus Hejs, e quajti udhëtimin e tij nëpër Shqipëri si ngjarja që ndodh një herë në jetë. Hejs kaloi plot një muaj entuziast nëpër qytete të ndryshme, duke iu vjedhur portofoli dhe sende të tjera në çdo hap që hidhte, para se të kthehet në vendlindjen e tij, qyteza Dekatur e shtetit Ilinois.

“Ishte e pabesueshme, sa shumë gjëra mësova për vendin tuaj”, tha Hejs që nuk kishte dalë kurrë nga shteti i tij, dhe që i kanë zhvatur mbi 8000 dollarë nga njëri destinacion në tjetrin, “manastiri i Rroskovecit, Kalaja e Fushë-Krujës, stacioni i policisë në Shijak… gjithë udhëtimi e zgjeroi shumë horizontin tim”.

I riu që sapo mbaroi universitetin e Çikagos, kishte shumë për të thënë. “A e dinit për shembull, se Sauku ka një muze të bukur historik? Po që është ide shumë e keqe të lëvizësh me para kesh afër muzeut në orët e vona?”, tha ai.

Hejsit i mbeti në mendje vizita në amfiteatrin e Ndroqit, ku dy të panjohur i zhvatën 200 dollarë nga xhepi sa hap e mbyll sytë. “Në qytetin tim, rrija tërë kohës me të njëjtët njerëz, shkoja në po atë bar. Dhe ja, e shoh veten në Bllok mes dy femrash bukuroshe në një klub shik. Në fakt, zoçkat më humbën papritur nga sytë bashkë me çantën time dhe kartat e kreditit, por nuk do t’i vizitoja dot kurrë Sarajet e Ilirit po të mos më kishin ndihmuar ato”. “Ju mbase nuk e dini, por është banesa e ish-diktatorit komunist”, shtoi ai me krenari.

Gjatë ekskursionit njëmujor, amerikani vizitoi 12 destinacione shqiptare. Përshtypje të madhe i bëri atij Lana me ujin kristal, ku i morën 300 euro nga xhepi i pasmë, Pazari i Memaliajt ku dikush i panjohur e pyeste për orën ndërsa tjetri i zbrazi xhepat, si dhe Laçi, ku e gjeti dhomën e vet në hotel të kthyer përmbys, me laptopin që mungonte.

Hejs mësoi edhe disa shprehje vendase. Tani ai mund të thotë rrjedhshëm në shqip “Të lutem më lër të qetë”, apo “Ndalo, mos ma merr portofolin se s’kam para për t’u kthyer”.

“Dy himariotë më morën portofolin dhe më kot tentova t’i sqaroj se sapo më kishin vjedhur, ata s’më kuptonin. Duhet t’i futem tamam himariotçes”, sqaroi Hejs.

Megjithatë Hejs është i bindur se përfitoi shumë nga ky udhëtim në vendin e lashtësisë, traditave dhe historisë. “Të paktën kam fotografitë e paharrueshme”, pohoi Hejs duke bërë gati bagazhet që i kishin mbetur, “mos, më kanë vjedhur aparatin!”.

Funny