Sport19 Gusht 2018, 19:56

Uli Hënes: Ozil totalisht jashtë forme, përmend racizmin për të mbuluar paaftësinë e tij

Shkruar nga Pamfleti
Uli Hënes: Ozil totalisht jashtë forme, përmend racizmin për

Uli Hënes: Ozil totalisht jashtë forme, përmend racizmin për të mbuluar paaftësinë e tij

Midis funksionarëve të federatës gjermane të futbollit dhe mesfushorit me tipare sulmuese Mesut Ozil vijojnë përplasjet në distancë, ku nuk është lënë gjë pa u thënë.

E gjitha në fakt duhet lidhur me qëndrimet e sportistit, i cili e ka cilësuar presidentin e Turqisë Rexhep Tajip Erdogan njeriun e duhur dhe presidentin e tij, gjë që nuk është pritur mirë në Gjermani, sidomos nga ai krah që jo vetëm nuk pajtohen me shkeljet e të drejtave të njeriut që bën Erdogan, por edhe për faktin se sporti duhet të rrijë larg politikës. Natyrisht, debati nisi pas eliminimit të Gjermanisë nga Botërori i Rusisë.

Kështu, presidenti i Bajernit të Mynihut, Uli Hënes, e ka akuzuar Mesut Ozilit se po e përdor racizmin për ta larguar vëmendjen nga forma e tij e dobët, pas pensionimit nga Kombëtarja e Gjermanisë. Ozili vazhdon të kritikohet në Gjermani që prej njoftimit për t’i dhënë fund karrierës me Kombëtaren gjermane pas Kupës së Botës Rusia 2018.

Para se të zhvillohej Kupa e Botës në Rusi, Ozili dhe turko-gjermani tjetër, Ilkay Gundogan, shkaktuan polemika të mëdha pasi mbajtën takim dhe u fotografuan me presidentin e Turqisë, Rexhep Tajip Erdogan, vendit nga edhe i kanë rrënjët.

Duhet thënë se kjo është hera e dytë që shefi i Bajernit e sulmon Ozilin, dhe kësaj radhe e ka goditur mesfushorin duke thënë se sikur trajneri i Gjermanisë, Joakim Lëv, të ishte më i vëmendshëm për paraqitjet e 29-vjeçarit për Arsenalin, e gjithë kjo çështje do të ishte shmangur, duke nënkuptuar se Ozil nuk është dashur të ftohej në Botëror.

“Ozil e ka sjellë me zgjuarsi çështjen e racizmit, në mënyrë që ta largojë vëmendjen nga fakti se ai ka kohë të gjatë që luan dobët futboll. Joakim Lëv duhej të shkonte në Arsenal më shpesh dhe ta shikonte atë [Ozilin]. Mbase nuk do ta kishte marrë fare me vete në Kupën e Botës për arsye sportive, dhe kështu do të na kishte kursyer nga e gjithë kjo dramë”, ka thënë Hënes për “Sky Sport”.

Ozil vijon të luajë për Arsenalin në Premier League dhe është një prej lojtarëve me më shumë asiste në dekadën e fundit, madje Andrea Pirlo e ka cilësuar si fantazistin më të mirë të viteve të fundit. Por turko-gjermani nuk shihet me sy nga “nacionalistët” gjermanë që e bëjnë përgjegjës për dështimin në Rusi. /Pamfleti Sport

 

 

 

Sport