Aktualitet18 Gusht 2019, 21:09

Valdrin Pjetri, dorëheqje me facebook. Mandati i tij do shpallet i vlefshëm, një skenar i PS për të zbuar Voltanën

Shkruar nga Pamfleti

Valdrin Pjetri, dorëheqje me facebook. Mandati i tij do shpallet i vlefshëm, një skenar i PS për të zbuar Voltanën

Duhet të bëjmë pyetjen e thjeshtë: Kujt ia dorëzoi dorëheqjen Valdrin Pjetri, i cili është shpallur zyrtarisht nga Kolegji Zgjedhor kryetar i bashkisë së Shkodrës? Ka ndonjë dorëheqje në KQZ apo në Kolegj në emër të Pjetrit për të mos bërë betimin për të qënë në krye të bashkisë, përpos pesë rreshtave shpjegues në adresën e tij në rrjetin social facebook?! Skenari i PS për të qetësuar situatën, pasi të hënën shpall të vlefshëm mandatin e Valdrinit, largon Voltana Ademin nga bashkia, zyrtarizon dorëheqjen e kreut të ri, këshilli bashkiak voton nënkryetarin që do “udhëheqë” Shkodrën deri në zgjedhjen e kreut të ri të bashkisë

Kryetari i Zgjedhur më 30 qershor i bashkisë së Shkodrës Valdrin Pjetri dha dorëheqjen nga betimi dhe marrja e mandatit të kryebashkiakut, disa ditë më parë.

Në pak rreshta të shkruara nxitimthi në rrjetin social facebook, Pjetri lajmëronte se do përballej me drejtësinë, me statusin e një qytetari të thjeshtë, duke u kujdesur të nënvizojë faktin se në rininë e hershme ishte gjendur në momentin e gabuar në vendin e gabuar, duke mos menduar se një dënim për trafik droge para 15 vitesh, do t’i kushtonte postin e kryebashkiakut.

Në pamje të parë duket një veprim prej “xhentëlmeni” dorëheqja e Pjetrit nga marrja e mandatit të kryetarit të bashkisë së Shkodrës, duke tentuar të çlirojë PS nga kosto e mëtejshme politike, por dhe duke kaluar në delir opozitën, e cila e quajti fitore të saj.

Por që të arsyetojmë me “këmbë në tokë” duhet të bëjmë pyetjen e thjeshtë: Kujt ia dorëzoi dorëheqjen Valdrin Pjetri, i cili është shpallur zyrtarisht nga Kolegji Zgjedhor kryetar i bashkisë së Shkodrës dhe i ka mbetur për të bërë vetëm betimin në Këshillin Bashkiak për të qënë zyrtar fare dhe me letra?

Ka ndonjë dorëheqje në KQZ apo në Kolegjin Zgjedhor në emër të Valdrin Pjetrit për të mos bërë betimin për të qënë në krye të bashkisë së Shkodrës, përpos pesë rreshtave shpjegues në adresën e tij në rrjetin social facebook?!

E vërteta e kulluar është se, ky është një skenar i socialistëve për të qetësuar situatën…

Këshilli bashkiak që do të konstituohet të hënën, ka një pikë numër 3 që bën fjalë për vlefshmërinë e mandatit të kryetarit të ri të bashkisë së Shkodrës, të bëjë çfarë të dojë pasi i ka të gjitha votat për këtë qëllim.

Nëse dikush ka dyshime për këtë, mjafton të lexojë shkresën e Prefektit të Shkodrës që lajmëron konstituimin e Këshillit Bashkiak të Shkodrës, ditën e hënë më 19 gusht.

Sipas kësaj shkrese, prefekti do të konstituojë Këshillin e ri Bashkiak të Shkodrës, dalë nga votimet e 30 qershorit dhe sipas rendit të ditës, këshilltarët të bëjnë betimin dhe do të marrin zyrtarisht detyrat.

Njëherësh do të quhet i vlefshëm mandati i Valdrin Pjetrit si kryetar bashkie sipas pikës tre të rendit të ditës, dhe pikërisht këtu përfundon mandati i Voltana Ademit, e cila nga data 20 gusht nuk mund të bëjë asnjë veprim me thesarin dhe firma e saj në të gjitha shkresat cilësohet “nul”.

Skenari i socialistëve për “zbimin” e Voltanës nga bashkia pritet të vijojë me paraqitjen zyrtare të dorëheqjes nga kryetari i ri i bashkisë Valdrin Pjetri.

Pas kësaj, pritet që një nga nënkryetarët të mandatohet si kryebashkiak në detyrë, duke zëvendësuar në këtë mënyrë kryebashkiakun që është larguar Voltana Ademi dhe të riun që ka dhënë dorëheqjen Valdrin Pjetri. Ky është skenari i PS që pritet të kundëreshtohet nga PD.

Ndërkohë që Shkodra do të qeveriset në mënyrë të kufizuar nga nënkryetari i ri i bashkisë, ndërsa do të jetë në pritje të shpalljes së datës së zgjedhjeve, ndoshta nga KQZ dhe jo nga Presidenti Ilir Meta, i cili e ka bërë “hasha” çdo firmë që mund të favorizojë mazhorancën./Pamfleti

codramol
smile

Kryesore dorëheqje me facebook Mandati i tij do shpallet i vlefshëm një skenar i PS për të zbuar Voltanën Valdrin Pjetri