Për dy ditë me radhë ish-kryebashkiaku është fotografuar dhe filmuar në ambientet e bashkisë Durrës. Teksa prokuroria ka objekt dhe hetimin e bashkisë që ka dhënë leje për banesat që janë shembur, nëse ka mendje për ta hetuar Dakon, s’ka pse i dërgon zarf në shtëpi, por mund ta gjejë “non stop” në ambientet e bashkisë, pasi ka filluar menjëherë nga “detyra”
Ish-kryetari i bashkisë së Durrësit Vangjush Dako, pas dorëheqjes së Valbona Sakos, për dy ditë me radhë është parë në ambientet e kësaj bashkie, duke treguar qartë se tashmë ai ka marrë “detyrën”, të cilën e la pas zgjedhjeve të 30 qershorit.
Me emërimin ditën e djeshme të Zhulien Varfajt, njeriut të tij në krye të bashkisë së Durrësit, Dako ka filluar menjëherë punën, duke u marrë me organizimin e strukturave të qytetit bregdetar, për përballimin e pasojave të tërmetit tragjik të 26 nëntorit.
Dje dhe sot Dako është filmuar dhe fotografuar në ambientet e bashkisë, duke treguar qartë se prapa dorëheqjes së Sakos qendron vetë ai, njeriu që mban përgjegjësi për këtë masakër ndërtimore në qytetin e Durrësit, të qeverisur nga ai për 12 vite me radhë.
Ndonëse ka filluar hetimi nga ana e prokurorisë për të gjithë përgjegjësit e ndërtimeve në banesat që janë shembur e që kanë shkaktuar dhjetra viktima, ende s’është përmendur emri i Vangjush Dakos, pavarësisht se një ndër objektet e hetimit është dhe struktura që ka dhënë lejen për këto ndërtime, bashkia e drejtuar nga Vangjush Dako për tre mandate rresht.
Nëse Prokuroria ka mendje për ta hetuar Dakon, nuk ka pse i dërgon asnjë zarf në shtëpi apo në zyrat e kompanisë së tij të betonit, por mund ta gjejë “non stop” në ambientet e bashkisë së Durrës, apo dhe në ish-zyrën e tij, pasi ka filluar menjëherë nga “detyra” e kryebashkiakut./Pamfleti