Zyra e kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti ka njoftuar se përfaqësues të delegacionit të Kosovës, në kuadër të Grupit Punues për Persona të Zhdukur, kanë vizituar të hënën lokacionin e varrezës masive në Kizhevak të Rashkës në Serbi, pas rifillimit të gërmimeve në këtë hapësirë.
“Gërmimet vlerësuese dhe zhvarrosjet e mbetjeve mortore të viktimave të luftës së viteve 1998-‘99 në Kosovë, gjegjësisht punimet në këtë lokacion, do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim”, është thënë në njoftimin e kryeministrisë.
Aty po ashtu është thënë se ekspertët mjekoligjorë kosovarë, do të vazhdojnë të jenë të pranishëm deri në përfundim të procesit të gërmimit.
Më 20 nëntor, Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), ka dhënë sqarime lidhur me gjetjen e mbetjeve mortore, më 16 nëntor të këtij viti në Kizhevak të Serbisë, për të cilat dyshohet se janë të shqiptarëve të Kosovës.
Përmes një komunikate për media EULEX-i pati thënë që mbetjet mortore janë zbuluar në një gurore të madhe në Serbi. Ekspertët e këtij misioni është thënë se kanë kryer gërmime në Kizhevak që prej vitit 2015 dhe në vitin 2020 derisa përparimi është arritur falë shfrytëzimit të imazheve fotografike nga ajri.
“Problemi ishte se këto janë lokacione guroresh të mëdha dhe se peizazhi ka pësuar ndryshime të vazhdueshme me kalimin e kohës për shkak se kjo gurore ka qenë në përdorim për disa vite,” ka thënë Javier Santana, arkeolog i EULEX-it.