Sport 8 Maj 2018, 12:02

Vasil Ruci lëshon “perlën” e radhës: FSHF duhet t’i jepte gjyqtarit Sino titullin “Doktor Shkencash”

Shkruar nga Pamfleti
Vasil Ruci lëshon “perlën” e radhës: FSHF duhet

Vasil Ruci lëshon “perlën” e radhës: FSHF duhet t’i jepte gjyqtarit Sino titullin “Doktor Shkencash”

Komisioni i Disiplinës i FSHF-së penalizoi Flamurtarin me dy ndeshje në fushë asnjanëse dhe me gjoba të rënda për klubin dhe penalizim për një kohë të gjatë për administratorin e klubit vlonjat Sinan Idrizi. Por “perlën” e radhës e ka lëshuar ikona e futbollit vlonjat, Vasil Ruci.

Duke folur për “Vip Sport”, Vasil Ruci, i cili aktualisht është në rolin e këshilltarit teknik në stafin e Flamurtarit, ka përdorur ironinë për të shprehur pakënaqësinë e tij ndaj një vendimi në të cilin FSHF është munduar të bëjë shembull kuqezinjtë.

“Pranojmë çdo lloj vendimi të Disiplinës, por me një ndryshim. Disiplina duhet të jepte edhe titullin Doktor Shkencash për Emirjon Sinon. Fakti që nuk ia ka dhënë, ose është i pamoralshëm Komisioni, ose është i pamoralshëm Sino”, ishin fjalët e Rucit.

Ky i fundit mund të jetë i detyruar të zbresë në pankinë në rolin e trajnerit për ndeshjen ndaj Laçit, meqenëse thuajse i gjithë stafi teknik i Flamurtarit është i pezulluar nga vendimet e Disiplinës. Duket qartë se në Vlorë kanë një raport të vështirë me arbitrat dhe kreun e federatës Armand Duka. Madje, në Vlorë janë të bindur se objektivat nuk u realizuan sepse strukturat e federatës ishin pengesë. /Pamfleti Sport

Sport