Kosova 1 Nëntor 2022, 12:29

· Prishtine

Shkruar nga Pamfleti
· Prishtine

Me hyrjen në fuqi të vendimit të Qeverisë së Kosovës për masa të shkallëzuara ndaj qytetarëve serbë me vetura pa targa të konvertuara nga ato ilegale serbe në targa legjitime RKS, figura publike serbe, e madje edhe përfaqësuesit e serbëve në Kosovë, kanë nisur me paralajmërime të ashpra, deri në kërcënime se ushtria e Serbisë është e gatshme për “luftë”.

Së fundmi kryetari i komunës së Mitrovicës së Veriut, Milan Radojeviç, ka thënë se pavarësisht se autoritetet kosovare kanë filluar të japin fletë-dokumente qortimi në vendkalimet kufitare Jarinje dhe Bërnjak, kjo nuk do të ndryshojë qëndrimin e serbëve në veri të Kosovës lidhur me konvertimin e targave.

Ai paralajmëroi se nuk do të ketë incidente deri në shqiptimin e gjobës së parë, ku faza e gjobave, sipas vendimit të Qeverisë së Kosovës, nis më 21 nëntor.

“Serbët në veri të Kosovës realisht nuk janë kërcënim për askënd, duam të jetojmë një jetë të denjë. Nuk do të ketë incidente apo probleme nga ana jonë derisa të shqiptohet gjoba e parë, e cila mund të ndodhë sipas njoftimit të Prishtinës për 21 ditë, por do të shohim se çfarë do të ndodhë në terren”, është shprehur i pari i Mitrovicës Veriore për televizionin publik serb.

Ai thotë se serbët janë të vendosur që të mos e zbatojnë vendimin e Qeverisë së Kosovës sa i përket targave.

“Pyetja është se si do të zbatohej ai vendim në terren, sa i përket shkrimit të dënimeve. Unë kam besim absolut te njerëzit në Drejtorinë Rajonale Veri dhe mendoj se do të marrin vendimin e duhur në interes të njerëzve” ka shtuar ai.

Radojeviç nuk e përjashton mundësinë e barrikadave kur të nisë shqiptimi i gjobave, duke thënë se me targat “KM” nuk mund të udhëtohet në Kosovë për shkak të ‘tekave’ të Albin Kurtit.

“Nuk mund ta imagjinoj një situatë ku Policia e Kosovës t’i shkruajë gjoba autoambulancës apo autobusit që transporton fëmijët tanë dhe ne të qëndrojmë mënjanë dhe kjo vetëm, sepse ai ka targa KM me të cilat mund të udhëtojë kudo në botë përveç Kosovës për shkak të tekave të një njeriu nga Prishtina”.

Ai thotë se beson që bashkësia ndërkombëtare do të bëjë presion më të madh në Prishtinë në mënyrë që të ulen tensionet.

“Ne nuk mund t’i bëjmë Prishtinës më shumë presion sesa kemi bërë deri më tani. Fakti është se kemi komunikim me përfaqësuesit ndërkombëtarë. Me zbatimin e këtij vendimi vetëm sa i kontribuon përkeqësimit të situatës së sigurisë”, është shprehur Radojeviç.

Prishtine Barrikada Mitrovica e veriut qeveria e Kosovës Targat ilegale

Kosova