Kosova17 Dhjetor 2022, 14:07

· Prishtine

Shkruar nga Pamfleti

Policia e Kosovës ka njoftuar për gjendjen në pikat kufitare në Jarinje dhe Bërnjak.

Ministri i Brendshëm kosovar, Xhelal Sveçla, njoftoi të shtunën se Policia ka kapacitete për largimin e barrikadave të vendosura në veri të Mitrovicës, megjithatë ato çdo ditë po shtohen.

Mbrëmjen e së premtes është vendosur edhe një barrikadë e re në një lagje që çon për në Zveçan.

Këtë e ka bërë të ditur Policia, e cila tha se barrikada është vendosur në lagjen Berxhane.

“Gjatë natës ka vazhduar vendosja edhe e një barrikade të re, në lagjen Berxhane që shpie për në Zveçan, për të vazhduar pengimin e lirisë së lëvizjes së lirë edhe në rrugët alternative, e që po vështirëson edhe më tej jetën e qytetarëve në veri të vendit”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Që nga vendosja e barrikadave në veri të vendit, situata e sigurisë vazhdon të jetë e njëjtë, dy pikat kufitare Jarinje dhe Bërnjak vazhdojnë të jenë të mbyllura për shkak të vendosjes së barrikadave nga grupe kriminale.

Policia ka bërë të ditur vazhdimisht se barrikadat po cenojnë lirinë e lëvizjes së lirë dhe hyrje-daljet në pikat kufitare për qytetarë dhe mallra.

Prishtine Barrikadat në veri Policia e Kosovës veriu i Kosovës

Kosova