Editorial13 Gusht 2019, 14:15

Vetëm në qiell ka vend për të gjithë

Shkruar nga Pamfleti
Vetëm në qiell ka vend për të gjithë

Vetëm në qiell ka vend për të gjithë

Çfarë i bëri bashkë Çollakët e Lulzim Bashës me Veliajt e Edi Ramës këtë herë?!.

Shkruan Ilir Mbroja

Marshimi me flamuj turq e shqiptarë, nga “Sheshi Nënë Tereza” e deri tek Kodrat e Liqenit, aty ku u vendos memoriali kushtuar viktimave të ngjarjes së grushtit të dështuar të shtetit në Turqi në 15 korrik të vitit 2016, shkaktoi habi tek çdokush që e pa atë skenë para ca ditëve. Pas kësaj, me të drejtë, shumëkujt nuk kishte si mos t’i lindte pyetja: Cili ishte shkaku dhe kush ishin organizatorët e këtij turpi kombëtar?!.

Fjalimi i rastit, mbajtur nga Kreshnik Çollaku i PDsë, prania e ndonjë “intelektuali të pavarur” si karakaturisti Bujar Kapexhiu aty, si edhe pjesëmarrja bashkë me ta e nënkryetarit të Bashkisë së Tiranës, z. Arbjan Mazniku, ishte habia e dytë që na la gojë hapur…

Ende sot vazhdojnë përpjekjet dhe nuk po shpjegohet dot, ç’i bëri bashkë në gatimin e kësaj çorbe, bashkiakun socialist, demokratikasit, Erdoganin e viktimat që u flijuan për autokratin turk?!.

Në një njoftim në Facebook, ambasada turke në Tiranë, bëri të ditur se “me pjesëmarrjen e vëllezërve dhe motrave shqiptare, me sukses dhe me krenari inauguruam “Rrugën e Dëshmorëve të 15 Korrikut” dhe “Parkun e Demokracisë së 15 Korrikut”.

Kjo çorbë turbullohet akoma më shumë kur, në faqen e Këshillit Bashkiak, megjithëse emërtimi i një rruge apo një parku është kompetencë e Bashkisë dhe e Këshillit Bashkiak, nuk rezulton të ketë pasur një vendim të tillë lidhur me “Rrugën e Dëshmorëve të 15 Korrikut” dhe “Parkun e Demokracisë së 15 Korrikut”…

Ç’ka ndodhur? Kryeministri dhe ministri ynë i Jashtëm nuk japin asnjë shpjegim(?!)…

Në këto rrethana, me të drejtë, hamendësimet morën udhë…
Dikush e lidhi këtë ngjarje me foton e para ca ditëve, nëpërmjet së cilës, kryeministri Edi Rama, na njoftoi se ndodhej në Turqi “në mikpritjen e Presidentit Erdogan në rezidencën e tij verore në Marmaris”… Dyshimi u përforcua e u lidh me vizitën, pak ditë më vonë në Tiranë, të ministrit të Brendshëm turk, Süleyman Soylu, i cili deklaroi në një intervistë për mediat turke se kishte diskutuar me homologun e tij shqiptar Sandër Lleshaj, si dhe me kryeministrin Edi Rama, “për luftën kundër të gjitha organizatave terroriste, përfshirë FETO-n. Ata kanë shprehur përkushtimin e tyre në këtë drejtim”, tha ministri turk, duke shtuar se ndjehej i kënaqur nga “qasja e kryeministrit dhe ministrit të Brendshëm ndaj FETO-s”…

Vetë jam i prirur të besoj analizën e ish pedagogut tim Ilir Yzeiri, i cili, duke e cilësuar si “mendjelehtësi” ngjarjen në fjalë, ngriti me të drejtë alarmin kur nënvizoi se: “Identiteti ynë është në fije të perit… Vendosja e memorialit është një shenjë që na gërvisht identitetin tonë kombëtar…”

E besueshme (e për këtë, po ashtu edhe e frikshme) është edhe analiza hipotetike e avokatit të njohur Romeo Kara që konkludon: “Europa ka kontestuar autoritarizmin e Erdoganit, USA nuk dorëzon Gylenin dhe të dyja bashkë akoma nuk janë shprehur mbi konfliktin e brendshëm turk.

Në këtë konteks, ky memorial më tepër se ishte solidarizim me politikën zyrtare turke, ishte kundërvënie ndaj Europës dhe dhënia e mesazhit se ne e kemi të hapur derën në Lindje, se ne po humbim durimin me ju, dhe se ne mund t’a bëjmë prezente Turqinë pikërisht në breg të Adriatikut.

Këtij qëllimi i sherbeu për aq sa i shërbeu edhe servili i perjetshem dhe i pandreqshem i pushteteve.”…

Megjithatë, as nga analiza e Ilir Yzeirit dhe as e avokatit Romeo Kara, nuk po mund të kuptoj një gjë: Çfarë i bëri bashkë Çollakët e Lulzim Bashës me Veliajt e Edi Ramës këtë herë?!.

*
Pas Çollakut të PD (i cili deklaroi aprovimin e kryetarit të tij Lulzim Basha në këtë ceremoni) dhe komikut “të pavarur” Bujar Kapexhiu, zyrtari i vetëm që mori guximin e u shpreh në lidhje me memorialin turk që u vendos te Kodrat e Liqenit, ishte kryebashkiaku Erion Veliaj, i cili, në ditën e Kurban Bajramit tha:

“Në atë territor ka mbi 50 pika ku janë kujtuar raste të ndryshme dhe secili ka mundësi të respektohet. Kështu që unë do të thosha t’i lëmë të vdekurit të qetë dhe kush do që do t’i respektojë me një qiri, me një lule apo me një lutje, t’i lëmë gjithashtu të qetë. Tirana, zemra e madhe, ka vend për të gjithë. Kështu që për të gjithë ata që vapa e gushtit i kapi në ngut për fletërrufe, s’ka ndodhur asnjë hata, le më tradhti apo ndonjë shkelje e kësaj natyre. Kështu që pushime të mbara të gjithëve dhe gëzuar festën!”…

*

Po tani? Po i lë mënjanë karagjozët e PDsë, po Erionit ç’ti thuash? Vetëm mendjelehtë, mund të quhet ai që nuk na i kursen ironitë e talljet as në ditën e Kurban Bajramit? Ç’emër mund t’i vendosësh atij që analizat e atdhetarëve të përgjegjëshëm i quan “fletërrufe” dhe, që, sipas tij, i kanë peshqesh nga “vapa e gushtit”?!

Erioni, more, Erioni… Erion Veliaj na mëson si të ndezim qirinj dhe si t’i lemë të qetë e mos i bezdisim turqit e bërë kurban për Erdoganin… “Tirana ka vend për të gjithë.” – thotë Erioni… Dmth, për ata që nuk i nxë Stambolli “i vogël”, ka vend sa të duash Tirana e Erion Veliajt… E atij, kryetarit të Bashkisë, që nuk është kujtuar të verë një pllakë me emrat e dëshmorëve që ranë më 17 Nëntor 1944 për çlirimin e asaj Tirane që drejton sot… Nuk gjen një vend për të respektuar dëshmorët e Luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare, ai, që me votat e së majtës, erdhi dhe mbahet në pushtet vetëm për qëndrimin zyrtar të asaj force politike ndaj asaj lufte… Dhe kush, Erioni, apo Lali Eri?! Ç’t’i thuash Lali Erit që akoma nuk e ka kuptuar se vetëm në qiell ka vend për të gjithë?..
Pushime të mbara Erion! Pusho pak! Duket se vapa e gushtit të paska lodhur shumë…

Editorial