Vijojnë ‘rrjedhjet’ e deputetëve nga forca e tretë politike më e madhe, LSI
Një tjetër ish-deputete është larguar nga LSI dhe i është bashkuar PS-së. Ka qenë ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi, i cili dha lajmin për largimin e ish-deputetes së LSI Ediola Braha, e cila tashmë ka vendosur t’i bashkohet PS-së. Në mesazhin e tij në “Facebook”, ministri Çuçi thekson se “Angazhimi me LSI-në dhe vota për këtë parti është një mundësi e çuar dëm”.
“Pamfleti” ka paralajmëruar përmes disa shkrimeve radhazi, se largimet e deputetëve të LSI, kanë ardhur si rezultat i një pakti mes Lulzim Bashës dhe Edi Ramës për asgjesimin e Lëvizjes Socialiste për Integrim. Asnjë parti politike në Shqipëri nuk do të pranojë të bëjë koalicion me Ilir Metën dhe Monika Kryemadhin në zgjedhjet 25 prillit 2021.
Ky vendim është produkt i një pakti mes Edi Ramës dhe Lulzim Bashës që në maj të 2017, për të hequr qafet LSI-në si një parti që ngjitet herë pas PD dhe herë pas PS, gjoja në emër të stabilitetit.
Postimi i plotë i ministirit Bledi Çuçi
Skuadrës fantastike të Partisë Socialiste në Tepelenë iu bashkua edhe deputetja e LSI-së, Ediola Braha. S’ka më asnjë dyshim se partia që kryetari i opozitës e ka quajtur “SHPK-ja e tregtarit të Venedikut”, po shkon drejt shkërmoqjes totale dhe më 25 prill do të marrë goditjen finale. Angazhimi me LSI-në dhe vota për këtë parti është një mundësi e çuar dëm. Kaq gjë shqiptarët e kanë të qartë dhe do ta dëshmojnë me votë. Partia Socialiste është e vetmja e mirë që ka sot politika shqiptare. Në këto zgjedhje nuk diskutohet thjesht mandati jonë i tretë, por jemi në një betejë mes të ardhmes dhe të shkuarës. Ata janë e shkuara e rrëmujës dhe e rrënimit që nuk meritojnë më besim. #BashkëMePartinëSocialiste 🌹🤝#PërShqipërinëQëDuam🇦🇱”, shkruan Çuçi.



