Ministrat e Jashtëm të BE janë mbledhur dje në Luksemburg për të përgatitur draftin me konkluzionet kryesore në axhendë për samitin e 17-18 Tetorit, ku do të vuloset edhe fati i Shqipërisë dhe Maqedonisë nëse do të hapen apo jo negociatat. Mbledhja e djeshme nuk ka pasur asnjë rezultat. Hahn tha se kundër janë 3 vende dhe po punohet me to.
Ish-kryeministri grek George Papandreou sot në një deklaratë për shtyp ka shprehur pakënaqësi për “veton” e Francës dhe Holandës në Këshillin e Punëve të Jashtme, për çeljen e negociatave me Shqipërinë e Maqedonisë së Veriut.
“Udhëheqësit e BE-së duhet të dërgojnë një mesazh të fortë që respekton angazhimet tona në Ballkanin Perëndimor, veçanërisht në një kohë kur vlerat tona evropiane dhe themelet demokratike, të vendosura pas Luftës së Dytë Botërore, janë duke u vënë në dyshim. Fillimi i bisedimeve të pranimit me Maqedoninë Veriore dhe Shqipërinë është rezultat i faktit se Ballkani Perëndimor i përket familjes tonë, historisë dhe ardhmërisë sonë të përbashkët”, ka theksuar Papandreu.