Kronike21 Tetor 2018, 10:00

Vrasja në ish Bllok, arrestohet pronari i lokalit

Shkruar nga Pamfleti
Vrasja në ish Bllok, arrestohet pronari i lokalit

Policia e Shtetit ka vënë në pranga mbrëmjen e djeshme Redi Popeskun, pronarin e barit në ish Bllok, ku ndodhi edhe përplasja e rëndë me armë, në të cilën mbetën të vrarë Fabiol Gaxha,  si dhe u plagos Ervis Martinaj bashkë me shtetasin Eljon Hate.

Sipas policisë biznesmeni Redi Popesku u arrestua për veprën penale “Veprime që pengojnë zbulimin e të vërtetës”. Popesku ishte i pranishëm gjatë përplasjes me armë në ambientet e lokalit në pronësi të tij dhe u shoqërua në polici për t’u marrë në pyetje dhe për të dhënë versionin e tij të ngjarjes. Megjithatë mbrëmjen e djeshme ai kë përfunduar në pranga, pasi këtë herë akuzohet për prishje të provave dhe dëshmi të rreme, me qëllim fshehjen e ngjarjes.

‘Mollë sherri’ për ngjarjen dyshohet se ishte këngëtarja Elvana Gjata. Kjo e fundit është shpallur në kërkim nga policia. Në kërkim janë edhe i dashuri i saj, Ervin Mata, dhe dy miqtë e tij, Fabio Alushi dhe Komandoja Mevjol Bilo.

Njoftimi i policisë:

Arrestohet një tjetër shtetas në lidhje me ngjarjen e ndodhur në një lokal në mbrëmjen e 04.10.2018 ku mbeti i vrarë me armë zjarri shtetasi F. G., dhe u plagosën shtetasit E. H., dhe E. M.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Rënda ndaj Jetës dhe Pronës arrestuan për veprën penale “Veprime që pengojnë zbulimin e të vërtetës”, shtetasin :

– Redi Popescu, 40 vjeç, banues në Tiranë.

Materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë në ngarkim të shtetasit të lartpërmendur për veprën penale “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”, parashikuar nga neni 301 i Kodit Penal.

Kronike Vrasja në ish Bllok