Kosova22 Dhjetor 2022, 11:33

· Prishtine

Shkruar nga Pamfleti
· Prishtine

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, u është adresuar së fundmi serbëve në Kosovë, para protestës masive të tyre të paralajmëruar në barrikadën në vendbanimin Rudarë të Mitrovicës së Veriut.

Vuçiç u ka thënë atyre se i mbështet në kërkesat që kanë dhe shtoi se nuk do të fshehet nga më të fuqishmit e botës.

“Serbët nuk kërkojnë shumë, ata kërkojnë vetëm atë që u takon të gjithë njerëzve të qytetëruar në Evropë. Atë që të gjithë kanë të drejtë, vetëm serbëve u mohohet. Të jesh i lirë, të kesh të drejtën të lëvizësh, të shkosh shkollave dhe spitaleve, për të mbrojtur jetën e tyre dhe perspektivën e fëmijëve të tyre, kërkojnë lirimin e atyre që u arrestuan pa arsye, kërkojnë tërheqjen e atyre që erdhën me armë të gjata për të pushtuar ilegalisht veriun e Kosovës”, tha ai.

“Dhe për t’u kthyer në institucione kërkojnë formimin e Bashkësisë së Komunave Serbe. Për të gjitha, unë si kryetar i Serbisë gjithmonë do t’i mbështes, gjithmonë do t’i mbështes dhe nuk do të fshihem nga të mëdhenjtë dhe të fuqishmit në botë”, theksoi tutje Vuçiç.

Ai më tej bëri thirrje që protestuesit të qëndrojnë të qetë.

“Sepse paqja është në interesin më të madh të serbëve dhe të Serbisë dhe popullit tonë në Kosovë dhe Metohi. Rroftë Populli serb në Kosovë, rroftë Serbia”, ka përfunduar ai.

I ashtuquajturi shtabi i krizës në veri të vendit, i formuar nga serbët lokalë, ka ftuar protestën që do të mbahet sot në Rudar të komunës së Zveçanit.

Organizimi i kësaj proteste thuhet se ka të bëjë me deklaratat e fundit rreth barrikadave nga ana e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, të cilat i konsiderojnë si kërcënim, si dhe të ambasadorit të Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde.

Sipas tyre, Kurti ka bërë thirrje për vrasjen e serbëve në barrikada dhe zhdukjen e tyre, ndërsa ambasadori gjerman me deklaratat e tij po e mbështetë drejtpërdrejt dhe hapur kryeministrin Kurti.

Prishtine Aleksandar Vuçiq Barrikadat në veri të Kosovës Protesta në veri

Kosova