Anti-Mafia20 Gusht 2019, 10:53

Ylli Manjani ish-ministri i parë që rrezikon të bie në prangat e SPAK-ut, fshehu banesën në pallatin e Balilit

Shkruar nga Pamfleti
Ylli Manjani ish-ministri i parë që rrezikon të bie në

Ylli Manjani ish-ministri i parë që rrezikon të bie në prangat e SPAK-ut, fshehu banesën në pallatin e Balilit

Ish-ministri i Drejtësisë që është rreshtuar në llogoren e Metës kundër reformës në drejtësi nuk deklaroi një apartament të blerë në Sarandë në pallatin e Balilajve, prokuroria dhe ILDKPKI heshtin, ish-ministri jep leksione se si duhet të jetë drejtësia  

Ish-ministri i Drejtësisë Ylli Manani, i rreshtuar në llogoren e Ilir Metës dhe Sali Berishës kundër SHBA-BE dhe reformës në drejtësi, rrezikon të shndërrohet në ish-ministrin e parë që mund të merret i pandehur nga Prokuroria e Posaçme. Ylli Manjani, i cili jep leksione çdo javë se si duhet të jetë drejtësia e re, sulmon ambasadorët dhe reformën në drejtësi, duhet të ishte marrë i pandehur që nga viti 2016, por meqenëse prokuroria është ende në duart e mafies politike të Tiranës, ish-ministri i ka shpëtuar ndëshkimit.

Në shkurt të 2017, në media u publikua një kontratë sipas të cilës Ylli Manjani blinte një sipërfaqe ndërtimi prej 51 m2 në Sarandë. Manjani i ka blerë pronë firmës“D.A.E.D”, e cila kishte lidhur një kontratë me vëllain e Klement Balilit, i quajtur ndryshe edhe si Eskobari i Ballkanit si dhe i arrestuar pas presionit të fortë të amerikanëve.

Deri këtu nuk ka ndonjë shkelje, përveç një kostoje morale, por shkelja penale qëndron diku tjetër. Ylli Manjani rezulton se nuk e ka deklaruar këtë pasuri në deklaratën vjetore që ka dorëzuar pranë Inspektoratit të Lartë dhe Deklarimit të Pasurive për vitin kur ka lidhur kontratën. Manjani ka deklaruar vetë se kontratën e blerjes e ka bërë në vitin 2015, por mohon që kjo pronë, të jetë e Balilëve, por thotë se kjo është e një personi tjetër.

“Kontratën formale të shitjes e kemi bërë në vitin 2015 sepse atëherë u mor leja e shfrytëzimit”, ka pohuar Manjani. Por, në deklaratën e pasurisë së Manjanit për vitin 2015, nuk rezulton një apartament i tillë. Kjo e vesh ish-ministrin me përgjegjësi penale, pasi kontrata duhet të deklarohet në vitin që firmoset dhe merr vlerë juridike. ILDKPKI, duke qenë nën kontrollin e Metës, nuk e ka referuar rastin në prokurori.

Ka dyshime të forta se, Klement Balili, për të vijuar aktivitetin e tij kriminal në fushën e narkotikëve pa u trazuar nga drejtësia, ka joshur dhe blerë një pjesë të pushtetarëve të lartë, duke u dhuruar prona dhe favorizime të tjera. Për këtë Balili duket se ka përdorur manovra të ndryshme, duke mos dalë vetë asnjëherë në skemë. Për të kuptuar ndikimin që kishte Balili tek kupola politike e Tiranës, mjaftojnë të shikojmë se si vetë Ilir Meta, Koço Kokëdhima dhe Arben Ahmetaj, shkuan dhe inauguruan kompleksin e Balilit në Sarandë, produkt i parave të trafikut të drogës sipas prokurorisë. Madje, Ilir Meta mbajti edhe një fjalim të gjatë në derën e hotelit të Balilit. Ky i fundit, me sa duket i informuar se po gjurmohej nga DEA amerikane dhe që do t’i vinte goditja, nuk u shfaq në inaugurim, por nxori njerëzit e tij./Pamfleti

Anti-Mafia fshehu banesën në pallatin e Balilit Ylli Manjani ish-ministri i parë që rrezikon të bie në prangat e SPAK-ut