”Ylli” politik në ngjitje në Partinë Demokratike ka humbur. Ku është sot sekretari i marrëdhënieve me jashtë në PD?

''Ylli” politik në ngjitje në Partinë Demokratike ka humbur. Ku është sot sekretari i marrëdhënieve me jashtë në PD?

Gerti Bogdani u pa si një “yll” politik në ngjitje në Partinë Demokratike, teksa e filloi karrierën politike pikërisht nga “baza”, pushteti vendor.



Pasi nuk arriti të gjente hapësira në Partinë Socialiste që ishte hapur katërkanatësh nga Fatos Nano në fillim të vitit 2005 në atë takim me studentët që kishin përfunduar studimet jashtë në përbërje të rrjetit “Studentët për Shqipërinë”, Gerti Bogdani duroi dhe u atashua në PD.

Fillimisht garoi në zgjedhjet vendore të vitit 2007 në njësinë bashkiake nr.10 në Tiranë, ku pas një gare dramatike me kryetaren socialiste të njësisë Mira Veizi, fitoi me pak vota.

As Bogdani dhe as Veizi që dolën me numër të barabartë votash në raundin e parë, nuk preferuan ti nënshtroheshin shortit të “googlave” për të përcaktuar fituesin, por bënë një raund të dytë ku fati i buzëqeshi të riut Bogdani.

Që atëherë karriera e Gerti Bogdanit pati vetëm ngjitje, për t’u bërë kreu i FRPD dhe më pas deputet i Partisë Demokratike për dy legjislatura radhazi.

Njëherësh “trashëgoi” dhe postin e lënë bosh nga Besnik Mustafaj, atë të Marrëdhënieve me Jashtë në PD, post që institucionalisht e mban dhe sot e kësaj dite.

Por në mënyrë ta pakuptueshme sekretari i Marrëdhënieve me Jashtë në PD, dhe deputeti më aktiv i kësaj partie në Kuvend lihet jashtë listës preferenciale në Tiranë në zgjedhjet e 25 qershorit 2017, dhe nuk u “transferua” në ndonjë qark tjetër për të qënë deputet, sikurse disa nga kolegët e tij.

Nuk u preferua me një fjalë apo u la jashtë ekipit garues të PD për zgjedhjet parlamentare të vitit të kaluar për arësye “taktike”, kjo mbetet mister.

Fakti është se Kuvendi i Shqipërisë por dhe vetë PD humbën një zë të artikuluar e një politikan të mirëshkolluar dhe me rezultate ekselente jashtë vendit.

Siç raporton ”TemA”, nga ana tjetër Gerti Bogdani jo vetëm si sekretar për diplomacinë në PD por dhe si anëtar kryesie i kësaj partie, pavarësisht përplasjeve politike apo zhvillimeve në rajon dhe botë që kanë pasur lidhje dhe me Shqipërinë, nuk është dëgjuar. E ka mbuluar totalisht heshtja.

“Ministri i jashtëm” hije i PD, Bogdani nuk mbahet mend kur ka bërë deklaratën e fundit publike, apo kur ka artikuluar një qëndrim për diplomacinë, qoftë dhe duke sulmuar ministrin aktual Bushati, gjë të cilën po e bën ish ministri i jashtëm demokrat Tritan Shehu tashmë.

Ndërsa në Kuvend zëri i tij është zëvendësuar me atë të Ervin Salianjit, djalit të Fahri Balliut apo dhe të deputetit nga Lushnja Myslim Murrizi.

Por ky është një mesazh i qartë për qytetarët se Basha po eleminon një nga një njerëzit që mund të kishin ndonjë vlerë në PD, apo mund të sillnin ndonjë zhvillim në këtë parti.

Rasti i Gerti Bogdanit, sekretarit aktual të marrëdhënieve me Jashtë në PD dhe formalisht “ministër i Jashtëm në hije” nëse opozita vjen në pushtet, tregon qartë se çfarë niveli kërkon lidershipi i ri i PD në këtë parti.

 

1

Picture 1 of 3

error: Ndalohet ribotimi i artikullit! E drejta e autorit pamfleti.net.