Zbardhen 15 vjedhje në kryeqytet, pranga 4 skifterëve, në kërkim i pesti

Zbardhen 15 vjedhje në kryeqytet, pranga 4 skifterëve, në kërkim i pesti

Katër persona janë vënë në prangat e policisë dhe një tjetër është shpallur në kërkim, të dyshuar për së paku 15 vjedhje në Tiranë. Operacioni u zhvillua gjatë ditës së djeshme, e mërkurë nga efektivët e komisariateve nr.2 dhe 6. Katër të rinjtë e arrestuar nga policia e kryeqytetit mund të konsiderohen pa frikë hajdutë serialë, pasi numërojnë të paktën 15 të tilla.

Kështu, në pranga përfunduan Artur Marku, 21 vjeç, banues në Fushë Mëzezë, i dënuar më parë për vjedhje e plagosje me dashje. Ogert Skordha, 27 vjeç dhe Amarildo Jashari, 20 vjeç, si dhe 24-vjeçari Elidon Alla, të gjithë të dënuar më parë për vjedhje dhe banues në Tiranë. Pjesë e grupit dyshohet edhe një 30-vjeçar, me iniciale F. M., i cili u shpall në kërkim. Edhe ky i fundit, i cili është banues në Durrës, rezulton i dënuar me parë për vjedhje.

Policia sqaron se në bashkëpunim me njëri-tjetrin ata kanë vjedhur magazinat e një kompanie në autostradën “Tiranë-Durrës”, si dhe dyshohet se qëndrojnë pas 4 vjedhjeve të tjera të ndodhura më parë. Ndërkohë, për të arrestuarin, Elidon Alla, policia zbuloi se 24-vjeçari ishte autor i jo pak, por plot 11 vjedhjeve të ndodhura më parë nëpër Tiranë, kryesisht banesa dhe dyqane. Mësohet se Alla u kap në flagrancë duke vjedhur një banesë.

Burime bëjnë me dije se 24-vjeçari ka tentuar të vjedh një banesë në rrugën “Sali Butka”, duke u ngjitur nëpërmjet tubit të shkarkimit deri në katin e 7. Nga veprimet e kryera hetimore rezulton se ky shtetas është autor edhe i 11 vjedhjeve të tjera. Alla është autor vjedhjes së ndodhur më datë 02.04.2018, ku në rrugën “Grigor Heba” është vjedhur banesa e shtetasit me inicialet B. S.; vjedhjes së në ndodhur më datë 06.04.2018, ku në rrugën “Abdyl Frashëri” shtetasit me inicialet O. B., ku i është vjedhur zyra; vjedhjes së ndodhur më datë 14.04.2018, ku shtetasit me inicialet E. F., është tentuar ti vidhet mjeti; vjedhjes së banesës së shtetasit me inicialet A. B., më datë 15.04.2018; vjedhjes të dyqanit në pronësi të shtetasi me inicialet R. V., të ndodhur më datë 22.04.2018;

Vjedhjes së ndodhur më datë 26.04.2018 ku janë marrë një shumë të hollash; Vjedhjes së banesës së shtetasit D. A., të ndodhur më datë 01.05.2018; Vjedhjes së banesës së shtetasit E. H., të ndodhur në datë 09.05.2018; vjedhjes së banesës së shtetasit V. N., të ndodhur në datë 29.05.2018; Vjedhjes së dyqanit në pronësi të shtetasit B. S., të ndodhur në datë 12.06.2018; Vjedhjes së banesës së shtetasit K. K. të ndodhur në datë 17.06.2018.