Aktualitet21 Prill 2019, 07:49

Zbardhen letërkëmbimet, si SHBA përgjonte çdo zhvillim në Tiranë e rajon, ja çfarë ndodhi me Greqinë

Shkruar nga Pamfleti
Zbardhen letërkëmbimet, si SHBA përgjonte çdo zhvillim

Zbardhen letërkëmbimet, si SHBA përgjonte çdo zhvillim në Tiranë e rajon, ja çfarë ndodhi me Greqinë

Amerikanët kanë pasur përherë ndikim në vendin tonë. Gazeta prej disa ditësh po publikon letërkëmbimet mes DASH dhe ambasadorëve amerikanë në vendin tonë dhe shtete e rajonit, ku tregohet se si ata raportonin çdo ditë për gjithçka. Në disa letërkëmbime të publikuara sot, tregohet se si grekët i druheshin sulmit italian, pas pushtimit të vendit tonë më 1939.

Romë, 27 prill 1939

Ambasadori amerikan në Italii shkruan DASH: “Kam marrë dje nga ministri i Jashtëm letrën ku më kërkon të informoj qeverinë time se pas votës në Parlamentin e Shqipërisë më 12 prill dhe rezolutës së adoptuar nga Këshilli i Lartë Fashist një ditë më vonë, se “Madhëria e tij Mbreti e Perandori pranon me kënaqësi kurorën e Shqipërisë për vete dhe pasardhësit e tij mbretërorë”; dhe se “merr për vete dhe pasuesit e tij titullin Mbret i Italisë e Shqipërisë, Perëndimor i Etiopisë” dhe se “do të përfaqësohet në Shqipëri nga një gjeneral rezident atje”, siç parashikohet nga ligji i aprovuar në Senat dhe në Parlament më 15 prill. Nuk do të konfirmoj marrjen e këtij informacioni pa u udhëzuar nga ju”.

Tirana, 6 maj 1939

Ambasadori amerikan në Shqipërii shkruan DASH: “Ajo që përshkruhet nga shtypi i Tiranës sot janë bisedat për rindërtimin e Shqipërisë që kanë nisur pas ardhjes së zyrtarëve të lartë italianë përfshi zv. ministrin për Shqipërinë, ministrin e Punëve Publike dhe dy senatorë. Francesco Jacomoni, Gjenerali përfaqësues i mbretit të Italisë në Shqipëri, ka marrë pjesë në konsultimet mbi politikat ekonomike e teknike për ndërtimin e rrugëve, ndërtesave e hoteleve. Ministri i punëve publike Gigli, u prit dje në portin e Durrësit me 19 të shtëna pushkësh, ndërsa sot u largua nga Tirana për të studiuar rrugët ndërlidhëse të Shqipërisë. Burime të besueshme më thonë se italianët do të nisin menjëherë përmirësimin e infrastrukturës së vendit për qëllime strategjike, me autostrada drejt Durrësit, Gjirokastrës, Korçës e qyteteve të tjera në jug pranë kufirit grek. Programi i ndërtimeve do të përfshijë gjithashtu tharjen e zonave të gjera kënetore për kolonizimin e ardhshëm italian. Nën-sekretari italian për Shqipërinë do të punojë me kushtetutën e re të propozuar të vendit. Ai u kthye sot në Itali. Në një tjetër bisedë informale me ministrin e jashtëm shqiptar Dino, u informova se italianët me shumë gjasa do të kërkojnë të paktën dy marrëveshje të tjera, një për kontrollin e xhandarmërisë dhe një tjetër për bankën bujqësore. Është njoftuar zyrtarisht në shtyp se ambasadori shqiptar në Londër, Lie Kurti, përfaqësuesi në Paris, Princi Abid Hamid i martuar me bijën e mbretit Zog 2 vjet më parë dhe i dërguari në Kairo Abdul Sula, janë shkarkuar me një dekret të Gjeneral Jacomoni. Ka dalë edicioni i parë iGazetës zyrtare shqiptare që prej pushtimit italian, ku gjendeshin tekstet e dy marrëveshjeve të cilave iu referova në telegram, përkatësisht bashkimi doganor, monetar dhe ekonomik, si dhe marrëveshja për të drejtat e qytetarëve italianë në Shqipëri dhe anasjelltas.

Konsiderohet me rëndësi fakti qëJacomoni i cili ka negociuar marrëveshjet me qeverinë shqiptare, ka nënshkruar më pas marrëveshjet si Gjenerali i Madhërisë së tij Victor Emmanuel III, së bashku me kryeministrin dhe ministrat përkatës shqiptarë. Të gjitha kartëmonedhat shqiptare me pamjen e mbretit Zog janë mbledhur nga Banka Kombëtare e kontrolluar nga italianët dhe janë ristampuar duke hequr pamjen e ish-mbretit. Disa legatat e huaja, përfshi ato amerikane, rumune, franceze e greke vëzhgohen nga spiunë me rroba civile për të identifikuar të gjithë personat që hyjnë e dalin. Sistemi besohet se është nisur nga zyrtarët italianë. Unë i kam sugjeruar kolegut dhe fqinjit tim, ambasadorit grek që të bëjë një ankesë në lidhje me këtë çështje pasi po ndiqen metoda të pa parashikuara nga rregullat.

Sipas shtypit shqiptar të kontrolluar nga italianët, 200 kryetarë fisesh shqiptarë nga Dibra i kanë bërë thirrje Jacomonit dhe kanë nënshkruar një pakt ku heqin dorë nga gjakmarrja dhe premtojnë të zgjidhin marrëveshjet e tyre sipas mbrojtjes së Fashizmit. Ata kanë prezantuar një peticion ku kërkohet reduktim i taksave. Jacomoni është takuar gjithashtu me figura të kishës katolike të Shqipërisë, duke përfshirë delegatin apostolik dhe kryepeshkopin e Shkodrës. Ministri shqiptar i financave ka shkuar në Romë në krye të një delegacioni për festën e Perandorisë më 9 maj.

Është krijuar zyra e përgjithshme e Shtypit, Propagandës e Turizmit. Ndërkohë ka një ndalesë të përkohshme në ardhjen e trupave të tjera italiane, teksa nuk kanë parë transporte prej 3 ditësh në portin e Durrësit. Ambasadorit turk, i cili më parë ka qenë zyrtar i lartë i ministrisë së jashtme në Ankara më tha se sipas informacioneve nga qeveria e tij ka mundësi që Turqia, Anglia, Franca e Rusia së shpejti do të bashkohen për të formuar bllokun ushtarak të ndalimit të agresorëve.

 Ai shtoi se në rast lufte vendi i tij do të lëvizë menjëherë kundër Bullgarisë nëse ai vend vendoset pranë forcave të Aksit. Ai ishte dakord me një opinion të shprehur nga ambasadori grek i sapo kthyer nga Athina, ku kishte mbajtur konsultime me kryeministrin Metaxas, se ishte tashmë e qartë se Gjermania ia kishte dalë të neutralizonte Jugosllavinë para nisjes së luftimeve, por tha se pas goditjes së parë jugosllavët do të bashkonin forcat kundër Fuqive të Aksit”.

Moskë, 1 qershor 1939

Ambasadori amerikan në Bashkimin Sovjetik i shkruan DASH: “Më poshtë është një përmbledhje e fjalimit të Molotov i publikuar në shtypin sovjetik. Molotov nisi me një panoramë të përgjithshme të situatës ndërkombëtare sipas linjave të njohura sovjetike, me një denoncim të politikave të “mosndërhyrjes dhe tolerimeve ndaj agresorëve” të cilat sipas tij po rezultojnë të dështuara dhe në fakt inkurajuese të kateve të mëtejshme të agresionit. Ai listoi ngjarje të fundit që kanë përkeqësuar situatën ndërkombëtare siç është pushtimi i Çekosllovakisë, aneksimi i Memel, dhe pushtimi italian i Shqipërisë. Molotov dënoi prishjen e dy traktateve të rëndësishme nga Gjermania duke thënë se “kjo ishte përgjigja e tyre ndaj propozimit paqësor të presidentit Roosevelt”. Duke iu referuar aleancës politike e ushtarake mes Italisë e Gjermanisë, ai tha se dy vendet kishin hequr maskën e luftës së supozuar kundër komunizmit dhe po sulmonin hapur vendet demokratike Evropiane. Molotov tha se ngjarjet e fundit kishin sjellë ndryshime dhe në politikat e vendeve jo-agresive të Evropës”.

24 qershor 1939

Memorandum bisede, nga sekretari i Shtetit

Ambasadori i Shqipërisë u paraqit me kërkesën time. I thashë se ishte e çuditshme të mendojë kursin që po ndiqet nga vendet në disa pjesë të botës, duke iu referuar njoftimit të Shqipërisë dhe Italisë për bashkimin e konsullatave. Shtova se këto zhvillime ishte të ndryshme nga ato në Çekosllovaki një muaj më parë, pasi aty autoritet gjermane morën me forcë kontrollin.

Njoftova për heqjen e privilegjeve dhe imunitetit të ambasadorit shqiptar, për të cilën ai nuk dukej i çuditur, por tha se shqiptarët kërkonin një mënyrë të vazhdimit të legatës shqiptare, pasi do të kishte influencë morale.

Uashington, 31 korrik 1939

Sekretari i Shtetit për ambasadorin në Itali: “Në lidhje me telegramin për mbylljen e zyrës së Jashtme shqiptare, jeni i këshilluar se si rezultat i mbylljes së funksioneve të ambasadës shqiptare në Uashington dhe konsullatave në New York e Boston, Shqipëria nuk do të jetë në listën e misioneve diplomatike në Departamentin e Shtetit. Vendimi i Departamentit për tërheqjen e stafit diplomatik nga Shqipëria po bëhet për të mbrojtur interesat amerikane në vend prej situatës së re që është krijuar. Një zgjidhje praktike mund të jetë marrja e kontrollit të çështjeve nga konsullata në Romë, me përjashtim të vizave dhe qytetarisë që bien në juridiksionin e konsullatës së Napolit, si zhvillime të rrala që mund të ndodhin për Shqipërinë”.

Romë, 17 gusht 1939

Ambasadori në Itali (Phillips) për Sekretarin e Shtetit: “Dje konti Ciano pati një bisedë informale me të ngarkuarin me punë sovjetik, të cilit i kishte premtuar se do ta takonte pas kthimit nga Salzburg. Ai tha se po kryente këtë detyrim pasi nuk mund të takonte diplomatë të tjerë për momentin pasi “nuk mund të thoshte të vërtetën” për takimin e Salzburg. Ai gjithsesi i tha Helfand se ishte larguar mjaft optimist nga Salzburg. Në bisedat me Ribbentrop ata kishin diskutuar për situatën ndërkombëtare ndërsa në dy bisedat me Hitler kishin diskutuar vetëm për çështjen e Danzig. Hitler tha se çështja e Danzig duhet të zgjidhet shpejt pasi e konsideronte si pjesë e prestigjit të tij dhe të atij regjimi. Ciano u çudit kur Hitleri i përsëriti se lajmet për “masakrat polake” kishin mbushur shtypin gjerman. Ai besonte se nëse nuk hapen bisedime dinjitoze nga të dyja palët mes Gjermanisë e Polonisë, Hitler do të tentonte një grusht shteti. Ciano i tha të dërguarit sovjetik se niset të shtunën për në Shqipëri”.

Romë, 19 gusht 1939

Ambasadori në Itali (Phillips) për sekretarin e Shtetit: “Ambasadori britanik ia doli të kryente një intervistë me Ciano të enjten dhe më dërgoi një raport të saj. Përveç kopjes në Londër ai nuk do i tregojë askujt tjetër për këtë. Deklarata e tij për Ciano ishte një përsëritje e qëndrimit britanik për çështjet e Polonisë dhe Danzig si dhe një paralajmërim solemn i qeverisë së tij për gatishmëri në rast të hapave kundër pavarësisë së Polonisë. Ai iu referua supozimeve të gabuara të shtypit të vendeve të Aksit se Britania po nxiste Poloninë për pozicionin e saj aktual. Ciano tha se polakët duhet të tregohen më të arsyeshëm dhe të mos rrezikojnë shkatërrimin e vendit të tyre. Loraine u përgjigj se kishte gjëra më të çmuara se paqja me çdo kusht, siç kishte treguar më parë historia italiane. Ai informoi Ciano se qeveria e tij ishte e gatshme të diskutonte në çdo moment me qeverinë italiane për kauzën e paqes. Ky komunikim zyrtar e impresionoi Ciano ashtu si dhe mua. Ambasadori përmendi një vizitë në Londër të disa oficerëve gjermanë kohët e fundit të ciëlve iu tregua gjithçka në lidhje me gatishmërinë e vendit për luftë, për të cilën ata raportohet se u impresionuan. Pozita e Mussolini në këtë çështje është thelbësore dhe Hitleri mund të përmbahet nga aktet që rrezikojnë luftën pa siguri bashkëpunimi nga Italia. Ministri i Jashtëm hungarez Konti Csaky, u nis sot nga Roma për në veri të Italisë, dhe lëvizjet e tij sinjalizojnë për shqetësimin mbi situatën e përgjithshme. Ciano tashmë është nisur për në Shqipëri për atë që thotë se është turne “inspektimi” por lë për të dëshiruar më shumë. Ai ndoshta do të takohet me mua në kthim prandaj dëshiroj udhëzimet e Departamentit për çështjen”.

Athinë, 3 maj 1940

Ambasadori në Greqi(MacVeagh) për sekretarin e shtetit: “Kreu i Zyrës së Jashtme më shprehu besimin se Italia do të ruajë qasjen jo armiqësore bazuar në deklaratat e ambasadorit italian që sapo u kthye nga Roma. Gjithsesi Greqia ka thirrur rreth 10 kategori rezervistësh të të gjitha pozitave, duke përfshirë dhe shërbime mjekësore. Shtypi vendas mohon se kjo ka të bëjë me situatën ndërkombëtare dhe autoritetet e kanë përshkruar si një stërvitje rutinë e karakterit parandalues. Raportime të pakonfirmuara nga Shqipëria flasim për punëtorë italian të dërguar atje për të ndërtimin e hekurudhave që lidhin bregdetin me kufirin grek”.

Athinë, 11 qershor 1940

Ambasadori në Greqi(MacVeagh) për sekretarin e Shtetit: “Drejtori i përgjithshëm më tha sot se politika e përgjithshme e Greqisë mbetet e pandryshuar për momentin. Ai konfirmoi zhurmat nga Selaniku se disa trupa të reja italiane kishin ardhur kohët e fundit në Shqipëri pro as ai as kreu i ushtrisë që u intervistua nga Johnson nuk besojnë se ato janë të mjaftueshme për të nisur një ofensivë të re apo për të dyshuar të garancitë e dhëna nga Mussolini. Në lidhje me kursin e Greqisë, nëse Turqia vendos të hyjë në luftë kundër Italisë kjo nuk do të ndryshojë qëndrimin e Athinës, por nëse Bullgaria sulmon Turqinë atë herë do të vepronte Pakti i Ballkanit”.

14 gusht 1940

Duke parë situatën e përgjithshme ndërkombëtare besohet se italianët nuk po vazhdojnë përforcimin e trupave të tyre në Shqipëri dhe duket se ata do të kërkojnë tolerime nga Greqia në një fushë më të rëndësishme. Kolegu im jugosllav sugjeron se aktiviteti i tyre mund të zhvendoset në detin Egje pasi në një transmetim të radios së Romës Greqia akuzohej për lejim të përdorimit të porteve të Egjeut për luftanijet britanike dhe pritet të kërkohet përdorimi i të paktën portit të Kretës për forcat italiane gjatë luftës. (MacVeagh)

15 gusht 1940

Memorandum bisede i kreut të çështjeve të Lindjes së Afërt

Këshilltari i legatës greke më thirri sot në një takim për të më lexuar një komunikim nga kryeministri i Greqisë, ku mohonte akuzat e Agjencisë Stefani në Tiranë, në lidhje me vrasjen e një patrioti shqiptar nga të dërguar grekë. Megjithëse zoti Depasta ishte udhëzuar të mos këmbente asnjë kopje të bisedës me Departamentin ai ndoqi sugjerimin tim dhe më dha informacionin. Telegrami i kryeministrit grek i referohej një bisede mes nënsekretarit grek dhe ambasadorit italian në Athinë. Aty zoti Metaxas thotë se nënsekretari “la të kuptohej qartazi se në rast të një sulmi italian kundër Greqisë vendimi i qeverisë së tij do të ishte kundërshtues dhe i vendosur”. Zoti Depasta dukej i shqetësuar për situatën ku gjendej vendi i tij dhe me sa duket pret ditë më të këqija në vijim.

21 gusht 1940

Ambasadori i SHBA në Greqi për DASH: “Drejtori i Përgjithshëm i Ministrisë së Jashtme me të cilin u takova sot më tha se ministria gjermane e konsideron situatën greko-italiane si më pak kërcënuese nga sa është shprehur prej autoriteteve turke por theksoi se kjo përshtypje mbështetet nga raportimet e fundit nga Shqipëria se trupat italiane po lëvizin nga kufiri jugosllav drejt kufirit grek, e kombinuar kjo me sulmet e shtypit italian ndaj Greqisë. Ai sinjalizoi se qeveria greke mbetet vigjilente dhe për situatën beson se gjithçka mund të ndodhë në cdo moment.

Të tjera trupa nga rezervistët e klasës së vitit 1934 u thirrën në mobilizim në Greqi por sipas drejtorit, vendi do të evitojë çdo presion ushtarak që mund të shfrytëzohet nga italianët si justifikim.

Ambasadori italian vizitoi dhe Zyrën e Jashtme për të sjellë ankesa të reja në lidhje me trajtimin e çështjes italiane nga shtypi grek. Shtypi dhe radio italiane ndërkohë vazhdojnë të sulmojnë Greqinë, duke akuzuar se po përgatiten prej disa muajsh për të vepruar kundër shqiptarëve në Epirin e Veriut, por qeveria greke dha një deklaratë duke mohuar kategorikisht faktin.

Drejtori përmendi përqendrimin e trupave italiane në kufirin grek, çka u konfirmua dhe nga atasheu britanik në Greqi, i cili llogariste se në Shqipëri ka rreth 140,000 ushtarë e pu8nëtorë italianë. Atasheu ushtarak turk këtu është kthyer në detyrë me trupat dhe po zëvendëson ish-atasheun në Paris. Ai më tha se italianët kanë ndërmend të veprojnë kundër Greqisë pa humbur më tepër kohë deh se grekët do të rezistojnë. Në lidhje me ndihmën e mundshme turke në rast të tillë, ai ishte më shumë optimist se në bisedën e mëparshme”.

23 gusht 1940

Ambasadori në Greqi(MacVeagh) për sekretarin e Shtetit: “Kreu i Zyrës së Jashtme më ka siguruar se zhurmat për pushtimin e Korfuzit apo Kretës nga Britanikët janë të rreme. Ai tha se lëvizjet e trupave në Shqipëri dhe akuzat kundër Greqisë në shtypin italian janë alarmuese, por Gjermania do të detyrojë Italinë të përmbahet me qëllim të ruajtjes së paqes. Në lidhje me këtë ai foli për vendosmërinë e qeverisë greke për të ruajtur neutralitetin për sa kohë që pavarësia e vendit nuk kërcënoheshin. Ideja se Gjermania do të ndalojë që Italia të sulmojë Greqinë nuk ka gjetur mbështetje në legatën gjermane këtu, e cila privatisht preferon t’i lërë gjërat të marrin kursin e tyre. Një numër gazetarësh gjermanë erdhën dje në Athinë për të ndjekur zhvillimet e pritura”.

Dossier greq SHBA Shqiperi