Aktualitet15 Prill 2018, 10:19

Zbardhet lista e institucioneve që do skanojnë Berishën, djalin e tij, Bashën dhe ish ministrat e LSI

Shkruar nga Pamfleti
Zbardhet lista e institucioneve që do skanojnë Berishën, djalin e

Zbardhet lista e institucioneve që do skanojnë Berishën, djalin e tij, Bashën dhe ish ministrat e LSI

Komisioni hetimor për drogën kërkon të kryejë hetime të thelluara sa i takon këtij fenomeni dhe lidhjeve kriminale. Dita-ditës gazeta ka siguruar detaje nga puna e komisionit dhe nga plani i anëtarëve të Partisë Socialiste. Jo më larg se dy ditë më parë u raportua se në kuadër të hetimeve që socialistët kërkojnë të kryejnë për ish-kryeministrin Sali Berisha, djalin e tij Shkëlzen Berisha, kreun e PD, Lulzim Basha dhe për lidhjet e Klement Balilit me ish-ministrat e LSI, ishin përgatitur 8 shkresa të cilat do t’i drejtohen institucioneve të ndryshme për të kërkuar më shumë informacione.

Ndërkohë,gazeta “Sot” ka arritur të zbardhë konkretisht listën e këtyre institucioneve që do të “presin” kërkesat e PS. Tek Ministria e Brendshme, Prokuroria e Krimeve të Rënda, Shërbimi Informativ i Shtetit dhe policia pritet të mbërrijnë kërkesa për më shumë të dhëna për rastet e Lazaratit dhe Dukagjinit, në mënyrë që të kuptohet nëse ka patur reagim më parë në luftën kundër trafikut të drogës. Në lidhje me këtë çështje janë 2 figura kryesore që do hetohen: Sali Berisha, i cili akuzohet për mbrojtje politike në Lazarat dhe Shkëlzen Berisha i cili akuzohet nga Izet Haxhia se është i përfshirë në trafikun e drogës.

Rol në hetimet që planifikojnë të kryejnë përmes komisionit socialistët do të luajë edhe Ministria e Jashtme, e cila do të japë informacione për disa ambasadorë apo zyrtarë të huaj. Ata dyshohen se kanë qenë të përfshirë në trafikun e drogës dhe për këtë janë dënuar me vendimin e gjykatave shqiptare apo të vendeve të huaja. Në lidhje me këtë do të verifikohet nëse vendimet e gjykatave janë zbatuar apo diplomatët e huaj kanë vijuar ushtrimin e profesionit të tyre normalisht.

Institucione dhe raste të tjera

Nga ana tjetër, në fokus të anëtarëve të PS në komision do të jenë edhe lidhjet e Klement Balilit me ish-ministrat e LSI. Në lidhje me këtë rast, ish-ministri i Bujqësisë, Edmond Panariti akuzohet se ka lidhur kontrata toke me familjarët e Balilit gjatë kohës që ky i fundit ishte i shpallur në kërkim ndërkombëtar për trafik droge. Për këtë arsye pritet që tek  Ministria e Bujqësisë të mbërrijë një shkresë për t’iu afruar të vërtetës. Sakaq, socialistët kanë në plan që të kenë në “lupë” edhe Lulzim Bashën për periudhën kur ka mbajtur postin e ministrit të Brendshëm.

Ata do të kërkojnë nga Ministria e Brendshme, SHISH dhe MEPJ të dhëna për kabllogramin e ambasadës amerikane, i botuar nga Wiki Leaks. Aty shprehej shqetësimi i ndërkombëtarëve për rritjen dhe fuqizimin e ish-drejtorit të policisë dhe njeriut më të besuar të Sali Berishës, Agron Kuliçaj. Në lidhje me këtë kabllogram PS ka planifikuar të kërkojë detaje për administrimin e tij dhe përgjigjet zyrtare të dhëna nga Basha. Nga Policia e Shtetit, Krimet e Rënda dhe Prokuroria e Përgjithshme do të kërkohet informacion edhe për ankesat që Prokuroria e Krimeve të Rënda i ka dërguar Prokurorit të Përgjithshëm në vitin 2010-2012, për mos bashkëpunimin e Policisë së Shtetit lidhje me identifikimin dhe zbulimin e lëndëve narkotike.

Duhet të theksojmë se kërkesat e socialistëve nuk janë dërguar akoma për shkak të zvarritjeve nga ana e demokratëve për firmosje. Ndërkohë, vetë demokratët i kanë dërguar kërkesat e tyre për të dhëna dhe vihet re se iu janë drejtuar po të njëjtave institucione si PS, por çështjet për të cilat kanë kërkuar detaje janë të ndryshme. Në mënyrë që edhe kërkesat e socialistëve të dorëzohen tek 8 institucionet e lartpërmendura, gazeta mësoi se do të angazhohet edhe struktura e Kuvendit, duke i kërkuar të dhënat në emër të saj.

Kryesore