Aktualitet19 Maj 2019, 11:27

Zemërimi “homerik” i opozitës

Shkruar nga Pamfleti
Zemërimi “homerik” i opozitës

Zemërimi “homerik” i opozitës

Nëse PD po përgatitet të bëjë harakiri, kjo është punë e saj, por, megjithëse një forcë themelisht regresive, ajo mbetet ende vlerë, më shumë për të ardhmen se për të tashmen.

Shkruan Bedri Islami

Dy vite më parë, pikërisht në këtë kohë, fundprilli 2017, kur ishte dilema nëse do të bëheshin apo jo zgjedhjet parlamentare, të planifikuara në qershorin e atij viti, shefi i atëhershëm i grupit parlamentar të PD-së, Paloka, në vrullin e deklaratave të hallakatura, të gjithë tërbimin e tij e lëshoi mbi Ilir Metën, që ishte ende në mes dy karrigeve, të Kryetarit të Kuvendit dhe të Presidencës, duke u betuar se partia e tij shqupase nuk do të bëjë kurrë kauzë të përbashkët me Metën, pasi, ky i fundit ishte shkaktari i të gjitha të këqija që i kanë ardhur Shqipërisë nga vjedhja, ndryshimi dhe korruptimi i votës së lirë.

Sipas Palokës, që përfaqësonte vijën zyrtare të shqupasve të rënë nga pushteti, e gjithë e keqja e këtij vendi ka vetëm një emër, atë të Ilir Metës dhe gjithë të tjerët nuk janë asgjë tjetër, veçse viktima të tij. Paloka gati sa nuk e tha haptas se, po të mos ishte Meta dhe partia e tij, gjithçka do të ishte ndryshe, pra la edhe një herë hapur shtegun e një kompromisi galopant me socialistët, duke e lënë fajin në skalionin e tretë të falangës së  tyre.

Dy vite më pas, përsëri Paloka, si njëri nga zhurmuesit e përhershëm pëdëist, ka gjetur një objekt të ri goditës, Edi Ramën, kur gjërat kanë ndryshuar edhe për të, edhe për Partinë qe kishte shpallur hasëm, jo vetëm të partisë së tij, por të të gjithë Shqipërisë, dhe që “fati” mizor i ka bërë sëbashku në një vijë fronti.

Ai, duke paralajmëruar “një humbje“ të madhe politike për vendin deklaroi se zgjedhje nuk do të ketë dhe, nëse kjo ndodh, ai nuk do të jetë më në politikë. Gjithë vendi po mban frymën, nëse Paloka do të jetë më pjesë e politikës apo jo. Më pas Paloka, por jo vetëm ai, bënë deklarata budallaqe, duke e përjashtuar plotësisht Edi Ramën nga dialogu, sikur e gjitha kjo ishte në dorën e tyre.

Politikani Paloka, njeriu Alibeaj, një tjetër Spaho, secili në vete,  nuk është ndonjë risi në strukturën e forcës politike ku bën pjesë. Që nga muajt e parë të krijimit PD-ja nuk ka mundur të jetojë e mbijetojë pa gjetur armiqë, pa i krijuar ato kur nuk i ka gjetur, pa krijuar e mbledhur armiqë të brendshëm dhe të jashtëm, pa i goditur ato dhe pa “marshuar fitimtarë”.

Tani, për PD-në, dy vite më pas, është gjetur armiku i ri, Edi Rama, ndaj të cilit kanë shkrehur jo vetëm të gjithë topat e baterive të tyre. Zemërimi i tyre duket homerik, bubullimat duken heroike, por kanë harruar gjënë kryesore: duke mbyllur qarkun, nuk kanë lënë hapur shtegun : me cilin do të bisedojnë, me kë do të dialogojnë, me cilët do të ulen në një tryezë?

Të ketë shkuar mendimi i i tyre politik kaq poshtë sa që mendojnë se përmes një paçavureje , në formë dekadalogu që paraqitën disa ditë më parë, mund të bindin të tjerët të dialogojnë, të gjejnë zgjidhje, të afrojnë pikëpamjet?

Kryemadhi, krahu më radikal i lëvizjes opozitare, këto ditë, shkoi përtej kufirit, dhe, përmes deklaratave të saj, të dënueshme jo vetëm politikisht, paralajmëroi shefin e qeverisë se në çdo shtëpi ka një njeri që di  të qëllojë, duke bërë haptas thirrje publike për krim dhe pjesëmarrje në vrasje.

Nuk e di dhe as nuk mund ta di përse një shtet , ku mendohet se ligji është diku, toleron thirrje të tilla, jashtëzakonisht halucionante dhe të dënueshme, ashtu si ishte mizor pohimi i saj se, “u bëftë helm për fëmijët e mi, nëse kam vjedhur një lek”.

Edi Rama ka kusuret e tij të mëdha dhe koha ka ardhur të mësojë nga fajet e tij politike. Ose të ia mësojnë këtë. Mosndëshkimi i së keqes që bëri ai, megjithë fjalën e dhënë si rrugë drejt pushtetit një ditë do e ndëshkojë vetë atë. Por, ai është shefi i qeverisë së tashme; atë mund ta heqë vetëm forca e tij politike, por jo “molotovët” e një opozite që bën sikur ka zemërim “homerik”.

Tani jemi para një gjendje që pak vetë mund të përcaktojnë një zgjidhje dhe që, duan apo nuk duan opozitarët, ajo është në duart e pushtetit të tashëm.

Ose do të kërkojnë dialog me këtë forcë qeverisëse , ose do të kërkojnë që zemërimi i tyre të shpërthejë budallshëm, duke provuar shembjen e rendit kushtetues dhe duke provuar një grusht shteti në ditën e votimeve.

Përsëri, as njëra e as tjetra, nuk është në dorën e tyre. Rendin kushtetues kanë provuar ta shembin, jo thjeshtë me bomba molotov dhe shashka plagosëse, por përmes tankeve, pushkëve, grabitjeve, zaptimeve dhe pushtimit të institucioneve, të cilat, pasi i vodhën, i braktisën.

Grushtin e shtetit e kanë provuar në shtatorin e vitit 1998 dhe përsëri janë zbythur.

Në vitin 1998 dhe në janarin e para 8 viteve, shefi faktik i opozitës i ktheu institucionet në fuqi shpërthyese, duke strehuar herën e parë militantë dhe armë dhe, herën e dytë, një pjesë të 301 gardistëve që strehoi në bodrumet e selisë kryeministrore.

Një herë e tretë do të ishte katastrofale për të, por jo për vendin. Vendi do të çlirohej nga fantazma e tij dhe do të merrte frymë lirisht. Zemërimi “ homerik” i opozitës do të provonte një ditë të zezë për vetë qenien e saj, nga e cila nuk do të mund ta shpëtonte asnjë shef qeverie i së majtës.

Nëse PD po përgatitet të bëjë harakiri, kjo është punë e saj, por, megjithëse një forcë themelisht regresive, ajo mbetet ende vlerë, më shumë për të ardhmen se për të tashmen.

Rama dhe e majta, edhe nëse qeveria prishet, përsëri në këtë kohë i fiton zgjedhjet. Opozita e di këtë më mirë se gjithë të tjerët, pasi ende është e paorganizuar, pa mendim dhe pa rrugë tjetër, veç protestave të tipit molotov.

Mendimi i saj është ende pa ide, sporadik, mbetur vetëm në një linjë, atë të forcës: e përkrahur nga një grupim njerëzish mbështetur më shumë tek bashkitë që i drejtojnë, në humbës pushtetesh, dhe, mbi të gjitha me një mungesë të theksuar vizioni.

Nëse ajo do të vazhdojë edhe më tej të ketë udhërrëfim pasionet e sëmura të analistëve që duan rrëmujë, gjak dhe përmbysje, duke i shijuar nga katet e larta komforte; nëse e gjithë vlera e saj do të mbështetet tek dhuna e rrugës dhe tymueset politike të hedhura në media; nëse ajo do të jetë e gëzuar se BE nuk do të hapë negociatat me shtetin e tyre; nëse e gjithë pikëpamja e shefit të opozitës do të jetë vetëm një:rruga; nëse kapuçonët e zinj do të jenë pamja e saj përdalluese, atëherë nuk duhet të zemërohet me askënd tjetër, veçse me veten.

Shteti nuk bie përmes rrugës dhe as përmes alibisë së vjedhjes së votave, dy vite pasi është votuar, janë certifikuar zgjedhjet, ke qenë pjesë e parlamentit të këtyre zgjedhjeve, nuk ke bërë asnjë reklamim e ankesë.

Shteti nuk bie as nga dy dosje që ende askush nuk e di se si janë dhe se çfarë kanë brenda dhe nga të cilat, prokurorë të lidhur me opozitën si një investim për të ardhmen, i nxjerrin pa të keq jashtë institucionit.

Shtetin mund tq qeverisësh jo me slogane populiste dhe arrogancë sikur je fuqia e tretë e botës, por përmes humbjes së një zemërimi falls dhe krijimit të besimit tek ti.

Nëse opozita mendon se ka ende njerëz që besojnë tek Mediu, Ndoka, Shehi, Duka, Dule, Idrizi – atëherë ajo nuk ka kuptuar thelbin : koha e tyre ka shkuar.

Forum Bedri Islami opozita Partia Demokratike