Kreu i PD Lulzim Basha, i besoi dje Edmond Spahos drejtimin e Qarkut të Korçës, për zgjedhjet e 25 prillit. Sot, Spaho ka folur për gazetarët nga qyteti juglindor duke thënë se PD atje do të dalë forcë e parë.
“Puna që do të bëjmë deri në 25 prill, do na garantojë qe ne të dalim forcë e parë në Korçë dhe nesër qeveria të jetë e PD dhe aleatëve të saj. Ne do dalim forcë e parë politike, me diferencë ndaj këtyre që janë në qeverisjen e vendit. Që i kanë shkaktuar shumë dëme qytetarëve të këtij vendi”, tha Edmond Spaho, drejtues politik i Korçës.
Në krah të ish-deputetit Ervin Salianji, Spaho “shpërfilli” Niko Peleshin, duke thënë se demokratët do të sakrifikojnë gjithçka për “të shporrur” qeverinë Rama.
“Për mua është e rëndësishme që të gjithë njerëzit që janë në PD janë të gatshëm të bëjnë sakrificën edhe më të fundit, për të arritur atë objektiv që kemi si PD: të shporrim këtë të keqe të madhe që ka zënë vendin. Nuk do të kursejmë asnjë forcë”, shtoi ai.
Ndërkohë, ish-deputeti i PD-së, Ervin Salianji gjatë takimit me strukturat në Korçë shprehu bindjen se demokratët do të luftojnë për 6-7 mandate.
Z. Spaho sjell edhe një kapacitet të ri, një element me shumë rëndësi për PD në qarkun e Korcës, që qarku të ketë 6 mandate për PD dhe do luftohet për mandatin e shtatë. Nuk ka asnjë diskutim që emërimet e sforcuara që bën Edi Rama për t’i dhënë pilula drejtuesve të vet politikë tregojnë jo vetëm dëshpërimin e tyre, pamundësinë për t’u përballur me gjithë premtimet që i kanë bërë Korçës, por edhe me gjithë abuzimin që ka bërë duke i kthyer, qytetin në një çiflig personal, për 2-3 persona.
Si drejtuesi më i lartë politik ndihem borxhli por dhe krenar për secilin. Siç e dini telefoni im është 24 orë hapur, disponibiliteti im në çdo moment dhe gatishmëria ime për ndihmë absolute në shërbim të fitores së demokratëve. I uroj suksese Edmond Spahos që rikthehet në Korçë dhe njihet shume mire prej jush.”- u shpreh Salianji.