Kosova 8 Dhjetor 2022, 13:11

· Prishtine

Shkruar nga Pamfleti
· Prishtine

Ministrja kosovare e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka thënë se të mërkurën në mbrëmje është kuptuar se janë zhdukur mostrat e Astrit Deharit nga Laboratori i toksikologjisë.

Haxhiu ka thënë se tre personat kanë pasur qasje në laboratorin ku mbaheshin mostrat.

“Ky është akt i rëndë, kriminal, prandaj menjëherë kam njoftuar kryeprokurorin dhe drejtorin e policisë. Në mëngjes kam vizituar Institutin e Mjekësisë Ligjore dhe jam njoftuar si në vijim: në mbajtësen e epruvetave kanë qenë 15 epruveta me gjak, 1 epruvetë e urinës dhe një e lukthit. Nga këto institute dy epruveta me gjak ja ka dhënë Institutit Zviceran dhe një policisë për ADN. Aktualisht sipas informacioneve mungojnë 12 epruveta me gjak, një e urinës dhe një e lukthit. Në vend kanë qasje vetëm 3 persona. Vetëm 3 persona i kanë çelësat”, tha ajo në një konferencë për media.

Haxhiu ka thënë se kjo situatë e rëndë vë hije dyshimi mbi të gjithë Institutin e Mjekësisë Ligjore.

“Protokolli i vendit ku ruhen mostrat është shumë strikt, dhe nëse ndiqet kuptohet qartë se kush janë përgjegjësit për këtë krim. Në këtë rast ata që kanë pasur guximin të veprojnë në këtë mënyrë as nuk zmbrapsen nga protokolli e as nga përfshirja në një vepër të rëndë penale. Këtë guxim mund ta kenë vetëm ata që për motiv kanë dëmtimin final të rastit Dehari”.

Haxhiu ka thënë se i di emrat e personave që kanë pasur qasje në laborator dhe se me ta po merren organet e drejtësisë, ndërkohë shtoi që veprime priten edhe nga Instituti i Mjekësisë Ligjore.

“Unë i di emrat e personave që kanë qasje në këtë institucion, por nuk mund t’i them sepse të njëjtit i di edhe policia e prokuroria. Sa i përket masave, na takon të ndërmarrim masa disiplinore ndaj personave përgjegjës. Komisioni disiplinor i Instituti të Mjekësisë Ligjore ka marrë kërkesë për adresim të veprimeve, sot të përfundojë puna në suspendimin sepse legjislacioni nuk lejon menjëherë shkarkimin. Në përputhje me kompetencat e mia, do t’i ndërmarr masat”, ka thënë ajo.

Aktivisti i Lëvizjes Vetëvendosje, Astrit Dehari, është gjetur i vdekur në qelinë e burgut në Prizren më 5 nëntor të vitit 2016, ku po mbahej i paraburgosur nën dyshimin se kishte kryer sulm ndaj ndërtesës së Kuvendit të Kosovës, bashkë me disa aktivistë të tjerë.

Derisa organet e drejtësisë atëkohë kishin konstatuar se Dehari ka vrarë veten, familja në vazhdimësi ka insistuar se bëhet fjalë për vrasje.

Prishtine Albulena Haxhiu Astrit Dehari Ministria e Drejtësisë e Kosovës

Kosova