Zhvat, pasurohu, lë borxhe e ik pa “gjëmb në këmbë”, qeveria zhytet edhe 99 milionë euro për rrugët rurale e pagesat sociale

Zhvat, pasurohu, lë borxhe e ik pa “gjëmb në këmbë”, qeveria zhytet edhe 99 milionë euro për rrugët rurale e pagesat sociale

Borxhi total po shkon 80%, borxh i ri zgjat deri më 2047, ose kur Rama të jetë 83 vjeç, Meta 78 vjeç dhe Berisha 103 vjeç

Në datën 23 korrik 2018, kreu i Qeverisë, i Kuvendit dhe Presidencës, para se të nisnin sezonin turistik familjar të qejfeve në plazhe e alpe, mbyllën sesionin parlamentar të verës, duke miratuar, votuar e dekretuar dy ligje borxhesh të reja financiare, të cilat do t’i paguajnë shqiptarët (këto 2 borxhe), duke nisur nga ata që janë lindur sot e deri, sa të bëhen 30 vjeç.

Nuk dihet se sa është borxhi real që ka Shqipëria, por nga zyra e “Ben Hermesit”, thuhet borxhi total ka arritur shifrën 80%, që do të thotë se batakçinjtë e pushteteve mafioze të këtyre 27 viteve në Shqipëri, po e lënë vendin “kolateral” tek shtetet, bankat, fondacionet dhe bizneset e huaja, sipas praktikës: “Merr borxhe, zhvat fonde, pasurohu dhe ik shijo miliardat, pa t’u futur “gjëmbë në këmbë”.

Dy borxhet e reja që ka marrë qeveria, votuar si ligje më 23 korrik, disa orë para ikjes me pushime të Ramës, Metës, Berishës, Bashës e Kryemadhit dhe shpallur më 6 gusht, tani që po relaksohen me pushime, janë “lypur” për gjoja rrugët rajonale (të zonave) dhe për pagesat e ndimës ekonomike e asistencës sociale, që siç dihet, në 21 bashki nuk janë paguar 3-5 muajsh, për shkak se qeveria nuk ka lekë të “blejë as brekë”.

Këto dy borxhe, janë në vlerë totale 99 milionë euro, nga të cilat 50 milionë euro për rrugët rajonale-zonale, me interes 2.13% dhe me afat deri në vitin 2047, ndërsa 49 milionë euro janë marrë borxh, për pagesat sociale e të e ndihmës ekonomike, me interes 2.5% dhe me afat shlyerje deri në vitin 2045.

Ndërkohë që shtetarët “zbardhin dhëmbët” duke bërë turizëm nëpër male e freskojnë “hallatet” nëpër plazhe, me roje, auto-ambulanca dhe ekipe mjekësh në dispozcion se mos “i gjen damllaja”, shqiptarët do shlyejnë borxhet, deri kur Edi Rama të jetë 83 vjeç, Ilir Meta 78 vjeç, Lulzim Basha e Monika Kryemadhi nga 73 vjeç dhe kur Sali Berisha të jetë 103 vjeç!

Ja dy ligjet e marrjes së borxhit, me vlerë 99 milionë euro, me afat vitin 2047

  1. Ligj nr. 53/2018 datë 23.7.2018 Për ratifikimin e marrëveshjes së huas ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim, për shtesën e financimit për projektin e modernizimit të asistencës sociale. Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletore Zyrtare” (datë 21 gusht 2018), u miratua në datën 23.07.2018, shpallur me Dekret Nr.10856, datë 31.07.2018, të Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta.
  2. Ligj nr. 54/2018 datë 23.7.2018 Për ratifikimin e marrëveshjes së huas ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim, për projektin e konektivitetit të rrugëve rajonale dhe lokale. Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletore Zyrtare” (datë 21 gusht 2018), u miratuar në datën 23. 07. 2018 dhe u shpall me Dekretin Nr. 10860, datë 31. 07.2018, të Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta/Pamfleti