Aktualitet18 Prill 2018, 11:57

Zvaritja e aferës CEZ, Romeo Kara: Politika presion ndaj prokurorisë, Llalla amnistoi Nuel Kalajn, pse duhet arrestuar Berisha

Shkruar nga Pamfleti
Zvaritja e aferës CEZ, Romeo Kara: Politika presion ndaj prokurorisë,

Zvaritja e aferës CEZ, Romeo Kara: Politika presion ndaj prokurorisë, Llalla amnistoi Nuel Kalajn, pse duhet arrestuar Berisha

Juristi Romeo Kara e cilëson të papranueshëm shtyrjen e hetimeve për aferën e CEZ. Ai është një ndër paditësit e çështjes dhe e sheh me skepticizëm kërkesën e prokurorisë për të shtyrë dhe me 3 muaj hetimet, pasi nuk gjendet sekseri Nuel Kalaj.

Në një deklaratë për gazetën “Sot”, juristi i OSHE, Romeo Kara, ka deklaruar se politika po rrit presionet ndaj prokurorisë me qëllim që dosja të mbyllet.

“Shtyrja e çështjes është gjetur si zgjidhja e vetme momentale nga kasta e korruptuar e politikës, e cila i largohet debatit dhe diskutimit të hapur të kësaj çështjeje si djalli temjanit. Kasta e korruptuar e politikës, duke e pare së dështoi me mbylljen e çështjes në dhjetor 2017, po kërkon ta zvarrisë sa më tepër të mundet këtë çështje pa e cenuar në gjykatë, d.m.th të zvarrisë dhe të bëjë të pavlerë procesin e hetimeve. Jam i bindur se prokuroria nuk ka integritetin e duhur për t’u marrë me këtë çështje. Kjo çështje mund të shërbejë si sebep edhe për të rinovuar dhe ndryshuar krejt prokurorinë, nëse prokuroria do ta trajtoje si sfidë për zgjidhje dhe jo si barre këtë çështje”, tha ai.

Juristi ka hedhur një sërë dyshimesh mbi veprimet e prokurorisë sa i takon kësaj dosje. Është bërë një vit që kur Kara ka dorëzuar padi ndaj Berishës, djalit të tij dhe dhjetra zyrtarëve të tjerë, por sërish dosja zvarritet.

“Unë kam mbledhur, sistemuar, analizuar një material prej mbi 20 mije faqesh, për një kohë mjaft me të shkurtër se sa koha që ka pasur në dispozicion prokuroria deri më tani lidhur me këtë çështje. Pra, kemi të bëjmë me një mungesë vullneti nga ana e prokurorisë për të zbatuar ligjin dhe bërë detyrën e saj. Është marrëzi të mendosh, se kjo prokurori që ka molepsur gjithë sistemin e drejtësisë, do të ketë vullnetin për të bërë drejtësi”, tha ai.

Arsyeja që prokuroria zgjati me 3 muaj hetimet është sepse nuk gjendet Nuel Kalaj. Bëhet fjalë për sekserin i cili afroi qeverinë “Berisha” me çekët e CEZ dhe sipas padisë, ai është personi që ka dijeni për të gjithë aferën. Por për juristin Kara, autoritet nuk janë vënë në ndjekje të tij qëllimisht.

“Nuel Kalaj për vetë rolin si sekser, është personi kyç në këtë aferë, prandaj ustallarët e kësaj afere po bëjnë ç’të munden që të shmangin çdo dëshmi të tij. Mesa unë kam dijeni, sekseri Nuel, për sa kohë që prokuroria drejtohej nga Llalla, nuk ka pasur asnjë ngacmim, biles dyshoj që do të ketë marrë garanci të plota, pasi është shfaqur publikisht në Kosovë duke marrë pjesë në fushatën për zgjedhjet parlamentare atje, në mbështetje të Ramush Haradinajt. Pra, nuk ka qenë fare e vështirë për të gjetur një Nuel, por nuk ka pasur vullnet të vërtete për t’i shkuar deri në fund kësaj çështjeje. Nuel Kalaj prej vitesh ka edhe shtetësinë shqiptare dhe shteti ynë mund dhe duhet të përdorë mjetet e duhura për ta sjellë atë forcërisht në Shqipëri”, tha ai.

Juristi deklaroi më tej se prokuroria duhet të arrestojë ish-kryeministrin Sali Berisha, pasi sipas tij, vetëm kështu hetimet mund të vijojnë të pavarura.

“Për sa kohë që Berisha është i lirë dhe i pushtetshëm, prokuroria kurrë nuk do ta pyesë Nuel Kalajn. Pra, prokuroria duhet të bëjë hapin e madh, të prangosjes dhe çuarjes përpara drejtësisë të arkitektit dhe realizuesit të aferës CEZ, Berishës. Mosrealizimi i prangosjes së Berishës, do të dëmtojë edhe më tej integritetin e këtij procesi, si dhe do të zgjasë mosparaqitjen e të gjithë Nuelëve të përfshirë në aferë”, tha ai.

Aktualitet Llalla amnistoi Nuel Kalajn pse duhet arrestuar Berisha Romeo Kara: Politika presion ndaj prokurorisë Zvaritja e aferës CEZ