Aktualitet31 Korrik 2018, 08:44

10 dosjet e zyrtarëve dhe njerëzve të botës së krimit në duart e Prokurorisë së Krimeve të Rënda. Rrezikojnë Meta, Be

Shkruar nga Pamfleti
10 dosjet e zyrtarëve dhe njerëzve të botës së krimit

10 dosjet e zyrtarëve dhe njerëzve të botës së krimit në duart e Prokurorisë së Krimeve të Rënda. Rrezikojnë Meta, Berisha, Basha, Llalla dhe ish-drejtorët e LSI

Prokuroria do të thellojë shumë shpejt hetimet për të gjitha dosjet e bujshme që po rrinë pezull prej muajsh.  Prej datës 20 korrik në zyrën e Prokurores së Krimeve të Rënda, Donika Prela janë depozituar të dhëna për një sërë dosjesh. Siç raporton ”SOT” bëhet fjalë për raste ku përfshihen zyrtarë dhe njerëz të botës së krimit. 

Po ashtu thuhet se janë 10 dosje për të cilat oficerët kanë informuar zonjën Prela dhe për secilën prej tyre pritet një tjetër hov në hetime pasi ka pasur zvarritje të shumta. Dy dosje që kanë lidhje me njëra- tjetrën janë ajo e privatizimit të OSSH nga CEZ dhe ajo e paktit CEZ-DIA. Dosja e parë po hetohet nga Prokuroria e Tiranës dhe janë nënë hetim 22 persona.

Për këtë rast janë kallëzuar Sali Berisha, Genc Ruli, Ridvan Bode, Shkëlzen Berisha dhe shumë të tjerë. Lidhur me dosjen CEZ-DIA, ajo është duke u hetuar nga Prokuroria e Krimeve të Rënda. Fiks një vit më parë ishte juristi Romeo Kara, ai i cili kallëzoi penalisht presidentin Ilir Meta, ish-kryeministrin Sali Berisha dhe 5 ish-funksionarë të tjerë me argumentin se i kanë shkaktuar shtetit rreth 40 milionë euro dëm nga pakti me DIA.

Llalla dhe Tahiri

Dy dosje të tjera të rëndësishme janë ato në ngarkim të ish-ministrit Saimir Tahiri dhe ndaj ish-kryeprokurorit Adriatik Llalla. Sa i takon Tahirit, prokuroria tentoi disa herë arrestimin e tij, por gjykata e rrëzoi. Momentalisht Tahiri është nën hetim në gjendje të lirë. Nga ana tjetër telashet për Llallën janë shtuar. Ish-kreu i akuzës është nën hetim për 4 vepra penale, ndërsa pak ditë më parë pasuria e tij u vu në sekuestro preventive, pasi dyshohet se ka bërë pastrim parash. Në bazë të ultimatumit të Prelës, duket se dhe për këta të dy hetimet do të thellohen.

Drejtorët e LSI

Mes emrave të akuzuar ka dhe ish-funksionarë të LSI. Një ndër personat që po hetohet është ish-Drejtori i Autoritetit Rrugor, Dashamir Xhika. Ai po hetohet si për aferën me rrugën Tiranë-Elbasan, ashtu dhe për rrugën Elbasan-Gjinar. Për këtë të fundit nën hetim është dhe Andi Toma, ish-drejtor i ARRSH në kohën kur në qeveri ishte PD. Një tjetër drejtor i LSI nën hetim është Ardian Alushi, ish Drejtor i Përgjithshëm i Agjencisë Kombëtare të Ujësjellës Kanalizimeve. Ai është paditur nga Ministria e Transportit për abuzime me ndërtimin e kanalizimeve në kryeqytet.

Dosjet e tjera

Në listë janë dhe një sërë dosjesh të tjera të bujshme. Një ndër to është ajo e vëllait të ministrit Fatmir Xhafaj. Pas denoncimeve të PD nuk ka pasur asnjë zhvillim nga hetimet. Tjetër rast është kallëzimi i deputetit Taulant Balla ndaj kreut të PD, Lulzim Basha, mbi akuzat për 3.4 milionë eurot në “Toyota Yaris”. Një tjetër çështje nën hetim është ajo ndaj rektorit Mynyr Koni ndaj dekanit Dhori Kule, të akuzuar për shpërdorim të detyrës. Për të dhjeta dosjet pritet që Donika Prelat të japë ultimatum të përshpejtohen hetimet dhe në këtë mënyrë ka shumë emra që rrezikojnë. 

Aktualitet Donika Prela Dosjet e bujshme Prokuroria e krimeve të Rënda