Kryeministri Edi Rama hoqi përgjegjësinë nga qeveria e tij për mungesën e drejtësisë për viktimat e 21 janarit. Gjatë ceremonisë në kryeministri ku i dha familjarëve të viktimave titullin ‘Dëshmorët e Atdheut’, Rama tha se qeveria nuk mund të jetë as prokuror dhe as gjykatë:
“Ata ngrenë akuzën në drejtimin tonë duke thënë që drejtësia për 21 Janarin është e papërfunduar por duke ngatërruar kohën që kemi sot dhe nuk jemi që prej 1990 kur politika, partia në qeveri mund të bëjnë atë që i takon ta bëjë drejtësia.
Parlamenti nuk bën gjyqe dhe nuk jep vendime gjyqësore. Qeveria nuk bën rolin e prokurorisë. As ministri i Drejtësisë as kryeministri nuk ngrenë akuza penale për t’ia çuar gjykatës së partisë. Është drejtësia që i bën këto. Krejt e pavarur nga pushteti.”
Ndër vite, Rama ka premtuar se do të bëjë drejtësi për vrasjen e katër protestueve në boulevard, gjatë protestës organizuar nga ai vetë kundër qeverisë Berisha-Meta.
Në vitin 2013, drejtësia për viktimat ishte një ndër premtimet e Ramës në fushatë: “Nuk do të ketë paqe në shpirtrat tanë, nuk do të ketë asnjë moment spostim vëmendje nga 21 Janari, sa herë që do flitet për drejtësi në këtë vend.”
Në vitin 2015, Rama përmes një njoftimi në rrjetin e tij social shkruajti: “Me familjarët e 21 janarit. Koha për të lëvizur me një alternativë të re të kërkimit të drejtësisë. Asgjë veç drejtësisë nuk e mbyll 21 janarin.”
Në vitin 2017, Rama po ashtu premtoi se me reformën në drejtësi do të ketë drejtësi për tragjedinë e 21 Janarit: “Drejtësia për 21 Janarin mund të vonojë, por nuk do të harrohet dhe qeveria jonë pavarësisht se ka bërë sa të jetë e mundur për të lehtësuar jetën tuaj të përditshme do të vazhdojë të bëjë duke njohur përgjegjësinë për krimin e shtetit.”
Ndërsa kreu i qeverisë premtoi se drejtësia do të vijë pasi të mbarojë vetingu i gjyqtarëve dhe prokurorëve:
“Vetingu është filtri për të siguruar që drejtësia e re është e pastruar nga metastazat e një kanceri. Do të jetë faza tjetër, ajo e sistemit të pastruar nga kanceri që do të realizojë atë që njerëzit presin me padurim: goditjen e të gjithë atyre që morën peng drejtësinë për vite të tëra.”
Ai tha se të gjithë ata që kanë vrarë për herë të dytë Ziver Veizin, Hekuran Dedën, Faik Myrtaj dhe Aleks Nika, duke mos dhënë drejtësi, do të përgjigjen.
Pjesë nga fjala e kryeminsitrit Rama:
Nuk jemi në vitin 1945 dhe nuk mund ti kërkohet as qeverisë, as shumicës parlamentare, që të fusin njerëz në burg, edhe kur ata njerëz janë parë me armë në dorë duke vrarë njerëz. Sepse këtu ndahet pikërisht kufiri mes demokracisë dhe çdo forme tjetër të organizimit shoqëror.
Unë dëshiroj të them se së pari më vjen shumë mirë që ne sot hedhim një hap të rëndësishëm, jo formalisht, duke i vendosur të katërt të rënët e 21 Janarit aty ku ata e kanë vendin. Në altarin e Atdheut. Si dëshmirtarë të një kohe ku humbën jetën jo rastësisht.
Besuan tek te drejtat dhe liritë e tyre. Protestuan për to.
Nga ana tjetër, unë ndjehem realisht krenar për të arritur te sistemi përfundimtar, te ngritja e një sistemi drejtësi që bën drejtësi. Dhe nëse e sotmja me emocionet dhe të gjithë ngarkesën e të gjitha halleve të përditshme, nuk i jep kësaj force politike të gjitha kreditet e merituara, për hapjen e kutisë së pandorës, të gjithë nëntokës së llumit, e nesërmja nuk ka asnjë diskutim që do ta vulosë gjithcka që ne kemi bërë dhe po bëjmë, qysh se kemi hapur kapitullin e pastrimit të sistemit të drejtësisë.
Mua me vjen mirë, edhe për një fakt tjetër. Ne nuk kemi pasur mundësi që të bëjmë më shumë ,por kemi bërë gjithcka që kemi mundur për të mos i lënë vetëm të afërmit dhe familjarët e të rënëve në 21 Janar. Çka na jep atë lehtësimin e nevojshëm për të qenë përpara kujtimit të tyre, jo me kokën ulur për këtë pjesë.
Nuk jemi ende me kokën lart për sa kohë i gjithë ky proces nuk ka përfunduar, për sa kohë ka ende llum për të pasturar, për sa kohë ata që janë pastruar nga sistemi akoma nuk kanë dhënë llogari. Por patjetër do tju shohim në sy për gjithcka na është dashur të bëjmë për familjet e tyre.
Sot ne u dorëzojmë familjeve simbolin e “Dëshmorit të Atdheut” për të dashurit e tyre, dhe jam i bindur se prania e atij simboli në 4 shtëpitë, do jetë një pikë e dukshme referimi, për vështrimin e fëmijëve kur të mendojmë për prindërit e tyre. Në sensin e besimit që drejtësia do ta bëjë të sajën.
Dhe ata të cilët i vranë për herë të dytë, dhe i vranë në bashkëpunim, me njëri-tjetrin dhe palë të tjera, të veshur në togun e zezë të gjykatësve, do përgjigjen. Do përgjigjen siç do përgjigjen të gjithë gjykatësit dhe prokurorët që janë angazhuar fortë për ta bërë 25 prillin referendum kundër kësaj qeverie, bashkë me udhëheqësin e këtij referendumi.
Unë dhe gjithë kolegët, kemi qenë, jemi dhe do të jemi, njësoj si të ishit ju, sa herë që vjen fjala apo vjen puna për të adresuar këtë çështje ende të hapur. Dhe dua të ndaj me ju besimin tim që çështjet e drejtësisë, edhe në këtë çështje, sot për Shqipëriën vlen më shumë se në cdorast tjetër, fjala e popullit “Drejtësia vonon por nuk harron asnjëherë”.