Politike28 Nëntor 2022, 08:54

110 vjetori i pavarësisë, Rama i jep Dua Lipës pasaportën shqiptare

Shkruar nga Pamfleti
110 vjetori i pavarësisë, Rama i jep Dua Lipës pasaportën

Këngëtarja Dua Lipa dhe kryeministri Edi Rama

Kryeministri Edi Rama ka shpërndarë një urim për 110 vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë.

Krahas urimit, Rama ka ndarë edhe një foto me këngëtaren Dua Lipa e cila mori dje shtetësinë shqiptare, ndërsa i fton të gjithë të marrin pjesë në koncertin e Duas në sheshin ‘Skëndërbej’.

“Mirëmëngjesi dhe me qytetaren më të re të Shqipërisë, ju uroj të gjithëve gëzuar përvjetorin e 110 të Flamurit të Pavarësisë, këtë ditë të bekuar të kombit tonë që sot do të mbyllet me Duan në Sheshin Skënderbej”, shkruan Rama.

28 Nëntori për të gjithë shqiptarët kudo ndodhen njihet si Dita e Flamurit.

Me aktin e Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, Kryetari i Qeverisë së Përkohshme, Ismail Qemali njoftoi gjashtë Fuqitë e Mëdha: Anglinë, Italinë, Austro-Hungarinë, Francën, Gjermaninë dhe Rusinë.

Akti i Shpalljes së Pavarësisë përbën një nga ngjarjet më të rëndësishme në historinë e popullit shqiptar. Ai ishte fryt i përpjekjeve dhe i luftërave shekullore të shqiptarëve, për të mbrojtur tërësinë tokësore të atdheut dhe për të formuar shtetin e pavarur shqiptar. Me vendimin e Kuvendit të Vlorës, kombi shqiptar fitoi të drejtën e tij të pamohueshme për të qenë i lirë e i pavarur, krahas kombeve e popujve të tjerë të Evropës.

28 Nëntori i vitit 1912 shënon një kthesë historike për popullin shqiptar, sepse nga njëra anë mori fund sundimi gati pesëshekullor i Perandorisë Osmane, nga ana tjetër u krijuan kushtet e reja politike për të dalë nga prapambetja e madhe dhe për zhvillimin e tij më të shpejtë ekonomik, shoqëror e kulturor.

Shpallja e Pavarësisë ishte një fitore e madhe e shqiptarëve edhe kundër politikës antishqiptare të monarkive fqinje ballkanike, kundër synimeve e planeve të tyre për copëtimin e plotë të Shqipërisë.

Politike Dua Lipa Edi Rama