Aktualitet14 Qershor 2022, 20:01

Skandal: Festivali “Sunny Hill” nuk ka vend në Prishtinë, zhvendoset në Tiranë

Shkruar nga Pamfleti
Skandal: Festivali “Sunny Hill” nuk ka vend në Prishtinë,

Festivali më i madh në Kosovë “Sunny Hill Festival”, që organizohet në Prishtinë nga viti 2018, nuk do të mbahet sivjet.

Ky festival që organizatohet nga këngëtarja e njohur Dua Lipa dhe babai i saj Dukagjin Lipa, do të zhvendoset në Tiranë.

Vendimi për tërheqje mësohet se ka ardhur si pasojë e zvarritjes së procedurave nga ana e Qeverisë për ta bërë të mundur mbajtjen e festivalit. Organizatorët i kanë njoftuar përmes një letre krerët e shtetit të Kosovës se nuk do ta mbajnë festivalin në Prishtinë.

Në faqen zyrtare të Facebook-ut të festivalit, edhe zyrtarisht njoftohet se edicioni i festivalit nuk do të mbahet në Kosovë për shkak të vonesave nga institucionet në Kosovë që lidhen me lejet për lokacionin e caktuar.

Organizatorët njoftojnë të gjithë ata që i kanë blerë biletat, nëse nuk kanë mundësi të marrin pjesë gjatë ditëve të festivalit në Tiranë, do t’u kthehen paratë.

“Datat e njëjta, përvojat e njëjta, lokacioni i ndryshëm. Këtë gusht (për shkak të vonesave nga institucionet për të lëshuar lejet e nevojshme për lokacionin), ne detyrohemi të zhvendosemi në Tiranë.

Duam t’ju informojmë të gjithë ata që tashmë kanë bileta, se ato vlejnë për Sunny Hill Festival 2022 – Edicioni në Tiranë, ndërkaq ata që e kanë të pamundur të marrin pjesë në Tiranë, kanë mundësinë që t’i marrin paratë e tyre. (Datat për tërheqje të parave hapen nga 1 gushti deri me 15 gusht). Më shumë detaje dhe instruksione do të jepen ditëve në vazhdim. Tiranë, po vimë!”, thuhet në njoftimin e organizatorëve të festivalit. /Pamfleti

Aktualitet Festival Sunny Hill Dua Lipa