Buxheti i shtetit ka humbur 119 milionë lekë vetëm si pasojë e shkeljeve që janë bërë me tenderat në Bashkinë e Gramshit.
Në një auditim të Kontrollit të Lartë të Shtetit është zbuluar se në të paktën 9 procedura janë shpallur fituese kompanitë që nuk plotësonin kriteret për kryerjen e punimeve. Ndërkohë në 2 raste janë konstatuar punime të pakryera në vlerën e 1.5 milionë lekëve.
Gjatë auditimit për periudhën 2019 dhe 2020 janë konstatuar shkelje dhe parregullsi në prokurimet publike, kryesisht në vlerësimin e ofertave ekonomike dhe zbatimin e investimeve. Auditimi i KLSH ka zbuluar shkelje në 9 tendera të fituar në mënyrë të padrejtë nga operatorë ekonomikë që nuk plotësojnë kriteret dhe 2 investime publike me dëm ekonomik rreth 1.5 milionë lekë për punime të pakryera.
Rreth 40 milionë lekë i janë dhënë kompanisë ‘Meteo shpk’ me pronar Eral Myftarajn për tenderin me objekt ‘sistemimi dhe asfaltimi i lagjes X, Koçaj’. KLSH ka gjetur se kompania fituese nuk ka mjetet e nevojshme për realizimin e punimeve, ndërkohë një pjesë të tyre i ka të angazhuara në kontrata të tjera. Kjo kompani ka rezultuar fituese dhe në 2 procedura të tjera dhe pse nuk ka plotësuar kriteret e përcaktuara në dokumentet e tenderit.
Ndërkohë, një tjetër kompani që ka fituar tendera edhe pse nuk ka plotësuar kushtet e kontratës është operatori ‘AL-MEXËOOD’ me pronar shtetasin Eral Myftaraj, i cili ka në pronësi dhe kompaninë Meteo shpk.
Kompania që drejton ky shtetas ka fituar dhe tenderin për ‘Rikonstruksionin e kanalit ujitës Galigat-Cingar Siper-Drize’ me një fond prej 27 milionë lekësh. Referuar dokumenteve zyrtare, kjo kompani edhe pse ka paraqitur ofertën më të lartë dhe nuk plotëson kriteret është shpallur fituese e tenderit.
KLSH vlerëson se këto shkelje kanë sjellë përdorim të fondeve publike për investime pa ekonomicitet dhe efektivitet, pasi këta operatorë për shkak të mangësive nuk japin siguri për kryerjen me sukses dhe cilësi të kushteve të kontratës.